Tregu i sigurimeve pritet të ketë disa zhvillime gjatë vitit aktual, së pari në sigurimin e detyrueshëm motorik dhe konkretisht bëhet fjalë për TPL, që është sigurimi ndaj përgjegjësisë së palëve të treta. Një udhëzim i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare i vitit të shkuar vendosi se nga 1 prilli 2019 deri në 1 prill të këtij viti do të mbahet baza e të dhënave për aksidentet që do t’i shërbejë sistemit Bonus-Malus. Të gjithë ata që nuk kanë asnjë dëm përgjatë këtij viti që shërben si historik, do të hyjnë automatikisht në klasën 13. Ekstremet, nëse je një shofer i mirë ose jo i mirë, janë që primi mund të përgjysmohet nëse nuk ke asnjë dëm ose mund të të dyfishohet nëse arrin në klasën e fundit penalizuese. Por le të mendojmë një situatë hipotetike me primin që kemi sot në treg.
Nëse dikush ka një mjet, primi i të cilit është 19 mijë lekë dhe gjatë një viti nuk ka kryer asnjë dëm, ai hyn në sistemin Bonus-Malus për këtë vit me një reduktim të primit. Koeficienti i vendosur në klasën 12 është 0,94, çka do të thotë që drejtuesi do të paguajë një prim 17 860. Krejt e kundërta do të ndodhë nëse ai ka kryer një dëm, çka e kalon atë në rritje me dy klasa, nga klasa hyrëse duke e çuar në klasën 15.
Primi përkues në rastin tonë do të ishte 24 700 lekë. Kur i njëjti drejtues ka një sjellje të mirë në timon dhe nuk shkakton asnjë dëm, tendenca ulëse vijon vit pas viti me nga një klasë. Kjo do të thotë që, nëse marrim sërish primin hipotetik prej 19 mijë lekësh, pas 13 vitesh pa asnjë dëm, drejtuesi i mjetit do të paguajë vetëm 9 500 lekë, kurse nëse ka shkaktuar dëme të vazhdueshme dhe përfundon në klasën 18, pra ekstremi i sipërm penalizues, primi i tij do të shkojë 38 000 lekë. Një qytetar mund të kalojë automatikisht në klasën 18, nëse rezulton se ka kryer dy dëme brenda vitit dhe ndërkohë, klasa e tij hyrëse ishte 13.
Sigurimi i pronës, dy nismat e qeverisë
Tërmeti i 21 shtatorit dhe më pas ai i 26 nëntorit 2019 ngritën edhe një herë debatin për sigurimin e pronës. Nën efektet e panikut që sollën këto dy ngjarje dhe pamjet e ndërtesave të shkatërruara, ku në disa raste arsye ishin gabimet njerëzore apo abuzimet me cilësinë e ndërtimit, qeveria deklaroi nismën e parë që ishte ajo për sigurimin e ndërtimeve të reja nga ana e ndërtuesve për një periudhë 10-vjeçare. Sipas VKM-së, ndërtuesi/zhvilluesi/investitori i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat 10-(dhjetë) vjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve. Vendimi i qeverisë rregullon edhe tarifën vjetore të primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 (zero pikë një) për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit. Pra, për një banesë që kushton 100 mijë euro, primi i sigurimit nuk mund të jetë më pak se 100 euro, duke vendosur në këtë mënyrë një çmim dysheme poshtë të cilit kompanitë e sigurimit nuk mund të ofrojnë policat e sigurimit. Por çfarë mbulon ky sigurim? AMF sqaroi në një vendim të tijin se shoqëria e sigurimit detyrohet të dëmshpërblejë të siguruarin/përfituesin për dëmtime të ndodhura drejtpërdrejt në ndërtesë, në rast të ndodhjes së: shembjes tërësore ose pjesore të ndërtesës; apo ndërtesa paraqet dukshëm rrezik për t’u shembur; defekteve serioze/të rënda në ndërtim, të cilat ndodhin si pasojë e problemeve të lidhura me të metat e tokës mbi të cilën është kryer ndërtimi ose për shkak të një apo disa defekteve të ndërtimit.
Nisma e dytë e qeverisë është ajo e sigurimit të detyrueshëm të pronës nga tërmeti. Sipas një drafti që qarkulloi në dhjetor të vitit të shkuar, por ende të pamiratuar, parashikohej një tarifë sigurimi 25 euro në vit për ndërtimet me beton të armuar dhe 15 euro për ndërtimet e tjera dhe respektivisht në rast dëmi, shuma që i kthehej qytetarit ishte 25 mijë euro për të parën dhe 15 mijë euro për të dytën. I njëjti draft parashikonte që këtë sigurim ta menaxhonte një agjenci e posaçme që do të ngrihej për këtë synim.
