OPEL CORSA, NJË ÇAST NGA E ARDHMJA

21/10/2019 2:21 PM 0 komente

Modeli me emetim zero bën prezantimin e parë duke festuar nisjen e elektrifikimit të markës dhe dizajnin e ri të modelit, i pari bazuar në modelin e Peugeot 208

 

Rüsselsheim, e martë, 4 qershor 2019. Një datë për t’u nënvizuar me ngjyrë të kuqe në kalendarin e çdo admiruesi të markës Opel. Prezantohet e ardhmja dhe risku i marrë përsipër për zhvillimin e markës. Në sallonin e ndriçuar në ndërtesën K48, shohim një vend bosh, në pritje të prezantimit të modelit të ri. Nga modeli i parë i makinës Opel, Patentmotorwagen e 1899, deri në pritjen e prezantimit të modelit më të ri: ndoshta e panevojshme për ta përmendur, por ndryshimet janë kolosale, sidomos bateritë dhe emetimet zero. Me pak fjalë, nuk do ta ndjeni më erën e benzinës në modelin e ri.

Opel Corsa-e, quhet modeli më i ri. Gjenerata e gjashtë R e modelit gjerman, pa avuj në shkarkim për herë të parë në historinë e markës. Është pikërisht modeli elektrik që do të ketë një prezantim përpara versioneve termike (të cilat, megjithatë, do të arrijnë në vjeshtë, ndërsa “e” do të dalë gjatë vitit 2020). Në Rüsselsheim kjo dukej si mënyra më e mirë për të festuar historinë e markës, atë të Corsa-s, e cila nisi 37 vjet më parë me mbi 13.6 milionë njësi shitje. Të gjithë janë të sigurt në shtëpinë e Opel, se kjo është rruga e duhur për t’u ndjekur nga kompania me bazë në Frankfurt, për një të ardhme të sigurt.

 

NJË DIMENSION TJETËR

Mendoj se po ndjekim rrugën e duhur – sepse si mund të ishte ndryshe? – shprehet Hendrik Balters, puna e të cilit është të programojë të ardhmen e kompanisë. Një rol jo i lehtë për këdo. Duke u përqendruar në synimet që kompania ka për të ardhmen, Balters duket se idetë i ka më se të qarta: “E ardhmja e automobilizmit do të jenë kryesisht modelet elektrike dhe hibride. Por, do të vazhdojë të ketë motorë benzine dhe mbi të gjitha nafte gjithashtu, që janë shumë më efikase”.

Në fakt, Corsa e gjeneratës së gjashtë, siç u përmend më lart, do të përbëhet edhe nga motorë termikë, të cilët në thelb janë të njëjtë me Peugeot 208, pasi që të dyja makinat janë projektuar nga e njëjta platformë, Cmp. Diferenca do të duket kur të jeni në timon. Hendrik për një moment duket se e humbet qetësinë që e karakterizon, por reagon menjëherë: “Corsa është një Opel i vërtetë si në pamje ashtu dhe në drejtim, me përmirësime dhe pezullime specifike, të ndryshme nga ato të Peugeot”. Modelet elektrike tashmë shihen si e ardhmja e botës së automobilave.

Aty ku konceptet thelbësore janë krejtësisht të ndryshme: autonomi, koha e rimbushjes, bateria. Këto janë tema që, siç mund ta imagjinoni, teknikët e Opel i kanë vlerësuar deri në detaje, për të qenë sa më konkurrues. Në letër modeli tregon rezultate të jashtëzakonshme: 330 kilometra në ciklin Ëltp, me 136 kuaj fuqi (100 kW) dhe moment përdredhës maksimal 260 Nm gati për t’ju përgjigjur menjëherë veprimit të këmbës suaj të djathtë. Për të arritur 0-100 do të duhet një kohë prej 8.1 sekondash.

