Komuniteti ndërkombëtar duhet të bjerë dakord sa më shpejt, për një program të ri të lehtësimit të borxhit, me vlerë 148 miliardë dollarë deri në vitin 2029, për të shmangur një krizë të re borxhi, kanë shpjeguar Kombet e Bashkuara përpara samitit G20.
Një sërë propozimesh të shpallura më 22 shkurt nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP), bëri thirrje për një skemë lehtësimi të borxhit, bazuar në një shkurtim 30% të borxhit sovran për 52 vende, nga 2021 në 2029.
Nëse masa të tilla nuk do të merren, më shumë vende do të përballen me probleme dhe mosshlyerje të borxhit publik dhe do të jetë e pamundur për shumë shtete, që të investojnë në projekte për të zbutur ndryshimet klimatike dhe varfërinë, si dhe kalimin në energji të rinovueshme.
Projekti i UNDP, “Ndërtimi i blloqeve për të dalë nga kriza” (Building Blocks Out of The Crisis), identifikon 52 ekonomi në zhvillim me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ose në vështirësi borxhi, ose në rrezik të lartë, përpara takimit të kësaj jave të Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankës Qendrore të G20 në Bangalore, Indi, ku reforma e institucionet financiare ndërkombëtare dhe borxhi i vendeve në zhvillim do të jenë në krye të axhendës.
“Ne jemi gjithnjë e më të bindur se duhet të adresojmë urgjentisht borxhin,” tha Achim Steiner, administrator në UNDP, duke e krahasuar situatën me nismën e vendeve të varfra me borxhe në fund të viteve 1990, e cila anuloi rreth 76 miliardë dollarë borxh për shumë nga vendet më të varfëra në botë.
“Nëse një ekonomi në zhvillim merr hua me normë interesi 12 ose 14% dhe paguan më shumë se 20% të të ardhurave të saj për shlyerjen e borxhit çdo vit, nuk ka vend për të financuar punën për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm ose angazhimet e Marrëveshjes së Parisit,” argumentoi George Grey Molina, drejtor ekonomik i UNDP-së.
Nëse bota në zhvillim përjashtohet nga tregu i borxhit, atëherë kjo do të ketë efekt afatgjatë në rimëkëmbjen ekonomike.
Njëzet e pesë qeveri të vendeve në zhvillim, aktualisht paguajnë mbi 20% të të ardhurave të tyre totale për shlyerjen e borxhit publik. Ky është numri më i lartë i vendeve në më shumë se 20 vjet.
Pas dorëheqjes së Presidentit të Bankës Botërore, David Malpass javën e kaluar, ka një trysni në rritje, nxitur nga kryeministrja e Barbados, Mia Mottley dhe liderë të tjerë, për një reformë ambicioze të sistemit financiar ndërkombëtar për të promovuar më shumë financime për klimën, ku roli i Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar është kyç.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron, ka organizuar një samit për sistemin financiar ndërkombëtar, i planifikuar për t’u mbajtur në qershor.
Megjithëse barra e borxhit për vendet në fjalë është mesatarisht më e ulët se në Europë, borxhi mesatar në 23 shtetet e Afrikës Sub-Sahariane në planin e UNDP-së është 82%, krahasuar me 85% në të gjithë BE27, ato përballen me norma interesi shumë më të larta, të cilat kufizojnë ashpër mundësinë e marrjes së kredive.
Gjithashtu, normal e larta e bëjnë të pamundur financimin e stimujve ekonomikë, në kuadër të masave stimuluese prej 16 trilion dollarësh të ofruara nga vendet e pasura, si kundëpërgjigje të COVID-19 dhe çmimeve të larta të energjisë.
Ndërkohë, në një përpjekje për të luftuar rritjen e ndryshimit të normave të obligacioneve, UNDP propozon që 52 shtetet, shumica e të cilave janë shtete afrikane, Karaibeve ose Paqësorit, duhet të jenë në gjendje të rifinancojnë 40% të obligacioneve të tyre qeveritare me norma më të ulëta.
Megjithëse G20 krijoi një program të pezullimit të borxhit dhe tani ka një “kornizë të përbashkët” për ristrukturimin e borxhit, Çadi është i vetmi vend që ka ndërmarrë me sukses ristrukturim të borxhit përmes G20.
“Nëse çështja e borxhit të vjetër nuk gjen zgjidhje, atëherë nuk do të jemi në gjendje të gjenerojmë investimin masiv që na nevojitet”, shtoi Steiner. / Euractiv