Çitozi: Fokus mbetet pagesa e dëmeve nga tërmetet, interesi i qytetarëve në rritje
Viti aktual do të ndiejë efektet që la pas viti 2019 dhe kjo lidhet me tërmetet. Klaidi Çitozi, drejtor i Përgjithshëm i “Sigma Interalbanian VIG”, shprehet se kompanitë janë ende në proces të pagesës së dëmeve teksa vlerëson se ka një vëmendje të shtuar nga ana e qytetarëve për sigurimin e pronës.
“Viti 2020 pritet të sjellë një zhvillim pozitiv në tregun e sigurimeve. Kemi filluar ta quajmë ‘viti i tërmetit’, për shkak se ne ende jemi në procesin e pagesave të dëmeve nga ky fenomen, por edhe sepse interesi i publikut për të mbrojtur pronën ndaj katastrofave natyrore ka pasur një rritje të ndjeshme. Ndoshta jo të gjithë ata që interesohen, e bëjnë sigurimin e pasurisë së tyre, por ne na gëzon fakti që kemi vëmendjen e individëve për të njohur më shumë produktet e sigurimit, jo vetëm të pronës, por edhe produkte të tjera vullnetare. Ka ardhur koha që qytetarët të sensibilizohen dhe të mos presin gjithnjë dhe gjithçka nga shteti. Kompanitë e sigurimit janë mekanizmi i duhur, në të cilat duhet transferuar rreziku në rast katastrofash. Një kontribut minimal vjetor do të ishte një zgjidhje për të gjithë, jo vetëm në rast tërmeti, por edhe ndaj të papriturave të tjera mbi pasurinë apo dhe shëndetin.
Një ndër synimet tona gjatë 2020-s është që të jemi më pranë klientit nëpërmjet teknologjisë por edhe produkteve inovative. Ne do të pasurojmë prezencën tonë online nëpërmjet produkteve të reja dhe të thjeshta për t’u blerë. Digjitalizimi është një ndër objektivat kryesorë të grupit të cilit i përkasim, “Vienna Insurance Group”, dhe ne nuk mund të mbetemi pas në këtë aspekt.
Edukimi i vazhdueshëm i konsumatorit vazhdon të mbetet prioritet për të gjithë tregun e sigurimeve. Këtë vit do të zbatohen projekte të përbashkëta të kompanive të sigurimit, nëpërmjet Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, që kanë në fokus ndërgjegjësimin e konsumatorit për rëndësinë e sigurimeve, duke filluar që nga moshat e reja.
Në prill të këtij viti do të fillojë gjithashtu aplikimi i sistemit Bonus-Malus duke u bazuar në të dhënat e mbledhura gjatë 2019-s. Integrimi i sistemit qendror të shitjes dhe krijimi i regjistrit të përbashkët të dëmeve, mendohet që do ta bëjë më të lehtë këtë proces përsa u përket kompanive të sigurimit. Ky sistem pritet që të bëjë një kategorizim më të detajuar të mjeteve motorike, në bazë të kubikazhit, dhe kështu do të kemi edhe një tarifim më të saktë për konsumatorin.
Ky sistem do të analizohet në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që të shikohet sa e përmbush qëllimin e tij kryesor, uljen e numrit të aksidenteve. Nëpërmjet stabilizimit të tregut, ne synojmë që të rritet besueshmëria e konsumatorit te kompanitë e sigurimeve”, nënvizon Çitozi.
Bonus-Malus, Morina: Primi i sigurimit të makinave do të rritet
Nisja e zbatimit të Bonus-Malus këtë vit pritet që të rrisë primin e sigurimit të makinave. Sipas Presidentit të kompanisë “Eurosig”, Kadri Morina, niveli i primit të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike që zbatohet sot është pjesa Bonus, ndërkohë që risku është më i lartë dhe se në vazhdim ajo që do të zbatohet është pjesa Malus.
Si ishte viti 2019 për tregun e sigurimit në vend në këndvështrimin tuaj dhe zhvillimet që e përcaktuan? Çfarë pritet të sjellë Bonus-Malus që nis këtë vit pas krijimit të një viti historiku mbi aksidentet?
