OPEC uli të hënën parashikimin e tij për rritjen e kërkesës globale për naftë gjatë vitit 2022, duke shënuar kështu herën e pestë që ndodh kjo gjë që nga muaji prill.
Gjithashtu, organizata reduktoi akoma më shumë edhe shifrën e vitit të ardhshëm, duke përmendur sfidat ekonomike në rritje, inflacionin e lartë dhe rritjen e normave të interesit.
Kërkesa për naftë në vitin 2022 do të rritet me 2.55 milionë fuçi në ditë, ose me 2.6%, tha Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) në një raport mujor. Kjo shifër është 100,000 fuçi në ditë më pak, krahasuar me parashikimin e mëparshëm.
“Ekonomia botërore ka hyrë në një periudhë pasigurie të konsiderueshme dhe sfidash në rritje për tremujorin e katërt të vitit 2022”, thuhet në raportin e OPEC.
“Rreziqet negative përfshijnë inflacionin e lartë, shtrëngimin monetar nga bankat kryesore qendrore, nivelet e larta të borxhit sovran në shumë rajone, kontraktimin e tregjeve të punës dhe kufizimet e vazhdueshme në zinxhirët e furnizimeve.”
Ky është raporti i fundit përpara takimit të planifikuar më 4 dhjetor nga OPEC dhe aleatët e tij, të njohur së bashku si OPEC+. Grupi, i cili kohët e fundit uli objektivat e prodhimit, do të mbetet i vëmendshëm ndaj situatës, citohet të ketë thënë javën e kaluar ministri i energjisë i Arabisë Saudite, vendi që udhëheq de-facto OPEC+.
Vitin e ardhshëm, OPEC pret që kërkesa për naftë do të rritet me 2.24 milionë fuçi në ditë. Edhe shifra e këtij parashikimi është 100,000 fuçi në ditë më e ulët nga sa ishte parashikuar më parë.
Pavarësisht se komentoi për sfidat në rritje, OPEC i la në nivele të qëndrueshme parashikimet e rritjes ekonomike globale për vitin 2022 dhe 2023 dhe tha se, megjithëse rreziqet kanë më së shumti aspekte negative, ekziston gjithashtu një potencial pozitiv.
“Kjo mund të vijë nga një shumëllojshmëri burimesh. Kryesisht, inflacioni mund të ndikohet pozitivisht nga çdo zgjidhje e situatës gjeopolitike në Europën Lindore, duke bërë kështu të mundur adoptimin e politikave monetare më pak të ashpra,” tha OPEC.
Nafta pati një rënie pas publikimit të raportit, duke u tregtuar me rreth 95 dollarë për fuçi./ Reuters