Do të ketë 3 mënyra drejtimi (Normal, Eco dhe Sport) dhe një paketë baterie litium-jon 50 kWh e garantuar për tetë vjet, e integruar mirë në platformë: kolona me fuqi të lartë, duan vetëm 30 minuta për të mbushur bateritë në 80%. Nëse instaloni një kuti ëallbox në shtëpi, do të duhen më pak se pesë orë për t’u mbushur plotësisht. Këto procese mund të kontrollohen edhe përmes aplikacionit myOpel, aplikacion i cili vjen në shërbimin tuaj për të planifikuar udhëtimin tuaj të ardhshëm dhe duke ju sugjeruar të ndiqni rrugë më të mirë kur jeni në drejtim.

 

DIZAJN IDENTIFIKUES

Pasi folëm për pjesën teknike të mjetit, tani është momenti të kalojmë te dizajni i tij. Lidhja e fortë me modelin 208, qendra e stilit të Opel e drejtuar nga Mark Adams, ka arritur t’i japë Corsa-s një pamje mjaft identifikuese, veçanërisht në pjesën e përparme. Para së gjithash, përmasat: nëse gjatësia e trupit ndalet në 4.06 metra, vetëm katër centimetra më e gjatë se më parë, tavani (i zi, në Corsa-e) ulet me gati pesë centimetra. Pamja që ofrohet nga bordi është vërtet mahnitëse. Sipas teknikëve, hapësira në kabinë është bazuar nga modeli i mëparshëm. Kjo edhe për shkak të sediljeve të ulëta, me sediljen e shoferit “duke zbritur” gati tre centimetra, duke e bërë më praktike.

Ndryshime të mëdha ka edhe brenda bordit gjithashtu, me shume pajisje të reja dhe me tabelën e kroskotit që komandohet me një pult. E thënë ndryshe: ekrane më të mëdha, të cilat zëvendësojnë panelin klasik të pajisjeve; ekran me prekje, 7 ose 10 inç në varësi të nivelit të konfigurimit. Pastaj, ekziston edhe mundësia e karikimit të telefonit tuaj smartphone me ëireless. Lidhja që ka me 208? Komforti që ofron bordi: gjithçka që na kujton modelin francez; kutia automatike, e cila këtu shërben për të zgjedhur nëse duhet të lëvizë përpara apo mbrapa.

Me pak fjalë, e ardhmja e Corsa-s, është e sigurt: dritat LED (700 euro në Gjermani) janë një aset më shumë, ashtu siç vjen në ndihmë edhe mbajtja e korsisë (standard për të gjitha) ashtu si dhe paralajmërimi në shpejtësi të lartë. Për të mos përmendur njohjen e lodhjes së drejtuesit në timon dhe frenimin automatik si dhe thirrjet emergjente përmes eCall, për të kontaktuar në çdo rast nevoje.

E gjithë kjo, natyrisht, vjen me një çmim. Pra, lista e çmimeve gjermane (e vetmja e vendosur deri më tani) fillon nga 29.900 euro, që vjen me pajisjet standarde: përveç kondicionimit automatik të ajrit, janë të përfshira sistemi i ndezjes pa çelës dhe lidhjes me Android Auto dhe Apple CarPlay, në ekranin me prekje 7 inç. Me shërbimet e mësipërme, quhet Edition (30.650 euro), ndërsa tani mund të rezervoni online Special dhe First Edition. Për një çmim prej 32.900 eurosh, modeli do të ofrojë më shumë pajisje si rrotat me aliazh 17 inç, dritat Intellilux LED, instrumente dixhitale dhe e ofruar në dy ngjyra.

Megjithëse shohim ndryshime të mëdha në inovacion dhe strukturë, për një model që Opel thotë se do të jetë “i arritshëm me një çmim të arsyeshëm për të gjithë”, shifra duket ende mjaft e lartë. Duke pritur për t’u lançuar në tregun tonë, në verën e vitit 2020 me një çmim ende për t’u konfirmuar, nuk keni pse të dëshpëroheni sepse me një këst mujor prej 300 euro makina mund të jetë e juaja. Revolucioni, me pak fjalë, ka filluar dhe jo vetëm në sipërfaqe.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of