Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar
Viti 2020 nuk mund të krahasohet me kursin e vitit 2019, viti më i mirë në turizmin e vendit, por sigurisht arriti të ketë një sezon veror me përpjekje mbijetese në kushtet e pandemisë. Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, tha se diferencën këtë vit e ka bërë turizmi patriotik, kryesisht me turistët e ardhur nga Kosova por edhe nga zona të tjera shqipfolëse.
Ai parashikon që, sa i takon grupeve si polakët apo ukrainasit e bjellorusët, sezoni të mbetet i hapur, ndoshta deri në fund të shtatorit, ndërsa numri i kontratave me garanci të shfrytëzuara këtë vit vetëm nga polakët ishte 25%. Pjesa e pashfrytëzuar do të shtyhet për vitin tjetër.
Kasa, pak ditë më parë pati një debat sa i takon turistëve polakë, pasi qeveria e tyre do të diskutonte për vendet me të cilat nuk do të lejonte fluturimet charter. Duket se Shqipëria bashkë me Greqinë dolën nga lista paraprake e riskut dhe fluturimet charter do të vazhdojnë. Si e shihni këtë?
Po, u diskutua një listë me mbi 60 vende, ku bënte pjesë dhe Shqipëria. Qeveria polake merr në analizë një herë në dy javë listën e vendeve, duke analizuar situatën e tyre epidemiologjike. Lobimi i fortë i operatorëve turistikë polakë bëri që Shqipëria dhe Greqia të mbeteshin jashtë listës ku u ndaluan fluturimet.
Ajo që na jep avantazh në këtë rast është që nga të gjithë turistët polakë që kanë ardhur deri tani në vendin tonë, nuk kemi pasur asnjë rast infektimi në Shqipëri.
Kjo është diçka shumë pozitive dhe u ka dhënë njëfarë garancie edhe operatorëve turistikë. Tani është e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm me situatën në përgjithësi dhe të mos kemi rritje të numrave. Numrat e turistëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë kanë qenë të ulët, duke pasur parasysh situatën e pandemisë. Për këtë arsye, çdo turist i huaj që zgjedh Shqipërinë në këtë kohë është një bonus në sektorin në këtë vit mbijetese.
Nga maji e në vazhdim, patëm disa herë shpresa se do të kishim edhe këtë vit ndoshta turistët nordikë që prej vitesh po frekuentojnë bregdetin shqiptar, por kjo nuk ndodhi. Çfarë thonë operatorët nordikë mbi situatën?
Nordikët ne i prisnim të fillonin të paktën në mes të gushtit por kjo ishte e pamundur, duke pasur parasysh që qeveria e tyre nuk i lejon të dalin jashtë vendeve për shkak të numrave që kemi ne si vend dhe rasteve aktive me COVID-19.
Po me grupet që kanë ardhur nga jashtë si polakët, ukrainasit apo bjellorusët, sa pritet të zgjasë sezoni këtë vit?
Ne shpresojmë që kjo të shkojë deri në fund të shtatorit. Me atë që shohim aktualisht dhe nga bisedat që kemi me tur-operatorët, gjasat janë që edhe shtatori të jetë aktiv, por kjo mbetet për t’u parë pasi pandemia ka bërë çdo gjë të paparashikueshme.
Çfarë ka ndodhur me kontratat e rezervuara, të cilat nuk mundën të shfrytëzoheshin këtë vit? Sa për qind e tyre u shfrytëzua, nga të dhënat që keni deri më tani?
Rritja e shifrave të turizmit në vendin tonë, vit pas viti, u reflektua me një rritje të numrit të kontratave me garanci që kompanitë huaja nënshkruanin me hotelet në vendin tonë. Të paktën për polakët, të cilët kanë pasur mundësi të vijnë në Shqipëri, këtë vit është shfrytëzuar rreth 25% e kontratave me garanci ndërsa pjesa tjetër janë shtyrë.
