Greqia plotëson kërkesat e kreditorëve, por nuk merr asnjë masë lehtësuese. Qeveria e Alexis Tsipras u përfshi papritur në luftën midis Gjermanisë dhe FMN-së
Makis, një instruktor në palestër, 28-vjeçar, që punonte në një kompleks sportiv në Glyfada, në një lagje bregdetare të Athinës, rreth tre vjet më parë, e konsideronte veten me fat që kishte një punë në sektorin publik. Edhe pse i punësuar me një kontratë të përkohshme, ai mendonte se do të punonte këtu për një kohë të gjatë, pas rinovimit të saj. Por mesa duket, situata po ndryshon dhe asgjë s’është më si më parë, shkruan The Economist.
Këshilli i Auditimit Shtetëror të Greqisë, me fuqi de juro, i cili normalisht vendimet e tij i merr në rrugë zyrtare, në mënyrë të papritur vendosi në maj se punonjësit e komunave duhet të shkarkohen menjëherë pasi t’u skadojnë kontratat e tyre të punës. Makis thotë më tej se në të njëjtën situatë me të janë edhe shumë punëtorë të tjerë, nga ata që mbledhin mbeturinat e deri tek teknikët e teknologjisë, të cilët do të detyrohen që të emigrojnë jashtë vendit.
Një pjesë e madhe e tyre janë duke protestuar kundër vendimit të Këshillit të Auditimit dhe trazira më të mëdha pritet që të lindin në ditët në vijim.
Më 18 maj, Parlamenti miratoi një paketë të re reformash të kërkuara nga Bashkimi Europian dhe FMN-ja, kreditorët kryesorë të Greqisë. Tregu i së dielës do të shtrihet jashtë zonave turistike, pavarësisht kundërshtimeve të shitësve të vegjël, të cilët pretendojnë se një lëvizje e tillë do t’i largojë ata nga biznesi, sepse vetëm dyqanet e mëdha do të jenë në gjendje që të punësojnë stafin shtesë të kërkuar.
Ne kemi vite të tëra që shpresojmë që një situatë e tillë të mos ndodhë, por mesa duket dështuam, u shpreh z. Panos, i cili ka në pronësi një dyqan kompjuterësh në qendër të Athinës.
Kalimi i masave duhej të krijonte mundësinë për dhënien e fondeve të shpëtimit nga kreditorët e Greqisë. Gjithashtu qeveria duhet të shmangë mosplotësimin e pagesave të bonove të thesarit prej rreth 7 miliardë eurosh (7.9 miliardë dollarë) në muajin korrik.
Por grindja midis Gjermanisë dhe FMN-së, e cila po vazhdon prej një kohe të gjatë, e ka ndërlikuar më shumë këtë çështje. Fondi nuk pranoi të bashkohet me dhënien e masave lehtësuese aktuale ndaj Greqisë.
Wolfgang Schäuble, ministri i Financave të Gjermanisë, thotë se Gjermania nuk do të bjerë dakord për të dhënë më shumë para ndaj Greqisë, nëse FMN-ja nuk merr pjesë në këtë program, gjë kjo që sipas tij është e nevojshme. Z. Schäuble ka mbështetjen edhe të disa qeverive të tjera të Eurozonës.
Aspak simpatizues ndaj masave shtrënguese
FMN-ja beson se parashikimet e europianëve për ekonominë greke janë shumë optimiste dhe se borxhi i Greqisë do të jetë i paqëndrueshëm në rast se nuk merr një shtyrje kohore të mëtejshme për ta kthyer atë. Ndërsa z. Schäuble, në anën tjetër, u tregua shumë i kujdesshëm në dhënien e këtyre masave lehtësuese ndaj borxhit grek, vetëm disa muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve të Gjermanisë në shtator.
Pra, pavarësisht se i ka plotësuar kushtet e kreditorëve, Greqia ndodhet shumë keq e pozicionuar në luftën ndërmjet tyre.
As në takimin e Brukselit, më 22 maj, nuk u arrit që kjo marrëveshje të zgjidhej. Nga shumë zyrtarë pritet që një takim i radhës, ai që do të mbahet në qershor, do të jetë i duhuri për të arritur në një zgjidhje.
Kritikët e Alexis Tsipras, Kryeministrit të Greqisë dhe Kreut të Partisë së krahut të majtë, Syrizas, thonë se qeveria e tij ka nënshkruar një tjetër pesëvjeçar masash shtrënguese pa siguruar më parë lehtësimin e borxheve të premtuara nga kreditorët në këmbim. Më keq akoma, ai akuzohet se i ka tradhtuar votuesit e tij. Nëse në raundin e vitit të kaluar, në lidhje me rritjen e taksave, ajo që u godit në mënyrën më të keqe ishte klasa e mesme, masat e reja do të tkurrin në maksimum të ardhurat e grekëve të varfër.
Pensionet janë shkurtuar dhjetëra herë që nga viti 2010; Një tjetër 18 përqindësh do të hiqet në vitin 2019. Do të vendoset tatimi mbi të ardhurat, sepse më shumë se gjysma e grekëve nuk paguajnë asnjë taksë mbi të ardhurat, krahasuar me 8 për qind të Eurozonës. Kjo gjë do të bëhet në mënyrë të tillë që edhe Greqia të ecë në të njëjtën linjë me homologët e saj të Eurozonës.
Kur Syriza erdhi në pushtet në 2015, z. Tsipras premtoi se t’u jepte fund masave shtrënguese dhe se do të rivendoste përfitime sociale të cilat ishin hequr apo reduktuar nga qeveritë e mëparshme.
Dështimi i tij në realizimin e premtimeve të mësipërme ka qenë shkaktari i disa grevave dhe protestave të zhvilluara në rrugët e Athinës. Një nga arsyet është se sindikatat, të cilat përfshijnë shumë mbështetës të Syrizas, kanë ngurruar të sfidojnë kolegët e tyre të majtë.
Por pas shtatë viteve të recesionit, grekët duket se i janë dorëzuar këtij fati të hidhur që i ra për pjesë. “Është e vështirë të ballafaqohemi me faktin se pensionet tona po zvogëlohen gjithnjë e më shumë, por s’kemi çfarë të bëjmë”, shprehet Constantina, një pensioniste që dikur ka qenë mësuese.
Anëtarët e Syrizas e pranojnë faktin se votuesit do ta dënojnë z. Tsipras në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2019. Demokracia e Re, e udhëhequr nga Kyriakos Mitsotakis, një reformist i vendosur, kryeson fuqishëm mbi Syrizan në sondazhet paraprake.
Disa nga anëtarët e Syrizas kanë sugjeruar madje se kryeministri duhet të kërkojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Strategjia e z. Tsipras nuk është Makjaveliane, ashtu siç shprehen shumë anëtarë brenda partisë së tij. Me parashikimin e ekonomisë për një rritje me 1.8% gjatë këtij viti dhe me 2.4% gjatë vitit 2018, ai është duke u përpjekur në maksimum në faktin që Greqia mund të tërheqë investitorë të mjaftueshëm për të ulur nivelin e papunësisë, që vazhdon të jetë ende më i larti në Bashkimin Europian, me rreth 23%. Nëse Syriza do të mund të fitojë mjaftueshëm vota në zgjedhjet e vitit 2019, e ardhmja e liderit të saj 42-vjeçar do të jetë e ndritshme.