Një grup organizatash të shoqërisë civile, lidhur me Ligjin Nr. 25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, kanë reaguar për ndryshimet në raportimin financiar për këtë kategori, të hyra në fuqi në janar të këtij viti.
Përmes një letre dërguar qeverisë dhe institucioneve financiare, bëjnë me dije se ky ligj është hartuar dhe miratuar pa dijeninë e pjesëmarrjen e sektorit të shoqërive jofitimprurëse dhe vjen në vëmendjen e organizatave të shoqërisë civile, vetëm në këtë moment kur ka filluar procesi i hartimit të formateve të raportimit nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit.
“ Sektori i shoqërisë civile në vetvete ka shumë çështje që duhet të adresojë e punojë së brendshmi dhe që po i diskuton në forume mes sektorit e më gjerë, me qëllim rritjen e standardit të funksionimit të OJF-ve, atë të cilësisë së veprimtarisë si dhe rritjen e transparencës së OJF-ve. Trajtimi i duhur e i qartë mbi raportimin financiar të OJF-ve është thelbësor për zhvillimin e tyre si dhe një nga prioritetet e rëndësishme parashikuar edhe në Udhërrëfyesin për Hartimin e Politikave dhe Masave për një Mjedis Mundësues për Shoqërinë Civile 2018-2022, një dokument bazë strategjik ky për zhvillimin e sektorit.”-thuhet në letër.
Ligji Nr. 25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare” sjell disa ndryshime dhe shtesa të reja për raportimin e subjekteve, mes të cilave dhe ato jo-fitimprurëse, të cilat përbëjnë shqetësim dhe hapa prapa lidhur me raportimin e organizatave të shoqërisë civile.
Më specifikisht, çështjet shqetësuese renditen si më poshtë:
• Nëpërmjet nenit 13, pika 5, ligji duket sikur shfuqizon lehtësimin që paraqet SKK për OJF-të, shpallur me URDHËR të Ministrit të Financave Nr. 62 datë 17.09.2015, lidhur me paraqitjen e pasqyrave financiare për organizatat që kanë shifrën e aktivit ose shifrën e të ardhurave më të vogël se 5 milion lekë, duke unifikuar llojin e pasqyrave financiare për të gjitha OJF-të. Në fakt, raportimi sipas pasqyrave të përcaktuara në këtë ligj, përkundrejt formatit “të ardhura – shpenzime” të përcaktuara në SKK, do ta bënte raportimin financiar jo relevant dhe do të përbënte një barrë për kapacitetet institucionale të shumë organizatave të vogla dhe që funksionojnë mbi baza vullnetare.
Ky ndryshim përbën një hap mbrapa në krijimin e një mjedisi mundësues për OJF-të në vend, duke mos marrë në konsideratë natyrën e punës (jo-fitimprurëse) dhe madhësinë e OJFve. Ky ndryshim vjen në kundërshtim edhe me praktikat më të mira në këtë drejtim.
• Neni 17, pika c, parashikon detyrimin e OJF-ve shifra e aktivit ose e të ardhurave në pasqyrat financiare të të cilave tejkalon vlerën 30 milionë lekë, që të përgatisin raportin e ecurisë së veprimtarisë (raportit të performancës), raport ky i cili së bashku me pasqyrat financiare duhet të publikohet në faqen zyrtare të internetit të organizatës.
Sipas përshkrimit në pikat 1 dhe 2 të nenit 17 në ligj, mbi përmbajtjen e këtij raporti, por edhe diskutimin paraprak mbi formatin e këtij raporti, duket se ai nuk përputhet me natyrën dhe veprimtarinë jofitimprurëse të OJF-ve.
Letra drejtuar qeverisë, vijon duke shpjeguar se shqetësimi kryesor me këtë kërkesë ka të bëj me motivimin dhe nevojën e ligjvënësit për të vlerësuar performacën e këtyre organizatave, të cilat për hatër edhe të përcaktimit ligjor janë organizatat më të mëdha në vend që në fokus të punës së tyre kanë kryesisht mbrojtjen e të drejtave të njeriut; monitorimin, vlerësimin dhe denoncimin e rasteve korruptive në të gjitha nivelet e shtetit; monitorimin e zgjedhjeve dhe avancimin e kuadrit ligjor në këtë drejtim, etj. Sipas tyre, vlerësimi i performancës në një kohë kur këto organizata janë të palidhura kontraktualisht dhe financiarisht me shtetin, thënë ndryshe kur nuk përdorin fonde shtetërore apo marrin lehtësira tatimore dhe financiare nga ai, e bëjnë atë të pajustifikuar. Madje, kjo vlerësohet si cënim i lirisë dhe pavarësisë së funksionimit të sektorit jo-fitimprurës.
