Pavarësisht se shkenca mund të jetë ende e pasigurt, varianti Omicron ka ndikuar në euforinë e fundit të tregut të stoqeve.
Përcaktimi si një variant shqetësues javën e kaluar dhe më pas komentet e mëtejshme këtë mëngjes nga prodhuesit e vaksinave se vaksinat ekzistuese nuk do të jenë aq efektive, kanë shkaktuar rënie të konsiderueshme dhe mjaft të përhapur në çmimet e aksioneve.
Pra, cili do të jetë efekti ekonomik? Ky efekt duhet të jetë i kufizuar, kryesisht sepse është e qartë që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo e SHBA-së do të bëjnë gjithçka për të shmangur ndonjë izolim të radhës.
E gjithë bota është në pritje të të dhënave shëndetësore nga spitalet, fillimisht nga shpërthimi në Afrikën e Jugut dhe më pas gjetkë, në lidhje me transmetueshmërinë dhe pasojat e këtij varianti.
Kufizimet e reja të shpallura në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën reflektojnë të dhënat nga shkenca në kohë reale, në veçanti pritshmëritë që varianti do të heqë disa tulla nga muri i imunitetit të fituar nga vaksina.
Kjo në vetvete do të ketë njëfarë ndikimi ekonomik. Në Mbretërinë e Bashkuar, të dhënat në kohë reale nga rezervimet në restorante dhe reklamat e punës në internet ishin shumë më tepër krahasuar me ato të ditës ekuivalente të vitit të kaluar. Hyrjet e njerëzve në dyqanet e shitjes me pakicë ishin vetëm 8% më pak se dita ekuivalente e vitit 2019. Ҫdo gjë kishte filluar të kthehej në normalitet, pavarësisht numrit të konsiderueshëm të rasteve me Delta dhe një numri të qëndrueshëm të fataliteteve javore.
Omicron e ka ndalur një pjesë të këtij procesi, thjesht duke futur dyshimin se pandemia është pranë nesh.
Kufizimet e shpallura nuk janë shumë të rënda; ato kryesisht lidhen me përdorimin e maskave. Industria ka mësuar të përshtatet me pandeminë. Por nganjëherë, gjysma e ndikimit ekonomik të pandemisë ka ardhur si pasojë e konsumatorëve që vendosin vullnetarisht të zbatojnë distancimin social, pavarësisht kufizimeve ligjore.
Deri më tani për shembull, ka pasur një seri eventesh dhe festash të anuluara me rastin e Krishtlindjeve, por është e rëndësishme që të mos teprohet me këto masa.
Udhëtimet e biznesit dhe një pjesë e turizmit padyshim që do të goditen për shkak të rifutjes së kërkesave për karantinim. Problemet e zinxhirit të furnizimit që tashmë po pengojnë rimëkëmbjen, vetëm sa do të përkeqësohen nga një valë transmetimesh që do t’i bëjë shumë punonjës të izolohen.
Megjithatë, nëse shtrimet në spitale rriten, qeveria mund të duhet të zbatojë planin e saj B për kthimin e kufizimeve sociale më të rrepta. Realisht, qeveritë nuk duan në mënyrë absolute që t’i kthehen izolimeve. Përvoja e kaluar tregon se kjo mund ta godasë madhësinë e ekonomisë në muajin janar me 2-3%. Vetëm në ato rrethana, qeveria do të rivendoste mbështetjen financiare për pandeminë.
Të hënën, ministrat e parë të Skocisë dhe Uellsit i kërkuan Thesarit të përgatisë paketa të reja emergjente financimi. Thesari tha se kjo ishte një situatë hipotetike dhe se “vaksinat mbeten linja jonë më e mirë e mbrojtjes dhe ne do të vazhdojmë të forcojmë mbrojtjen tonë duke ofruar një përhapje të përshpejtuar të dozave përforcuese”. Me pak fjalë, duke qenë se ata nuk presin të ketë izolime të tjera, aktualisht nuk presin që do të nevojiten të tjera paketa mbështetjeje.
Të dhënat nëse masat aktuale modeste janë të mjaftueshme nuk do të jenë të disponueshme deri në mesin e muajit të ardhshëm. Pra, pasiguria ka të ngjarë të zgjasë edhe vitin tjetër, duke rënduar mbi ekonominë pikërisht në momentin që ajo kishte filluar të kthehej në normalitet.
Ndikimi material i kësaj do të jetë fuqizimi i atyre personave në Bankën e Anglisë që mendojnë se rritja e normave mund të presë deri në muajin shkurt, edhe pse inflacioni ndërkohë po kap nivele të larta.
Shefi i bankës qendrore të SHBA-së, Jerome Powell, ka folur për nevojën për “përulësi”, pasi kishte nënvlerësuar ndikimin e variantit Delta vitin e kaluar.
Rikthimi në normalitet ka mbetur pezull. Megjithatë, fati i menjëhershëm i ekonomisë varet nga të dhënat e shtrimeve në spital./ BBC