Është folur shumë për Bonus-Malus dhe prej një viti po krijohet historiku, por ne nuk duhet të flasim këtu për sistemin Bonus. Duhet të flasim vetëm për sistemin Malus. Sistemi Bonus sot është në Shqipëri për vetë faktin që me atë çmim që ka TPL sot quhet bonus, sepse në asnjë vend të botës nuk është ky çmim. Mendojmë që 6-mujorin tjetër do të fillojmë të vendosim sistemin Malus. Nëse ti bën dëm, kalojmë te përshkallëzimi i rritjes së çmimit. Nuk ka vend për të futur sistemin Bonus.
Për tregun në përgjithësi ne ende vazhdojmë të jemi një treg i pazhvilluar që siguron vetëm makinën, një treg që vetëm dy rastet e fundit të tërmetit i kujtojnë klientët që ka edhe sigurime. Edhe tregu i sigurimit që kemi për pronën ishte ai i detyruar për shkak të kredisë dhe jo si rezultat i një shenje vullnetarizmi që do të sigurojë pronën. Mendoj që po nuk u morën reforma të thella ligjore për sigurimin e detyrueshëm të pronës, ne ende do të vazhdojmë të vuajmë pasojat që na la tërmeti. Po këtu nuk flitet vetëm për tërmetin. Nëse do të shihni mediat, ka rreth një muaj e gjysmë që nuk ka ditë që nuk digjet një shtëpi. Në këtë këndvështrim ka ardhur koha që të mos flasim më vetëm për tërmetin, por duhet bërë sigurimi i plotë i pronës për tërmetin, zjarrin, përmbytjet dhe përgjegjësitë e palëve të treta. Nëse merren reforma ligjore për këtë produkt, unë mendoj që edhe tregu do të jetë shumë atraktiv edhe klientët janë shumë më të mbrojtur. Këtë e tregoi rasti i fundit i tërmetit. Kompanitë e kishin eksportuar rrezikun jashtë përmes risigurimit. Ky risigurim është një standard i kompanive të sigurimit që bëhet çdo vit, pati apo s’pati tërmet. Ne atë pjesë e kemi prej 10 vitesh. Mungesa e një reforme të thellë në industrinë e sigurimeve çon në situatën ku jemi. Të diskutosh sot që industria e sigurimeve të ketë 100 milionë euro qarkullim në një vit, kur një kompani e vogël ndërtimi ka aq qarkullim në vit, tregon se jemi të fundit në Ballkan për sigurimin në përgjithësi. Mali i Zi e ka 200 milionë euro dhe ka 600 mijë banorë, Maqedonia me 2 milionë banorë sivjet po shkon te 200 milionë euro. Kjo ka ardhur si mungesë e kuadrit ligjor për nxitjen e zhvillimit të tregut të sigurimit.
Ka pasur gjatë këtyre muajve të fundit dy zhvillime sa i takon sigurimit të detyrueshëm të pronës. I pari ai për ndërtimet e reja, që do të sigurohen nga ndërtuesi për një periudhë 10-vjeçare; dhe i dyti, një nismë për sigurimin nga tërmeti, që nuk duket se përfshin kompanitë e sigurimit. Si i shihni këto nisma?
Vendimi i qeverisë që ka dalë për sigurimin 10-vjeçar është për sigurimin ndaj palëve të treta. Kjo do të thotë që ne mbajmë përgjegjësi për ndërtuesin nëse i ka bërë punimet keq, për terrenin nëse shembet pallati e të tjera si këto. Është një sigurim shumë i mirë jo për kompanitë e sigurimit më shumë sesa për klientët. Por duhet thënë që sigurimi i pronës nuk duhet lënë vullnetar. Ka tre javë e ca që nuk pyet më njeri për sigurim shtëpie, përveç atyre ditëve që ra tërmeti. Ndaj po nuk u bë i detyrueshëm, kjo nuk do të funksionojë.
Lidhur me nismën e dytë, unë kam parë atë që ka dalë në media për menaxhimin nga një agjenci shtetërore. Për mua, kjo është e pakuptimtë pasi qeveria ishte me një kompani në tregun e sigurimeve deri në vitin 2016 dhe e shiti atë. Kjo është një ndërhyrje në treg se ne e kemi të ngritur tregun e sigurimeve. Jo më kot janë kompanitë e risigurimit sepse kështu funksionon në përgjithësi. Qeveria vetë duhet të hyjë në treg, të lidhet me risiguruesit dhe të bëjë dublim të asaj që ne e bëjmë sot. Modeli më i përshtatshëm është që qeveria të bëjë reformë të thellë për sigurim të detyrueshëm të pronave nga zjarri, tërmeti, përmbytjet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.