Kemi mësuar shumë mbi mënyrën si të përballemi me Covid-19 dhe si të jetojmë me të, shkruan The Economist
Virologët thonë se është një marrëzi të përpiqesh të parashikosh si mund të evoluojë një virus i ri. Megjithatë, ky parashikim është me rëndësi thelbësore. Që kur u publikua kopja e parë e gjenomit të virusit SARS-COV-2, më 10 janar 2020, e sekuencuar nga një kampion i mbledhur në Wuhan disa ditë më parë, rreth 5.6 milionë gjenome SARS-COV-2 janë shtuar në GISAID, një bazë të dhënash.
Ato janë renditur në 23 klade – grupe me një paraardhës të përbashkët që ndryshojnë nga sekuenca origjinale. Shumica e dallimeve nuk përbëjnë ndonjë ndryshim domethënës, por rrallëherë, shfaqen edhe dallime të rëndësishme.
Midis datës 15 dhe 25 nëntor, numri i rasteve të reja Covid-19 në Afrikën e Jugut u rrit nga më pak se 400 në ditë, në më shumë se 2,000. Sekuenca tregoi se një numër i madh i tyre i përkisnin një varianti të ri, i njohur fillimisht si B.1.1.529, i cili më pas u quajt Omicron. Nga aspekti gjenomik, Omicron është jashtëzakonisht i ndryshëm nga çdo variant tjetër i vërejtur deri më sot.
Natyra e dallimeve të tij, tregon se, në teori, ai është më i aftë se variantet e tjera për të depërtuar në qelizat njerëzore. Mund të jetë gjithashtu më i aftë për të shmangur antitrupat e krijuar nga vaksinimi ose nga një infeksion natyral.
Virologët kishin menduar prej kohësh se një variant që kombinonte të dyja këto avantazhe “do të ishte një gjë mjaft e rrezikshme”, sipas Noubar Afeyan, bashkëthemelues i kompanisë Moderna, një nga prodhuesit e vaksinave mARN kundër SARS-COV-2. Por ata gjithashtu menduan se shfaqja e një varianti të tillë ishte e pamundur. Tani “Omicron është pikërisht ky lloj varianti”, thotë zoti Afeyan. Mutacionet dhe përhapja e tij e shpejtë janë të frikshme.
Më 26 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e cilësoi Omicron si një “variant shqetësues”, versioni i pestë i virusit që është konsideruar i tillë. Tregjet e aksioneve në mbarë botën ranë ndjeshëm pas këtij lajmi. Kompanitë e ndjeshme ndaj kufizimeve të Covid-19, si linjat ajrore dhe zinxhirët e hoteleve, u goditën rëndë. Dollari, një investim i sigurt në kohë pasigurie, është forcuar. Por kjo tronditje nuk është aspak e krahasueshme me reagimin në fazën fillestare të përhapjes së sëmundjes.
OBSH ka paralajmëruar se lloji i ri mbart një rrezik “shumë të lartë” dhe mund të shkaktojë rritje të infeksioneve në të gjithë botën. Megjithatë, një rritje e tillë është vënë re vetëm në Afrikën e Jugut dhe situata mund të qëndrojë e tillë.
Ka raste të mëparshme që e tregojnë këtë. Afrika e Jugut përjetoi një valë të variantit Beta, por ai nuk u përhap në masë përtej vendit. Alfa përfshiu Europën, por jo Afrikën e Jugut. Arsyet pse një variant përhapet në një vend të caktuar dhe jo në një tjetër, janë kryesisht mjedisore.
Për SARS-COV-2, një pjesë thelbësore e aspektit të mjedisit është sistemi imunitar dhe sistemet imunitare janë të ndryshme në të gjithë botën. Mënyra si gjenet e ndryshme, infeksionet endemike dhe mikrobiomat, ndikojnë në përhapjen dhe zhvendosjen e varianteve të ndryshme, nuk është studiuar ende në thellësi.
Sa mund të përhapet virusi?!
Por jo të gjitha variantet mbeten lokale. Pasi u zbulua për herë të parë në Indi rreth një vit më parë, varianti Delta tregoi një nivel të rrezikshëm transmetueshmërie, duke shkaktuar një valë të re.
Ka mundësi që varianti Omicron t’ia kalojë variantit Delta – qoftë duke qenë më i transmetueshëm, më i aftë në shmangien e sistemit imunitar, ose të dyja së bashku. Shumë vende kanë ndaluar ose kanë kufizuar udhëtimet nga Afrika e Jugut.
Disa shtete, si Izraeli dhe Japonia, kanë ndaluar hyrjen e të gjithë të huajve. Sidoqoftë, deri më 2 dhjetor, mbi njëzet vende raportuan praninë e variantit Omicron brenda kufijve të tyre. Kjo tregon se situata po del jashtë kontrollit dhe se përhapja është e pashmangshme.