Kjo do të thotë që, nëse situata normalizohet në vitin 2021, kontratat ekzistuese të vitit 2020 do të shfrytëzohen në vitin pasardhës. Pa efektin e pandemisë, viti 2020 në kontrata në raport me vitin 2019 ka qenë me 30% rritje, por gjithçka ndryshoi nga COVID-19. Nëse situata do të kthehet në normalitet, turizmi do ta kapë shumë shpejt ritmin dhe do të rritet.
Si ka qenë përshtypja që kanë dhënë turistët për shërbimin apo Shqipërinë, duke pasur parasysh situatën?
Shërbimi u është dukur mirë dhe kanë dhënë referenca të shkëlqyera. Përshtypja ka qenë pozitive edhe për situatën jashtë hotelit, pasi zona e Golemit, ku janë përqendruar turistët, është rehabilituar dhe ka qenë më mirë. Menaxhimi i përgjithshëm ka qenë i pranueshëm.
Po nga kompanitë gjermane që kishin shprehur interes dhe ishin aktive me paketa për Shqipërinë, çfarë përshtypjesh keni marrë për në vazhdim?
“Der Turistik”, i cili është kryesori, kishte shumë shitje për Shqipërinë si paketë, por pandemia anuloi gjithçka. Siç e thashë, nëse zgjidhet kjo pjesë, rikuperimi i turizmit është shumë i shpejtë dhe është receta e rimëkëmbjes ekonomike.
Si ka qenë ecuria e sektorit në Shqipëri në raport me fqinjët si Mali i Zi apo Greqia?
Shqipëria ka qenë mirë krahasuar me vendet e tjera. Me Malin e Zi kemi qenë më mirë të paktën në raport me ardhjet e polakëve, pasi agjencia kryesore “Itaka”, ka mbyllur fluturimet prej tre javësh drejt këtij vendi. Greqia vazhdon por nuk ka ndonjë numër të madh. Pala greke ka kërkuar plotësimin e një formulari dhe disa të dhënave specifike për turistët dhe normalisht, kjo është parë si bezdi dhe ka ndikuar tek shifra më e ulët. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që një pjesë e Greqisë ka qenë e mbyllur.
Si ka qenë interesi këtë vit në lidhje me turet?
Ture ka pasur pak dhe më shumë i kërkojnë polakët, pasi janë më të avancuar në kërkesat e tyre. Përgjithësisht kanë blerë paketa ditore kryesisht në qytetet si Berati, Kruja, Tirana, Vlora por edhe Ohri në Maqedoni. Edhe këtë vit, Ohri ishte paketa më e shitur në raport me të tjerët, por është kërkuar shumë edhe Komani.
Që viti 2020 do të ishte i vështirë kjo u tha që në fillim të pandemisë. Tani kur po i afrohemi fundit të sezonit, si e shihni mbijetesën e strukturave akomoduese dhe gjithë biznesit të lidhur me turizmin?
Këtë vit bëhet fjalë për mbijetesë dhe jo për fitim. Diferencën e kanë bërë turistët nga Kosova, pra turizmi tradicional që ka pasur një kontribut domethënës në shtimin e të ardhurave. Kuptohet edhe me të huajt nga vendet e Europës, ka një rritje, por kryesore ka qenë mbështetja e zonave shqipfolëse. Me atë që shohim sot, një pjesë e hoteleve do t’ia dalë të mbijetojë. E kam fjalën për ato struktura hoteliere ku është investuar seriozisht dhe kanë kapacitete të mëdha. Nuk di të them nëse strukturat e vogla apo ato familjare janë frekuentuar apo do t’ia dalin të gjitha.
Si paraqitet situata në sektor në lidhje me punësimin?
Po, një pjesë e mirë, të paktën për zonën e Golemit e kanë mbajtur stafin në punë, pasi në fundjava kanë qenë me kapacitet të plotë. Një pjesë kanë sakrifikuar, duke e mbajtur, edhe pse në vështirësi pasi nuk kanë dashur ta humbasin për shkak se është staf i kualifikuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.