Firmat globale po shikojnë alternativa aziatike ndaj prodhimit kinez. A mundet “Altazia” të vjedhë vrullin e Kinës? Shkruan The Economist
Në vitin 1987, Panasonic vendosi një bast aventurier në Kinë. Në atë kohë, Japonia, vendi i origjinës së gjigantit elektronik, ishte një fuqi globale e prodhimit dhe ekonomia kineze nuk ishte më e madhe se ajo e Kanadasë.
Kështu, kur kompania hyri në një sipërmarrje të përbashkët kineze për të prodhuar tuba me rreze katodike për televizorët e saj në Pekin, u ngritën vetulla.
Shumë shpejt, titanët e tjerë të elektronikës së konsumit, nga Japonia dhe gjetiu, po grumbulloheshin gjithashtu në Kinë, për të përfituar nga fuqia e saj punëtore e bollshme dhe e lirë.
Tre dekada e gjysmë më vonë, Kina është pika kyçe e industrisë multitriliona dollarëshe të elektronikës konsumatore.
Eksportet e saj të mallrave dhe komponentëve elektronikë, arritën në 1 trilion dollarë në vitin 2021, nga një total global prej 3.3 trilionë dollarësh. Këto ditë, një firmë duhet të jetë e guximshme për të shmangur Kinën.
E megjithatë, nën trysninë e rëndë tregtare dhe politike, kompanitë e huaja kanë filluar të marrin guximin, jo të largohen tërësisht nga Kina, por të paktën të shikojnë përtej saj. Puna kineze nuk është më aq e lirë: midis viteve 2013 dhe 2022, pagat e prodhimit u dyfishuan, duke arritur një mesatare prej 8,27 dollarësh në orë (shih grafikun).
Më e rëndësishmja, thellimi i shkëputjes kino-amerikane, po i detyron prodhuesit e produkteve të teknologjisë së lartë, veçanërisht ato që përfshijnë gjysmëpërçuesit e avancuar, që të rimendojnë varësinë nga Kina.
Midis viteve 2020 dhe 2022, numri i kompanive japoneze që operojnë në Kinë, ra nga rreth 13,600 në 12,700, sipas firmës kërkimore Teikoku Databank. Më 29 janar, u raportua se Sony planifikon të zhvendosë prodhimin e kamerave të shitura në Japoni dhe në Perëndim, nga Kina në Tajlandë.
Samsung, një firmë koreano-jugore, ka ulur fuqinë e saj punëtore kineze me më shumë se dy të tretat, që nga kulmi në vitin 2013. Dell, një prodhues amerikan i kompjuterëve, thuhet se synon të ndalojë përdorimin e çipave të prodhuar në Kinë, deri në vitin 2024.
Pyetja për Dell, Samsung, Sony dhe kolegët e tyre, është se ku duhet të prodhohen tani gjërat? Asnjë shtet i vetëm nuk ofron bazën e madhe prodhuese të Kinës. Megjithatë, të marra së bashku, një grumbull i ekonomive anembanë Azisë, paraqet një alternativë të jashtëzakonshme.
Shtrirja e tyre gjeografike ka formën e një gjysmëhëne, nga Hokkaido, në Japoninë Veriore, duke kaluar në Korenë e Jugut, Tajvanin, Filipinet, Indonezinë, Singaporin, Malajzinë, Tajlandën, Vietnamin, Kamboxhian dhe Bangladeshin, deri në Gujarat, në Indinë Veriperëndimore. Secili nga këto vende ka pika të forta të dallueshme, nga aftësitë e larta të Japonisë, deri te pagat e ulëta të Indisë.
Në teori, kjo është një mundësi për një ndarje të dobishme të punës, ku disa vende mund të prodhojnë komponentë të sofistikuar dhe të tjerë mund t’i bashkojnë ato në pajisje të gatshme. Nëse mund të funksionojë në praktikë, do të ishte një provë e madhe e rendit të ri gjeopolitik në lindje.
Ky zinxhir alternativ i furnizimit aziatik – le ta quajmë “Altazi” – duket i barabartë me Kinën në peshë, apo edhe më i mirë (shih hartën). Popullsia e tij kolektive në moshë pune prej 1.4 miliardë personash, tejkalon shifrën 950 milionë të Kinës. Altazia është shtëpia e 155 milionë njerëzve të moshës 25 deri në 54 vjeç me arsim të lartë, krahasuar me 145 milionë në Kinë, dhe ndryshe nga Kina e plakur, numri i të rinjve duket se po zgjerohet.