Por edhe vonimi i të pashmangshmes mund të sjellë përfitime, sepse sistemet shëndetësore janë të ndjeshme ndaj shkallës së rritjes së valëve virale: ngadalë është më mirë, shpejt është më keq. Vendet europiane, që po luftojnë ende valën dimërore të variantit Delta dhe janë njëkohësisht të shqetësuara për rrezikun e gripit, po forcojnë masat si mbajtja e maskave dhe kufizimet e lëvizjes. Po kërkohet gjithnjë e më shumë që vaksinat të bëhen të detyrueshme. Perspektiva e distancimit social, punës nga shtëpia, dhe karantinave, po shton një sërë shqetësimesh të reja ekonomike në mbarë botën.
Vendet perëndimore, ku vaksinimi i dyfishtë është i zakonshëm, po ofrojnë më shumë doza përforcuese. Kjo është një gjë e mirë, edhe nëse rezulton se antitrupat që gjeneron sistemi imunitar në përgjigje të vaksinave ekzistuese, nuk janë aq të përshtatshme për Omicron sa për variantet e mëparshme.
Dozat përforcuese nuk do të prodhojnë antitrupa më të mirë, por do ta nxisin trupin të prodhojë më shumë antitrupa, të paktën për njëfarë kohe. Studimet kanë zbuluar se sasia e antitrupave kundër sars-cov-2 është e rëndësishme, edhe nëse antitrupat nuk janë specifikë për variantin.
Në nivelin gjenetik, Omicron ndryshon nga versioni origjinal i shfaqur në Wuhan. Por është gjithashtu shumë më i ndryshëm nga versionet e tjera të virusit (shih grafikun 1). Variantet më të afërta me të janë versionet e virusit të shfaqura të paktën një vit më parë dhe që nuk janë sekuencuar që atëherë. Ka tre shpjegime të mundshme për këtë.
Një shpjegim është se paraardhësi i Omicron arriti të qarkullonte për gati një vit pa u zbuluar nga aparati i mbikëqyrjes gjenomike, duke marrë shumë më tepër mutacione se çdo variant tjetër. Kjo gjë duket e pamundur.
Një shpjegim tjetër është se paraardhësi i Omicron u transferua nga një popullatë kafshësh gjatë vitit të kaluar, duke mbartur me vete shumë mutacione. Disa nga mutacionet janë krejtësisht të reja, që nuk janë dalluar në asnjë variant tjetër, duke e bërë deri diku të besueshme këtë hipotezë.
Por edhe më e mundshme duket teoria e tretë, sepse gjëra të ngjashme janë dokumentuar edhe më parë. Sipas saj, varianti paraardhës i Omicron, mund të ketë infektuar dikë me një sistem imunitar të dobët. Për shkak se këta njerëz nuk janë në gjendje ta eliminojnë virusin, ai mund të evoluojë brenda tyre për muaj të tërë, duke grumbulluar mutacione gjatë procesit.
Trupat e këtyre njerëzve me sistem imunitar të dobësuar, mundësojnë për virusin atë që Sharon Peacock nga Universiteti Cambridge, e quan një “palestër evolucionare” ku variantet mund të rrisin forcën e tyre dhe njëkohësisht të mësojnë edhe disa truke të reja.
Përballja me Omicron
Mutacionet më shqetësuese të Omicron ndodhen pikërisht në gjenin përgjegjës për proteinën gjembore. Ajo është mjeti që përdor virusi për t’u lidhur me qelizat dhe për të depërtuar brenda tyre. Mendohet se varianti Delta është aq i transmetueshëm ngaqë ka aftësinë të ngjitet më mirë me qelizat.
Mutacionet e tij prodhojnë një proteinë gjembore, në të cilën nëntë nga aminoacidet në zinxhirin e gjatë prej 1273 aminoacidesh nga i cili prodhohet proteina, janë dukshëm të ndryshëm. Mutacionet në një variant pa emër të quajtur C.1.2, kishin ndryshuar 14 aminoacide. Ndërsa mutacionet e variantit Omicron kanë ndryshuar 35 aminoacide; dhe dhjetë prej këtyre mutacioneve nuk janë parë kurrë në asnjë nga variantet që njihen deri tani.
Pothuajse gjysma e këtyre 35 ndryshimeve ndodhen në zonën e lidhjes së receptorit, pra pjesa që përdoret nga virusi për të hyrë në qeliza, që është edhe pjesa që shënjestrohet më tepër nga antitrupat më efektivë. Duke ndryshuar formën e kësaj pjese të proteinës, mutacionet mund ta bëjnë variantin Omicron më të aftë për të depërtuar në qeliza dhe për të shmangur antitrupat që nuk e njohin atë formë të majës gjembore të variantit.
