Nga 1 janari 2020 pritet që të hyjë në fuqi dhe të zbatohet një udhëzim i ri që ka në thelb përcaktimin e rregullave të përgjithshme të menaxhimit të trafikut të komunikimeve si dhe mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim dokumentin i cili në 9 pika të tij vendos detyrimet e reja për rregullatorin si dhe operatorët e tregut.
Lidhur me çështjen e ruajtjes së privatësisë, udhëzimi nënvizon në pikën shtatë se, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve, ofruesit e shërbimeve të aksesit në Internet marrin masa që kontratat që përfshijnë shërbime të aksesit në Internet, të saktësojnë minimalisht informacionin mbi ndikimin e mundshëm që mund të kenë masat për menaxhimin e trafikut, të aplikuara nga ofruesi mbi cilësinë e shërbimeve të aksesit në Internet, mbi jetën private të përdoruesve fundor dhe mbi mbrojtjen e të dhënave të tyre personale.
Të japin shpjegim të qartë dhe të kuptueshëm të pasojave që mund të vijnë si rezultat i kufizimeve të volumit, shpejtësisë dhe të parametrave të tjerë të cilësisë së shërbimit, për shërbimet e aksesit në Internet dhe në veçanti mbi përdorimin e përmbajtjeve, aplikacioneve dhe shërbimeve, një shpjegim të qartë dhe të kuptueshëm të pasojave në rastet e optimizimit të trafikut dhe shpejtësisë së aksesit. Kontrata e pajtimtarit përmban informacion mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rast të shkeljeve të përsëritura apo mospërmbushjes së cilësisë së shërbimit të kontraktuar” thuhet në udhëzim.
Po kështu ofruesit e shërbimeve të aksesit në Internet duhet që, sipas udhëzimit të parashikojnë procedura transparente, të thjeshta dhe eficiente për të trajtuar ankesat e përdoruesve fundorë, publikohen në faqen e tyre të internetit dhe vihen në dispozicion në pikat e shitjes.
Për ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike, udhëzimi sanksionon se duhet të ofrojnë informacion për çdo procedurë të vendosur prej tyre mbi matjen dhe drejtimin e trafikut me qëllim shmangien e ngarkesës ose mbingarkesës së lidhjeve të rrjetit, si dhe se si këto procedura mund të ndikojnë në cilësinë e shërbimit.
Lidhur me kontratën që bihet dakord mes palëve përdorues fundorë dhe ofrues i shërbimit udhëzimi saktëson se ajo përfshin kushtet dhe karakteristikat tregtare e teknike të shërbimit të aksesit në Internet, si për tarifat, volumin e të dhënave ose për shpejtësinë e lidhjes, si dhe praktikat tregtare të aplikuara nga ofruesit e shërbimeve të aksesit në Internet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.