OECD: Virusi mund të çojë Europën në recesion, rritja ekonomike e parashikuar mund të përgjysmohet

02/03/2020 1:16 PM 0 komente

Ekonomia globale do të pësojë një “ngadalësim të mprehtë” për shkak të koronavirusit, sipas Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD), duke i shtyrë shumë vende të prekura në recesion.

OECD tha që Eurozona, e cila përfshin disa nga ekonomitë më të mëdha të Europës mund të pësojë tkurrje brenda disa muajsh.

Çfarë parashikon OECD?

Sipas skenarit të OECD rritja ekonomike globale do të jetë 2.4 për qind këtë vit, nga 2.9 për qind që kishte parashikuar së fundmi në nëntor. Sidoqoftë, ajo paralajmëron gjithashtu se ndikimi ekonomik nga përhapja e virusit mbetet shumë e pasigurt dhe rritja mund të bjerë shumë më tej, gati në përgjysmim në 1.5 për qind këtë vit.

Efektet tashmë kanë filluar të ndihen në Kinë pasi fabrikat dhe qytetet janë mbyllur për të parandaluar virusin. Vendet e ndërlidhura fort me Kinën si Japonia, Australia dhe Koreja gjithashtu do të pësojnë dëme ekonomike, thotë OECD.

Rënia ekonomike e Kinës do të jetë afatshkurtër. Ajo do të bie nga 6.1 për qind në 2019 në më pak se 5 për qind këtë vit para se të rikuperohet në vitin 2021.

“Virusi rrezikon t’i japë një goditje të mëtejshme një ekonomie globale e cila tashmë ishte dobësuar nga tregtia dhe tensionet politike,” tha shefi ekonomist i OECD, Laurence Boone.

Raporti parashikon që gjithashtu edhe Japonia mund të futet në recesion.

Çfarë duhet të bëjnë shtetet për të mbrojtur ekonominë

Për të zbutur ndikimin ekonomik, punonjësit duhet të lejohen të punojnë nga shtëpia. Qeveritë duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të mbështetur sektorët më të prekur siç janë turizmi, udhëtimet, transporti dhe industritë e prodhimit.

“Qeveritë duhet të veprojnë menjëherë për të parandaluar epideminë, të mbështesin sistemin e kujdesit shëndetësor, të mbrojnë njerëzit, të rrisin kërkesën dhe të sigurojnë një shpëtim financiar për familjet dhe bizneset që preken më shumë.”

Bankat qendrore duhet të sigurojnë likuiditet shtesë për bankat në mënyrë që ato të mund të ndihmojnë bizneset që vuajnë probleme të menjëhershme të humbjes së parave, thuhet në raportin e OECD./Independent

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of