Një majë gjembore që ka pësuar mutacion, nuk është domosdoshmërisht një majë më e mirë. Për shembull, varianti C.1.2 nuk pati ndonjë përfitim nga mutacionet që pësoi, dhe nuk u përhap në masë. Tani ai madje mund të jetë zhdukur si variant. Por vendndodhjet e mutacioneve të Omicron e bëjnë atë shqetësues. “Nëse shqyrtojmë sekuencën e variantit, për shkak të numrit të mutacioneve dhe vendit ku ato ndodhen, Omicron është shumë shqetësues”, thotë Susanna Dunachie, një imunologe në Universitetin Oxford.
Disa mutacione të tjera të tij janë gjithashtu shqetësuese. Pas lidhjes me një qelizë, gjembi ndahet në dy degë, për t’i lejuar gjenomit viral të depërtojë brenda. Ravindra Gupta nga Universiteti Cambridge, shqetësohet se tre mutacionet e variantit Omicron pranë kësaj zone, do t’i japin atij një avantazh të ngjashëm me atë që gëzon varianti Delta. Një tjetër mutacion mund ta lejojë atë të ngatërrojë sistemin imunitar.
Modelimi kompjuterik, duke përdorur AlphaFold, një program i zhvilluar nga DeepMind, një kompani britanike kërkimore e Inteligjencës Artificiale në pronësi të Alphabet, tregon se antitrupat e sistemit imunitar e njohin me më vështirësi proteinën gjembore të Omicron, thotë Colby Ford, biolog në Universitetin e Karolinës së Veriut, në Charlotte.
Ugur Sahin, shefi i BioNTech, një nga dy kompanitë që kanë krijuar vaksinat mARN kundër virusit, pranon se për shkak se vaksinat i detyrojnë qelizat të prodhojnë proteina gjembore sipas recetës së përdorur në gjenomet më të hershme, efekti neutralizues i antitrupave të nxjerra nga vaksina, do të jetë më i ulët për variantin Omicron. Por ai shton se nuk është e qartë se sa i madh do të jetë ky reduktim dhe thekson se mbrojtja imunologjike nuk sigurohet vetëm nga antitrupat.
Vaksinat angazhojnë gjithashtu edhe qelizat T të sistemit imunitar. Këto janë limfocite që nuk reagojnë vetëm ndaj proteinave të plota, siç bëjnë antitrupat, por njohin edhe fragmentet e proteinave. Për shkak se 97% e sekuencave të Omicron janë identike me virusin origjinal të zbuluar në Wuhan, thotë doktor Sahin, këto përgjigje të qelizave T duhet të jenë ende funksionale.
Ai mendon se shumica e njerëzve të vaksinuar plotësisht edhe me një dozë përforcuese, në rastin më të keq, do të sëmuren vetëm mesatarisht, nëse infektohen me variantin Omicron. Alessandro Sette, imunolog në Institutin për Imunologjinë La Jolla, së bashku me kolegët e tij, kanë treguar se qelizat T ruajnë 93-97% të kapacitetit të tyre të shënjestrimit, kur përballen me një variant të ri.
Sidoqoftë, BioNTech po punon në prodhimin e një vaksine duke përdorur një formë të mARN-së që përputhet me proteinën gjembore të variantit Omicron. Po kështu edhe Moderna. Të dyja kompanitë e kanë provuar këtë gjë më parë, duke zhvilluar vaksina kundër varianteve Beta dhe Delta. Ato nuk hynë në prodhim, sepse nuk ishin të nevojshme; vaksinat fillestare mjaftonin. Nëse e njëjta gjë do të jetë e vërtetë për variantin Omicron, këtë duhet ta mësojmë në javët në vazhdim, thonë kompanitë.
Prodhuesit e vaksinave që përdorin qasje të tjera po eksplorojnë gjithashtu mundësitë për të bërë diçka specifike për Omicron; por teknologjia mARN është më e shpejtë. Banka Morgan Stanley, mendon se të dyja firmat mund të prodhojnë rreth 6 miliardë doza përforcuese vitin e ardhshëm.
Gjatë studimit të vaksinave kundër varianteve Beta dhe Delta, të dyja kompanitë punuan për të zhvilluar procedura që do të lejonin versionet e modifikuara të vaksinave të tyre të miratoheshin më shpejt nga rregullatorët. Doktor Sahin thotë se nëse një vaksinë e re rezulton e nevojshme, firma e tij mund ta realizojë atë brenda 100 ditëve: ky afat përfshin miratimin rregullator.
