Kina po përpiqet që të mbajë tregtinë e saj me Amerikën. Duke ulur tarifat dhe duke minimizuar politikën industriale, Kina po përpiqet të fitojë mbi Donald Trump
Ata ishin shumë të kujdesshëm teksa flisnin dhe toni i tyre i zërit ishte i qartë. Në një takim të Byrosë Politike për të diskutuar planet ekonomike për 2019, liderët kryesorë të Kinës ranë dakord se duhet të përgatiteshin për t’u përballur me probleme të ndryshme dhe mbi të gjitha, duhet të ruajnë stabilitetin e brendshëm. Kjo mbledhje ishte krejt e kundërta me atë të zhvilluar një vit më parë. Më pas, Byroja Politike filloi të nxiste të pranishmit, duke përfunduar se Kina ishte motori ekonomik i botës, me një nivel të ri të fuqisë.
Ndryshimi i menjëhershëm pas një viti luftimesh “sy për sy e dhëmbë për dhëmbë” me Amerikën shpjegon faktin se Kina është e vendosur që t’i japë fund luftës tregtare. Opinioni i dëgjuar më parë se Pekini mund ta tejkalonte Amerikën në një betejë të ashpër tarifore ndryshoi totalisht në momentin që Kina kuptoi se, duke qenë vendi me tepricën më të madhe tregtare, do të ishte edhe ai me humbjet më të mëdha.
Optimizmi që qeveria mund të luftonte në dy fronte, duke zbutur barrën e rëndë të borxhit dhe në të njëjtën kohë, duke tejkaluar Amerikën, nuk ekzistojnë më. Parashikimi ekonomik nuk është më aq i qartë. Analistët po debatojnë nëse qeveria, do të vendosë përsëri një stimul të madh fiskal për të mbështetur rritjen.
Qëndrimi i ashpër i qeverisë kineze një vit më parë është zëvendësuar nga mesazhe pajtuese. Në një forum të zhvilluar kohët e fundit, Ma Jiantang, nënkryetar i një organizate, theksoi lidhjet e forta midis ekonomive të Kinës dhe Amerikës. “Ne jemi të pandashëm” tha ai. Objektivi kryesor i zyrtarëve kinezë është që të mbështesin armëpushimin tregtar që Presidentët Donald Trump dhe Xi Jinping ranë dakord pas takimit të fundit të G20 në Argjentinë. Ata kanë kohë deri më 1 mars për të arritur nënshkrimin e një marrëveshje, përndryshe të dyja vendet mund të vendosin sërish tarifa mbi njëri-tjetrin.
Oferta e paqes e Kinës ka filluar të materializohet. Qeveria kineze ka lënë të kuptohet se ka bërë një sërë koncesionesh gjatë dy javëve të fundit. Ajo ka rifilluar blerjet e sojës amerikane, ka njoftuar reduktimet e tarifave mbi importet e automjeteve dhe tregoi se do të ndryshojë politikën industriale që mund të krijojë dyshime në shtete të ndryshme. Këto janë disa nga masat më të rëndësishme të ndërmarra nga Kina, por nëse ato do të përmbushin dhe do të kënaqin pritshmëritë e z. Trump, kjo është një çështje tjetër.
Shenjat e para të reagimit të z. Trump duket se janë pozitive. Më 14 dhjetor, pasi Këshilli shtetëror kinez tha se do të anulojë përkohësisht tarifën shtesë mbi 25% të automjeteve amerikane (të vendosura si kundërpërgjigje e tarifave amerikane), z. Trump shkroi një postim shumë optimist në Twitter: “Kina dëshiron të arrijë një marrëveshje të madhe dhe gjithëpërfshirëse. Kjo mund të ndodhë, dhe madje shumë shpejt”!
Por negociatorët kinezë nuk kanë për qëllim që të dalin të humbur. Një çështje delikate është rasti i Meng Wanzhou, shefja e financave të Huawei, një prej gjigantëve të teknologjisë kineze, e cila u arrestua nga Kanadaja me një kërkesë ekstradimi nga Amerika. Kina është përpjekur ta izolojë rastin e saj, duke e mbajtur larg bisedimeve tregtare. Ajo i është përgjigjur Kanadasë në të njëjtën mënyrë, duke arrestuar dy qytetarë kanadezë në Kinë, në formë hakmarrjeje.
