Intervistë me Nada Vokshi, Drejtore Ekzekutive e Bursës ALSE
Tregu financiar shqiptar është në prag të realizimit të ofertës së parë publike të titujve të një shoqërie private dhe listimit të tyre në Bursë.
Nada Vokshi, Drejtore Ekzekutive e Bursës ALSE, shpjegon në një intervistë për “Monitor”, procesin e ofertës së parë publike të titujve nga një kompani private në Shqipëri.
Sipas saj, hapi i parë mund të rezultojë shumë i rëndësishëm për të testuar procesin e ofertës publike dhe për të shtyrë edhe kompani të tjera të interesuara për të listuar titujt e tyre në bursë.
Znj.Vokshi mendon se vëmendja më e madhe që po tregon Qeveria ndaj zhvillimit të tregut të kapitalit dhe institucionit të Bursës mund të rrisë besimin e investitorëve dhe të krijojë një mjedis më tërheqës, edhe për emetues të tjerë.
Si do të funksionojë oferta e parë publike e titujve të një shoqërie private në Shqipëri dhe si duhet të veprojnë investitorët e interesuar për të marrë pjesë?
Detajet e ofertës së obligacioneve të NOA-s jepen të plota në Prospektin e Obligacioneve, i cili pritet të publikohet së shpejti për publikun e gjerë.
Në parim, dhe si rregull i përgjithshëm, investitorët do të kenë mundësi të investojnë në titujt që pritet të emetohen gjatë periudhës së Ofertës, fillimi dhe përfundimi i së cilës përcaktohen në Prospekt.
Në mbyllje të periudhës së ofertës, do të informohemi mbi rezultatin e saj nga Emetuesi, i cili do të shpallë informacionin mbi sasinë dhe vlerën e obligacioneve që janë nënshkruar / shitur gjatë periudhës së ofertës.
Në vijim të shpalljes së rezultatit të ofertës dhe në rast se është arritur vlera minimale e nënshkrimit, siç përcaktohet nga Emetuesi në Prospekt, atëherë do të kemi të bëjmë me një ofertë të suksesshme dhe më tej vijohet me Emetimin e instrumenteve. Dita e emetimit, si rregull, përcaktohet në Prospekt së bashku me data të tjera të rëndësishme, që përbëjnë kalendarin e pagesave të Obligacioneve.
Në vijim të ofertës së suksesshme, Emetuesi, në përputhje me detyrimet ligjore, nis procedurën e listimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE. Pas shqyrtimit të aplikimit dhe dokumentacionit shoqërues, është Këshilli Mbikëqyrës i Bursës, i cili merr vendimin për pranimin për listim dhe tregtim të këtij instrumenti në Bursë.
Duke përmbledhur, investimi në instrumentin financiar gjatë periudhës së ofertës ndodh jashtë Bursës, ndërsa menjëherë pas listimit të instrumentit në bursë, ai mund të tregtohet pa kufizime në treg sekondar.
Pasi obligacionet të jenë listuar, si do të procedohet për tregtimin e tyre nga investitorët e interesuar për të shitur ose për të blerë?
Pas listimit në Bursë, obligacionet mund të tregtohen lirisht, pa asnjë kufizim. Tregtimi mund të realizohet nëpërmjet shoqërive komisionere të anëtarësuara në bursë. Për momentin, janë tre të tilla, të tria banka tregtare. Megjithatë, ne presim që brenda vitit, numri i bankave të anëtarësuara të rritet.
Çdo person i interesuar për të shitur ose për të blerë instrumente të listuar në Bursë mund të drejtohet pranë bankave anëtare në Bursë dhe t’u japë atyre instruksionet përkatëse për blerje ose shitje.
Ne shpresojmë që bankat anëtare, por edhe investitorë institucionalë, si për shembull fondet e investimit, të kuotojnë rregullisht çmime për këtë titull, çfarë do të ndihmonte përcaktimin e një vlere të drejtë të titullit dhe natyrisht urojmë të ketë tregtim aktiv të këtij titulli në Bursë.
Çfarë përfaqëson për ALSE ky moment dhe si synoni ta zhvilloni më tej tregun e titujve financiarë?
Për bursën, ky hap është shumë i rëndësishëm, sepse përfaqëson titullin e parë privat që do të listohet në bursë. Deri më sot në Bursë kanë qenë të listuar titujt e emetuar nga Qeveria Shqiptare të cilët janë tregtuar mes tre bankave anëtare në Bursë.
Emetimi i parë, ndonëse përfaqëson një vlerë relativisht të vogël oferte, është i rëndësishëm, sepse pritet të luajë rolin e shembullit të parë mbi të cilin do të krijohen dhe më pas shpallen edhe ofertat e tjera të titujve nga emetues të tjerë. Suksesi i përvojës së parë mendoj se do të jetë një nxitës për korporata të tjera të mëdha të testojnë financimin nëpërmjet emetimit të titujve.