Megjithatë, koha e nevojshme për të ndryshuar procedurat e prodhimit do ta bënte të pamundur që të mund të prodhoheshin sasi të konsiderueshme të një vaksine të posaçme kundër Omicron, përpara mesit të vitit 2022.
Imuniteti ekonomik
Është qetësues fakti që vaksinat e vjetra do të funksionojnë ende në njëfarë mase dhe vaksina të reja janë të mundshme. Por nëse vërtetohet se Omicron është vërtet shumë i rrezikshëm, atëherë ekonomia do të përjetojë një periudhë të vështirë. Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale të Amerikës, ka sugjeruar se nëse njerëzit do të frikësoheshin nga varianti, ata mund të largoheshin nga forca e punës.
Kjo mund të përkeqësojë edhe më tepër mungesën e fuqisë punëtore dhe të çojë në rritjen e pagave. Nëse do të godiste fort Vietnamin, apo edhe Kinën, kriza e zinxhirit të furnizimit do të përkeqësohej.
Por megjithëse parashikimet e rritjes ekonomike janë ulur me disa të dhjetat e përqindjes, asnjë prej tyre nuk ka shkuar nën zero, si në mars 2020. Sipas një sondazhi nga Deutsche Bank më 29 nëntor, vetëm 10% e pjesëmarrësve në tregjet financiare menduan se varianti i ri do të ishte “çështja më e rëndësishme në tregjet financiare në fund të vitit”. Kjo për shkak se ekonomia ka evoluar, duke zhvilluar një nivel tolerance ndaj sëmundjes; ajo nuk e çorienton më jetën aq sa dikur, dhe shtrimet në spital dhe vdekjet kanë më pak ndikim ekonomik sesa dikur.
Analiza nga Banka Goldman Sachs, kombinon të dhënat mbi masat e detyrueshme të distancimit social dhe nivelin e respektimit të tyre, në “indeksin e efektivitetit të karantinës”. Dy variantet e mëparshme të rëndësishme, Alpha dhe Delta, bënë që masat bllokuese të shtrëngoheshin, por në një nivel shumë më të ulët se në fillim të vitit 2020 (shih grafikun 2). Në nëntë muajt e fundit, vetëm një pjesë e vogël e vendeve janë mbyllur aq rreptësisht sa në vitin 2020.
Qeveritë e vendeve të zhvilluara janë më pak të gatshme për të vendosur masa të rrepta kufizuese, pjesërisht sepse vaksinat e kanë dobësuar ndjeshëm lidhjen midis rasteve dhe shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Kanë ndihmuar gjithashtu edhe ilaçet dhe trajtimet më të mira, dhe pilulat e reja antivirale nga Merck dhe Pfizer duhet ta përmirësojnë edhe më shumë situatën, megjithëse terapitë ekzistuese mund të jenë më pak efektive ndaj variantit Omicron.
Qeveritë kanë vënë re gjithashtu se disa masa, si karantinat dhe mbyllja e shkollave, kanë shumë pak përfitime dhe kosto tepër të larta; kështu që nuk përfshihen më në paketën e masave të mundshme. Më shumë politikanë e pranojnë se Covid-19 po bëhet endemik. Në Amerikë, shumë guvernatorë shtetesh kanë premtuar se nuk do të vendosin më karantina. Më 30 nëntor, qeveria britanike kundërshtoi kërkesën e këshilltarëve mjekësorë që njerëzit të kufizojnë kontaktet sociale.
Pajtueshmëria publike me kufizimet gjithashtu është zbehur. Njerëzit kanë më pak frikë nga virusi. Holanda dhe Austria janë teknikisht në izolim, por njerëzit janë në lëvizje dy herë më shumë se në fillim të vitit 2021, sipas një analize nga Google, ku gjurmohen vizitat në dyqane, vendet e punës dhe transportin publik.
Distancimi social ka më pak kosto ekonomike se dikur. Njerëzit mund të punojnë në mënyrë më efikase nga shtëpia, sepse kanë investuar në teknologji që u mundësojnë të përmirësojnë zyrën virtuale. Bizneset janë më të aftë të përballen me masat bllokuese. Shitësit me pakicë kanë përmirësuar ofertat e tyre online, ndërsa restorantet dhe baret bëjnë më tepër dërgesa.
Në ditët dhe javët në vijim, Omicron do të tregojë ngjyrat e tij të vërteta. Mund të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm. Por tashmë kanë kaluar dy vjet që kur njerëzit në Wuhan filluan të prekeshin nga një sëmundje e re dhe e çuditshme, dhe që atëherë, ne kemi mësuar shumë gjëra për SARS-COV-2, si të përballemi dhe si të jetojmë me të. Kjo, të paktën, duhet të jetë një ngushëllim.
Përktheu: Lira Muça