Në shumë pjesë të Altazisë, pagat janë më të ulëta se në Kinë: pagat për orë të prodhimit në Indi, Malajzi, Filipine, Tajlandë dhe Vietnam, janë nën 3 dollarë, rreth një e treta e asaj që kërkojnë tani punëtorët kinezë. Dhe rajoni është tashmë një fuqi eksportuese: anëtarët e tij shitën mallra me vlerë 634 miliardë dollarë në Amerikë në 12 muajt deri në shtator 2022, duke tejkaluar vlerën prej 614 miliardë dollarësh të Kinës.
Altazia gjithashtu është bërë më e integruar ekonomikisht. Të gjitha vendet, me përjashtim të Indisë, Bangladeshit dhe Tajvanit, kanë nënshkruar Partneritetin Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (i cili përfshin gjithashtu Kinën). Duke harmonizuar rregullat e origjinës në të gjitha marrëveshjet tregtare ekzistuese të rajonit, pakti ka krijuar një treg të vetëm të produkteve të ndërmjetme.
Kjo, nga ana tjetër, ka lehtësuar barrierat rregullatore për zinxhirët kompleksë të furnizimit që përshkojnë disa vende. Shumica e kombeve në “Altazi” janë anëtarë të Kornizës Ekonomike Indo-Paqësore, një nismë e re amerikane. Brunei, Japonia, Malajzia, Singapori dhe Vietnami, i përkasin Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (CPTPP), e cila përfshin gjithashtu Kanadanë, Kilin, Meksikën dhe Perunë.
Një model për ekonominë e “Altazisë” ekziston tashmë, falë kompanive japoneze, të cilat kanë ndërtuar zinxhirë furnizimi në Azinë Juglindore për dekada. Kohët e fundit, fqinji i pasur i Japonisë, Koreja e Jugut, ka ndjekur shembullin e saj.
Në vitin 2020, stoku total i investimeve të drejtpërdrejta të firmave koreano-jugore në Brunei, Kamboxhia, Indonezi, Laos, Malajzi, Filipine, Singapor, Tajlandë, Vietnam (të cilat së bashku me Mianmarin e paqëndrueshëm përbëjnë Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore, ASEAN) dhe Bangladesh, arriti në 96 miliardë dollarë, duke tejkaluar ngushtë investimet koreane në Kinë.
Një dekadë më parë, stoku i investimeve të kompanive koreane në Kinë, ishte gati dy herë më i madh se në Altazi. Samsung është investitori më i madh i huaj në Vietnam. Vitin e kaluar, Hyundai, prodhuesi i makinave koreano-jugor, hapi fabrikën e parë në Indonezi, një anëtare e organizatës ASEAN.
Të bashkuar nga një lidhje
Tani më shumë firma jashtë territorit të “Altazisë” e kanë shënjestruar rajonin, shpesh nëpërmjet prodhuesve të tyre me kontratë tajvaneze. Firmat Foxconn, Pegatron dhe Wistron të Tajvanit, të cilat ndërtojnë edhe pajisje për Apple, po investojnë shumë në fabrikat indiane.
Pjesa e iPhone-ve të prodhuar në Indi, pritet të rritet nga 1 në 20 vitin e kaluar, në ndoshta 1 në 4 deri në vitin 2025. Dy universitete tajvaneze janë lidhur me Tata-n, konglomerat indian me plane ambicioze në prodhimin e teknologjisë së lartë, për të ofruar kurse në elektronikë për punëtorët indianë. Google po zhvendos prodhimin e jashtëm të celularëve më të rinj smartphone, nga Kina në Vietnam.
Prodhimi më i sofistikuar, veçanërisht i gjysmëpërçuesve të ngarkuar gjeopolitikisht, po zhvendoset gjithashtu në Altazi. Malajzia tashmë eksporton rreth 10% të çipave në botë për nga vlera, më shumë se Amerika. Vendet aziatike përbëjnë më shumë se një të katërtën e eksporteve globale të qarqeve të integruara, duke tejkaluar lehtësisht shifrën 18% të Kinës.
