Oferta monetare e Eurozonës është tkurrur për herë të parë që nga viti 2010, pasi kreditimi është ngadalësuar dhe depozitat e sektorit privat kanë rënë.
Oferta monetare është një nga treguesit kryesorë të monitoruar nga Banka Qendrore Europiane për të kontrolluar ndikimin e shtrëngimit të politikës monetare të ndërmarrë së fundmi.
Ndërsa kreditimi mpaket dhe depozitat afatshkurtra tkurren, aktiviteti ekonomik pritet të ngadalësohet dhe presionet inflacioniste të zbehen.
Të dhënat më të fundit do të diskutohen në këshillin drejtues të BQE-së, për të parë nëse do të duhet të ndalojë rritjen e normave të interesit për herë të parë që nga korriku 2022 në mbledhjen e radhës me 14 shtator.
Disa anëtarë të këshillit (dovish members) thonë se inflacioni tashmë po bie dhe se një rritje e mëtejshme e normës rrezikon të shkaktojë një recesion të panevojshëm.
Pjesa tjetër e anëtarëve të këshillit (hawks members) argumentojnë se inflacioni prej 5.3 për qind në korrik është ende shumë lartë mbi objektivin prej 2 për qind të BQE-së. Ekonomistët thonë se vendimi është një “hedhje monedhë” që mund të varet nga sa do të bjerë inflacioni në gusht, kur këto të dhëna publikohen të enjten.
Masa e BQE-së për paranë e përgjithshme në sistemin e eurozonës, Agregati monetar M3 që përfshin depozitat, huatë, paratë në qarkullim dhe instrumente të ndryshme financiare u ul me 0.4 për qind nga viti në vit deri në korrik, nga rritja prej 0.6 për qind në qershor, tha banka të hënën.
Ekonomistët thanë se të dhënat treguan se rritja e paprecedentë e normës bazë të depozitave të BQE-së nga minus 0.5 për qind në 3.75 për qind vitin e kaluar, si dhe tkurrja e bilancit të saj, po funksiononte sipas synimit, duke mbështetur rastin për një pauzë në shtator.
Shkaku kryesor i rënies së ofertës monetare të bllokut për herë të parë në 13 vjet ishte rënia e rritjes vjetore e kredisë për sektorin privat në 1.6 për qind në korrik, norma më e ulët që nga viti 2016. Kredia për qeveritë gjithashtu ra me 2.7 për qind, rënia më e madhe që nga viti 2007.
“Rritja vjetore e huadhënies bankare vazhdon të ketë prirje drejt një rënie të shpejtë”, tha Bert Colijn, një ekonomist në bankën holandeze ING.
“Kjo është nxitur nga rënia e fortë e huamarrjes në sektorin e biznesit dhe një tendencë rënëse e qëndrueshme në huamarrjen e familjeve, e cila është kryesisht për kreditë hipotekore.”
Depozitat e përgjithshme, duke përfshirë ato të mbajtura nga organet qeveritare dhe institucionet financiare, si dhe nga familjet dhe kompanitë, ranë me një normë rekord prej 1.6 për qind në vit deri në korrik.
“Me aktivitetin ekonomik tashmë në gjendje stagnimi (të pandryshueshme) për momentin, politika monetare pritet të kontribuojë në një mjedis të dobët ekonomik për tremujorët e ardhshëm,” tha Colijn.
Ekonomia e eurozonës u rrit 0.3 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Por anketat e zymta të biznesit tregojnë për një rënie të mundshme në tremujorin e tretë./ FT