Kompania ajrore hungareze “Malev”, e cila mbylli fluturimet më 3 shkurt, ka nisur rimbursimin për biletat e prenotuara.
Cilat do të jenë kompanitë që do të “rrëmbejnë” 3.9% të tregut ajror shqiptar të mbuluar nga “Malev”?
Pezullimi i fluturimeve të kompanisë ajrore hungareze “Malev” më 3 shkurt të këtij viti ka bllokuar dhjetëra prenotime edhe nga Shqipëria.
Kompania, e cila mbulonte 36 destinacione nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, tashmë ka nisur procedurat e rimbursimit të klientëve të saj.
Zyra përfaqësuese në Shqipëri tregon se të gjithë ata që kanë prenotuar do të marrin mbrapsht paratë e tyre.
“Deri në fund të muajit mars parashikohet që të rimbursohen të gjithë klientët. Ne tashmë kemi nisur kthimin e parave për prenotimet që janë kryer në muajin shkurt, më pas do të vijojmë me muajin mars”,
shpjegojnë punonjësit e “Malev” në Shqipëri.
Edhe në faqen zyrtare të kompanisë hungareze janë detajuar procedurat që duhet të ndjekin pasagjerët për të përfituar rimbursimin.
“Nëse keni paguar me kartë bankare ose nëpërmjet ‘PayPal’ (online, agjencive të udhëtimeve dhe zyrave të biletave ‘Malev’), ne ju sugjerojmë që të kontaktoni bankën tuaj për të pyetur për opsionet e rimbursimit”,
citohet në faqen zyrtare të “Malev”. Sipas njoftimit, nëse një pasagjer ka blerë biletën në një agjenci udhëtimi, për të përfituar rimbursimin në monedhë ose nëpërmjet transfertës bankare,
duhet të dorëzojë kërkesën për rimbursim pranë agjencisë së udhëtimeve më 3 mars.
Nëse dikush ka prenotuar një paketë turistike në një agjenci udhëtimesh, personat duhet të kontaktojnë me agjencinë për t’i bërë kthimin e parave.
Drejtori i agjencisë turistike “Union Travel”, Gëzim Hajdini, thotë për “Monitor” se klientët që kanë prenotuar biletat përmes kësaj agjencie janë duke ndjekur procedurat për të marrë mbrapsht pagesat që kanë bërë.
“Si procedurë, ne bëjmë kërkesën në favor të klientëve tanë, e cila miratohet më pas nga ‘Malev’”, thotë Hajdini.
Një shqetësim më vete është gjetja e biletave dhe e linjave të tjera ajrore për klientët, të cilët duhet të udhëtojnë medoemos në destinacionet përkatëse.
Z. Hajdini tregon se pasagjerët po fluturojnë tashmë me linja të tjera, aty ku është e mundur të gjenden vende të lira.
Si do të ndahet tregu
Mbyllja e “Malev” dhe ndalimi i fluturimeve nga linja ajrore hungareze krijon një “hapësirë” të re në tregun dhe konkurrencën e kompanive ajrore në vend.
Sipas të dhënave zyrtare nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, në 2011-n, “Malev” ka zënë rreth 3.9% të tregut shqiptar të fluturimeve.
Gjatë nëntëmujorit të vitit 2011, linjat ajrore me fluksin më të madh të pasagjerëve janë: “Belleair” (45.8%), “Albanian Airlines” (10%), “Alitalia” (8.5%), “Austrian Airlines” (6.4%)
dhe “Turkish Airlines” (3.6%). Ndërkohë linja low-cost “JetAirfly” ka filluar të krijojë tregun e saj. Sot operojnë 13 linja ajrore, të cilat e lidhin kryeqytetin me 30 destinacione të ndryshme.
“Malev” është një linjë e njohur në Shqipëri, si një ndër më të hershmet që kanë operuar në vend dhe që kanë lidhur Tiranën në mënyrë të përditshme me destinacione të shumta europiane përmes Budapestit. Sipas të dhënave nga zyra e “Malev” në Shqipëri, kompania kryente fluturime kryesisht dy herë në ditë dhe më pak një herë në ditë.
Linja hungareze është shfrytëzuar kryesisht për linjat e saj transit përmes Budapestit. Por, pas largimit të “Malev” nga tregu, cilat do të jenë kompanitë që do të përfitojnë?
Sipas Gëzim Hajdinit të “Union Travel”, kompanitë që pritet të marrin tregun e kompanisë hungareze mund të jenë “Austrian Airlines”, “Lufthansa” apo “Adria Airways”.
“Tregu do të shpërndahet pak a shumë te të gjitha kompanitë. Por meqë ‘Malev’ ka pasur fluks në fluturimet drejt Gjermanisë, do të përfitojnë pikërisht ato linja që kanë destinacione të shpeshta drejt saj”, shpjegon z. Hajdini.