Dhe kjo peshë po rritet. Qualcomm, një prodhues amerikan i çipave, i cili shet modele mikroprocesorësh për t’u prodhuar nga të tjerët, hapi qendrën e parë të kërkimit dhe zhvillimit në Vietnam, në vitin 2020. Të ardhurat e Qualcomm nga fabrikat vietnameze të çipave, shumë prej të cilave u përkasin gjigantëve globalë si Samsung, u trefishuan mes viteve 2020 dhe 2022.
Në fillim të këtij muaji, qeveria lokale e qytetit Ho Chi Minh, njoftoi se po priste një investim prej 3.3 miliardë dollarësh nga Intel (edhe pse më vonë e hoqi emrin e gjigantit amerikan të çipave nga deklarata në internet).
Përparësia e madhe e Kinës, historikisht ka qenë tregu i saj i madh, së bashku me infrastrukturën e mirë, ku mund të shtohej vlera pa qenë nevoja që furnizuesit, punëtorët dhe kapitali, të kalonin kufijtë kombëtarë. Prandaj, në mënyrë që Altazia të rivalizojë vërtet Kinën, zinxhiri i saj i furnizimit duhet të bëhet shumë më i integruar dhe efikas.
Edhe pse organizata RCEP (Partneriteti Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal), ka ndihmuar me tregtinë, fluksi i mallrave përballet me më shumë pengesa sesa brenda Kinës. Vendet anëtare të Altazisë, duhet të shfrytëzojnë avantazhin e tyre krahasues.
Për momentin, infrastruktura, që i lidh, është mjaft e dobët. Rregulloret e ngatërruara dhe ambiciet kombëtare, mund të gërryejnë lehtësisht zinxhirin alternativ të furnizimit. Vendet më të varfra të Altazisë, nuk e shohin me pëlqim ndarjen logjike të punës, sipas së cilës, ato do të luanin rol më të madh në pjesët më të ulëta të zinxhirit të furnizimit të elektronikës.
Dhe heqja dorë nga të gjitha pjesët e prodhuara në Kinë, është pothuajse e pamundur. Thamlev, një firmë amerikane startup e biçikletave elektrike, e zhvendosi prodhimin nga Kina në Malajzi në vitin 2022, për të shmangur një tarifë prej 25% nga shteti amerikan, por gjithsesi kishte nevojë të importonte komponentë kinezë.
Si rezultat, u desh një muaj më shumë që biçikletat e saj elektronike të mbërrinin tek shoferët amerikanë.
Perspektivat për integrim më të thellë janë të mjegullta, si brenda Altazisë dhe në lidhje me tregje të mëdha konsumi në botën e pasur. India, një shtet me 1.4 miliardë banorë, nga të cilët varet e ardhmja e rajonit të Altazisë, nuk duket se po nxiton që t’i bashkohet organizatës RCEPT.
Megjithëse India, së bashku me fqinjët e saj në Altazi, është përfshirë në kornizën Indo-Paqësore të Amerikës, ajo ka hequr dorë nga dispozitat tregtare të nismës. Kështu që përpjekjet mbeten të vakëta: Amerika ka nisur me prirjet e saj proteksioniste dhe nuk ka ofruar as ulje tarifash dhe as qasje më të mirë në tregun e vet të gjerë. Një politikëbërës i organizatës ASEAN, e krahason paktin me një pastë pa krem.
Rajoni Altazi me siguri që nuk do ta zëvendësojë Kinën së shpejti, e aq më pak në mënyrë të menjëhershme. Për shembull, në janar, Panasonic njoftoi zgjerimin e madh të operacioneve të tij kineze. Por me kalimin e kohës, Kina ka të ngjarë që të bëhet më pak tërheqëse për prodhuesit e huaj.
Puna kineze nuk po bëhet më e lirë dhe të diplomuarit e saj nuk janë më të shumtë. Amerika mund të mos e ketë kuptuar ende se ulja e varësisë nga Kina, në praktikë, kërkon lidhje më të ngushta me vendet mike, duke përfshirë anëtarësimin në organizatën CPTPP, paraardhësi i së cilës u shemb, pasi Amerika u tërhoq në vitin 2017. Dhe si një alternativë ndaj Kinës, Altazia është zgjedhja më e mirë.
Përktheu: Lira Muça
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.