Oferta e parë publike dhe miratimi i dokumentit politik “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023-2027” janë hapat e parë konkretë drejt gjallërimit të tregut të kapitalit dhe Bursës Shqiptare të Titujve ALSE.
Vëmendja dhe mbështetja e zhvillimit të tregut të kapitaleve nga Qeveria do të sjellë përfitime të shumta, si diversifikimi i mundësive të financimit për bizneset, shtimi i instrumenteve financiare për diversifikimin e portofolit të investitorëve, mundësi më të mëdha për përcaktimin e drejtë të ëmimit të instrumenteve, përmirësim të likuiditetit në sistem financiar, përmirësim i transparencës dhe qeverisjes korporative dhe padyshim, rritje të besimit të investitorëve dhe zgjerimit të bazës së tyre.
Pjesëmarrja e shtetit në strukturën aksionere të Bursës dhe Regjistrit Shqiptar të Titujve, në përputhje edhe me praktikat e vendeve të tjera dhe në linjë me sa parashikohet në dokumentin politik, do të vlerësohet dhe konkretizohet gjatë muajve në vijim.
Nga ana tjetër, edhe nismat e Ministrisë së Financave për të vlerësuar mundësitë për emetim të borxhit publik nga shoqëritë shtetërore, ose një privatizim i mundshëm i disa prej tyre dhe listimi në Bursë, ashtu sië kanë bërë shumica e vendeve të Lindjes, vlerësohen pozitivisht dhe pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në tregun lokal të kapitaleve.
Ka kompani shtetërore që gëzojnë shëndet të mirë financiar dhe mund të jenë subjekt i vlerësimit për të listuar fillimisht obligacione në Bursë.
Të gjitha sa më sipër mendoj se janë zhvillime jo të rastësishme. Qeveria, duke pasur në konsideratë rëndësinë e tregut të kapitaleve dhe ndikimi pozitiv që mund të sjellë në drejtim të rritjes ekonomike, do të mbështesë me masa konkrete, vizion të qartë dhe objektiva të mirëpërcaktuara krijimin e një mjedisi mundësues për gjallërimin e tregut lokal të kapitaleve.
Bursa Shqiptare e Titujve vlerëson tej mase, angazhimin e Qeverisë në drejtim të nxitjes së zhvillimit të tregut lokal të kapitaleve dhe planifikon bashkëpunime të tjera me të në drejtim të rritjes së eficiencës së transaksioneve me tituj të listuar në Bursën ALSE nga investitorët e huaj.
A shihni interes nga tregu për të pasur një vijimësi dhe emetime të tjera, pas atij të NOA?
Ne kemi besim se pas NOA do të ketë edhe emetime të tjera.
Nga diskutimet me kompani të rëndësishme që veprojnë në Shqipëri, ato shfaqen të interesuara rreth këtyre instrumenteve, por natyrisht vendimmarrja e tyre për të emetuar kërkon kohë dhe analizë të plotë të kostove dhe përfitimeve të emetimit të titujve, për ta bërë këtë skenar financimi të krahasueshëm me mënyrat e tjera të financimit të përdorura deri më sot, si kredia bankare, fitimi i akumuluar etj.
Emetimi i titujve, si mënyrë financimi për bizneset, është një proces kompleks, i cili duhet vlerësuar me kujdes nga bizneset. Nevojitet kohë dhe ekspertizë për të hartuar prospektin, për ta paraqitur për miratim në AMF, si dhe duhen përmbushur kërkesat ligjore në fuqi për transparencë dhe publikimin e informacionit.
Më tej, duhen respektuar edhe kërkesat e Bursës për publikimin e informacionit financiar të emetuesit, me frekuencë 6-mujore.
Nga ana tjetër, mendoj se nëse do të kishim pasur më shumë ndërmjetës financiarë të licencuar për shërbime këshillimi, do të kishim më shumë subjekte emetuese në treg, pasi ndërmjetësit do të kishin përmbushur boshllëkun e informacionit dhe ekspertizës së korporatave për përgatitjen e dokumentacionit për emetimin e titujve.
Megjithatë, edhe në këtë drejtim kemi një lajm të mirë; gjatë vitit 2022 janë licencuar dy banka tregtare për shërbime investimi në tituj, përfshirë shërbimet këshilluese.
Për ta mbyllur, sërish mendoj se rasti i parë do të “thyejë akullin” dhe do të ngjallë interes edhe nga kompani të tjera për t’u financuar nëpërmjet emetimit të titujve.
Shoqëritë e sektorit financiar, duke qenë se janë subjekte të mbikëqyrura, kanë më shumë ekspertizë, kanë standarde të larta sa i takon qeverisjes së korporatës, transparencës dhe publikimit të informacionit, mund të jenë subjektet që do të emetojnë në vijim nëpërmjet ofertave publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.