Por nëse Kanadaja e dorëzon znj. Meng në Amerikë, armëpushimi tregtar do të tronditej. Për më tepër, Amerika mund të zgjedhë taktika të reja luftimi. Departamenti i drejtësisë thuhet se do të padisë hakerët kinezë mbi spiunazhin ekonomik. Kina ka mësuar se z. Trump është një luftëtar i paparashikueshëm, i ndarë midis dy kampeve brenda administratës së tij. Steven Mnuchin, Sekretari i Thesarit, i ka mbështetur ofertat e mëparshme nga Kina për të blerë më shumë energji nga Amerika dhe prodhime bujqësore. Robert Lighthizer, përfaqësuesi i Tregtisë i Shteteve të Bashkuara, ka kërkuar që Kina të ndalojë praktikat për të cilat dyshohet se i lejon firmat e saj të vjedhin teknologjinë nga Amerika.
Nga ana tjetër, James McGregor, kreu i Kinës për APCO Worldwide, një firmë konsulence, thotë se bizneset e huaja duan të shohin “rezultate serioze”, pasi kanë përjetuar të gjithë dramën e kaluar tarifore. Pyetja kryesore këtu është se cilat janë rezultat serioze që Kina mund të ofrojë, sepse reduktimi i tarifave për importin e automjeteve dhe blerja e sojës amerikane nuk kanë shumë rëndësi.
Ndërmarrja e këtyre masave thjesht mund ta kthejë marrëdhënien tregtare në pozitën e saj të një viti më parë. Kërkesat për ndryshime thelbësore janë shumë më të vështira për t’u realizuar nga Kina dhe këtu mund të përmendim, për shembull, reduktimin e subvencioneve për kompanitë shtetërore.
Negociatorët kinezë janë duke u përqendruar në dy çështje kryesore. Së pari, ata po largohen nga “Made in China 2025”, një plan për ta shndërruar vendin në një fuqi prodhuese të avancuar.
Bizneset e huaja e kundërshtojnë atë, sepse ajo përcakton objektivat e tregut për Kinën në sektorët nga bioteknologjia në robotikë. Zyrtarët kinezë kanë minimizuar rëndësinë e saj, duke e përshkruar atë si një dokument të paqartë. Referencat për të janë zhdukur nga të gjitha mediat shtetërore. Tani, qeveria duket e gatshme ta anulojë atë zyrtarisht. Edhe Global Times, një tabloid shtetëror, ka bërë thirrje për një plan të ri.
Së dyti, qeveria dëshiron të tregojë se kompanitë e huaja veprojnë sipas rregullave. Liu He, kryenegociatori i tregtisë kineze, i ka kërkuar Bankës Qendrore të nxjerrë udhëzime mbi mënyrën se si “neutraliteti konkurrues” do të funksiononte në Kinë. Ideja, e promovuar nga vendet e pasura të OBZHE-së, është që kompanitë shtetërore mund të jenë pjesë e një ekonomie të tregut të shëndoshë, por me kusht që ato të mos gëzojnë avantazhe specifike.
Kina do të përpiqet të bindë z. Trump se është serioze në lidhje me përmbushjen e pretimeve të saj dhe se ato do të konkretizohen edhe me veprime. Tesla është në rrugën e duhur për të qenë prodhuesi i parë i huaj që do të ketë një fabrikë prodhimi tërësisht në Kinë. UBS, një bankë zvicerane, kohët e fundit u bë firma e parë e huaj që iu lejua një shumicë e aksionesh në një broker kinez. ExxonMobil së shpejti do të fillojë të ndërtojë një kompleks petrokimik të cilin do t aketë në pronësi të plotë, dhe që deri më tani firmat e huaja nuk e kanë bërë dot. Kina ka publikuar rregulla më të ashpra për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, gjë të cilën kompanitë e huaja e kanë kërkuar prej kohësh.
Sfida për Kinën është të provojë se të gjitha këto ndryshime nuk janë thjesht sipërfaqësore në një sistem ekonomik në të cilin shteti mbetet shumë i fuqishëm. Skepticizmi është i madh në këtë drejtim, sidomos për aq kohë sa qeveria dëshiron të ndërtojë kompani në pronësi të plotë të shtetit në qendrat të ndryshme në të gjithë botën.
Më 18 dhjetor Kina festoi 40-vjetorin e fillimit të periudhës së “reformës dhe hapjes”, rilindjen e ekonomisë pas sundimit shkatërrues të Maos. Shumë shpresuan se z. Xi do ta përdorte këtë situatë si fillimin e krijimit të reformave të reja të guximshme. Por në një fjalim të mbajtur në Sallën e Madhe të Asamblesë së Popullit në Pekin, ai i çuditi të gjithë duke reflektuar për arritjet e Kinës nga udhëheqja e fortë e Partisë Komuniste.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.