Por mbyllja e “Malev” pritet të rëndojë konsumatorin, kjo sepse kompania hungareze ofronte çmime më të lira se konkurrentet e saj, ndërkohë që edhe flota ajrore ishte e një cilësie të mirë.
“‘Malev’ kryesisht ka ofruar gjithnjë çmime më të lira në treg dhe prandaj klientët do të duhet të paguajnë më shumë tashmë përmes linjave të tjera”, thotë z. Hajdini.
Mbyllja e “Malev” pritet të shtojë edhe kostot për turistët drejt Hungarisë. “Në Budapestin si destinacion turistik sigurisht që do të ndikojë, sepse tani do të bëhet me transit, jo më direkt dhe do të shtohen afërsisht 70 euro, ndërsa për itineraret e tjera që ‘Malev’ bënte në gjithë Europën çmimet janë përafërsisht të ngjashme me kompanitë e tjera ajrore”, shpjegojnë operatorët turistikë në Tiranë.
Ndërkohë, në Europë, kompani të shumta të tjera janë ofruar të gatshme të mbulojnë një pjesë të madhe të fluturimeve të “Malev”. Ndër më të diskutuarat dhe më të rëndësishmet deri më tani është kompania low-cost “Ryanair”. Ajo do të fillojë operimet nga aeroportet hungareze më datën 17 shkurt, si fillim me 26 rrugë të reja e më pas në total do të jenë 31 frekuenca lidhëse.
Si të përfitoni rimbursimin
Në faqen zyrtare të kompanisë “Malev” është publikuar njoftimi zyrtar që informon klientët për mënyrat se si mund të rimbursohen për biletat që kanë rezervuar.
Për udhëtimin tuaj, ne ju sugjerojmë që të kontaktoni kompani të tjera ajrore ose zgjidhni një rrugë tjetër transporti. Si rrjedhojë e mbylljes së fluturimeve “Malev”, ju sugjerojmë që të ndiqni këto rrugë për të marrë mbrapsht pagesën tuaj.
– Nëse keni paguar me kartë bankare ose nëpërmjet “PayPal” (online, në agjencitë e udhëtimeve, apo zyrat e biletave “Malev”), ne ju sugjerojmë që të kontaktoni bankën tuaj për të pyetur në lidhje me opsionet e rimbursimit.
– Nëse e keni blerë biletën tuaj në një agjenci udhëtimi për mjete monetare, ose duke bërë transfertën bankare, ju duhet të dorëzoni kërkesën tuaj për rimbursim në agjencinë e udhëtimeve deri më 2 mars.
– Nëse e keni blerë një paketë pushimesh, përfshirë biletat ajrore, në një agjenci udhëtimesh, ju lutem flisni me agjenci udhëtimi për kthimin e parave.
– Në rastin e biletave të lëshuara për fluturime ajrore “Malev” nga ndonjë linjë tjetër, ju lutemi të kontaktoni me linjën ajrore që ka shitur biletat.
– Nëse keni paguar për taksat dhe tatimet për bileta të shpeshta të “Malev” me anë të një karte bankare, ne ju sugjerojmë që të kontaktoni bankën tuaj për të pyetur në lidhje me opsionet e rimbursimit.
Pse falimentoi “Malev”
Rreth 66 vjet pas krijimit, kompania ajrore hungareze “Malev” nuk do të kryejë më fluturime. Vendimi vjen pasi Komisioni Europian kërkoi nga kompania ajrore të shlyejë disa pagesa të prapambetura të viteve 2007-2010,
në shumën e 130 milionë eurove, çka e ka bërë të pamundur vazhdimin e fluturimeve të saj.
Edhe në vendin tonë, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil konfirmoi se është marrë një urdhër për pezullim të fluturimeve, si pasojë e falimentimit të kompanisë.
Situata kritike që ka përfshirë kompaninë ajrore hungareze “Malev” sipas parashikimit të ekspertëve do të ndikojë negativisht në industrinë e turizmit në Hungari për shkak të pengesave të shumta që do të hasen në transport
dhe dëmeve financiare në sektorin e aviacionit. Kompania kishte rreth 2600 të punësuar dhe 22 avionë. Fillimisht u pezulluan fluturimet për dy avionë të “Malev” në Irlandë e Izrael.
Në ditët e fundit të falimentit ishin planifikuar 64 fluturime të “Malev”, ndërkohë që gjysma e trafikut ajror në Aeroportin e Budapestit u pezullua.
Kompania tashmë ka deklaruar zyrtarisht falimentimin dhe rimbursimi i biletave të rezervuara pritet të përfundojë brenda 23 marsit.
Pasojat e krizës ekonomike kanë nisur të ndihen drejtpërdrejt te kompanitë ajrore, sepse numri i kompanive të falimentuara është rritur. Brenda muajve të fundit, dy shoqëri shpallën falimentin, linja “Spanair”, si dhe linja hungareze “Malev”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.