“Kërkesa për prodhimin dhe publikimin e raportit të performancës së punës së organizatave bëhet edhe më e cuditshme, kur nuk përcaktohet se kush është institucioni përkatës që do të gjykojë mbi këtë performancë; kush është ky standart shqiptar apo ndërkombëtar që do të vlerësonte performancën dhe më pas gjykimin për plotësimin e tij; cilat janë penalitetet për organizatat që nuk plotësojnë standartin e performancës. Janë të gjitha këto pyetje që e bëjnë këtë kërkesë të ligjit të paraqesë rrezik të lartë potencial për ndërhyrje nga ana e shtetit në veprimtarinë e pavaruar të sektorit jo-fitimprurës. Në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues, OJF-të përgatisin dhe dorëzojnë pasqyrat financiare pranë organeve tatimore dhe janë subjekt i monitorimit të vazhdueshëm nga ana e tyre. Po ashtu, ato hartojnë raporte veprimtarie dhe raportojnë drejtpërdrejtë pranë donatorëve dhe institucioneve publike nga të cilat marrin financime, konform rregullave dhe procedurave respektive. Praktika perëndimore, përfshi edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshin kërkesën për prodhimin e raportit vjetor të veprimtarisë dhe sigurimin e mundësisë për akses publik (në çdo lloj forme, por jo përcaktuese në faqen zyrtare të ëeb-it). Por, kjo ka të bëjë vetëm me ato organizata që kanë statusin “Për Përfitim Publik” (organizata që marrin lehtësira apo përjashtime tatimore) dhe ato që përfitojnë fonde publike.”-thuhet në letër.
• Neni 22, pika 1 e ligjit parashikon detyrimin e njësive ekonomike, që “….të depozitojnë për publikim pranë autoritetit përkatës ku janë regjistruar pasqyrat financiare vjetore,…”. Në rastin e organizatave jofitimprurëse, “autoriteti përkatës” është Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky detyrim është një barrë e shtuar për organizatat e shoqërisë civile, sidomos ato nga rrethet të cilat do të kenë kosto të shtuara për të sjellë raportet e tyre financiare dhe dokumente të tjera që parashikon ligji, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga ana tjetër, kjo kërkesë nuk sjellë asnjë vlerë të shtuar përsa i përket transparencën së sektorit, aksesit publik apo lehtësimit të kontrollit dhe monitorimit nga ana e institucioneve kompetente. Gjykata nuk e ka për tagër institucional të manaxhojë apo përdorë këtë lloj informacioni. Ndërkohë, që pasqyrat financiare dorëzohen nga çdo organizatë jo-fitimprurëse si çdo njësi tjetër ekonomike, pranë Drejtorive Rajonale të Tatim Taksave, kjo kërkesë e re e ligjit është e pajustifikuar. Çdo nevojë për informacion si për nevoja institucionale ashtu edhe publike mund të realizohet nga këto Drejtori. Për më tepër, Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka dështuar në këto afro 20 vite të prodhojë një rregjistër elektronik të aksesueshëm për sektorin jo-fitimprurës në vend.
• Neni 22, pika 3, parashikon detyrimin për OJF-të që të publikojnë në faqen e tyre të internetit pasqyrat financiare vjetore, nëse shifra e aktivit ose e të ardhurave në pasqyrat e tyre financiare tejkalon vlerën 30 milionë lekë. Gjithashtu ato duhet të publikojnë edhe raportin e performancës. Me këtë ligji detyron OJF-të të kenë faqe zyrtare interneti, ndërkohë që ky nuk është një detyrim ligjor i parashikuar nga kuadri ligjor për regjistrimin dhe funksionimin e OJF-ve, ashtu siç nuk është detyrim ligjor për pjesën dërrmuese të njësive ekonomike fitimprurëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.