Intervistë me Drejtorin Ekzekutiv të AlbChrome, z. Luan Saliaj
Si e mbyllët vitin 2015? Në planet tuaja, viti ishte ambicioz, por pati shumë probleme me uljen e çmimit të mineraleve në botë?
Viti që lamë pas mund të cilësohet i suksesshëm për AlbChrome. Objektivat e vëna u arritën më së miri, madje edhe u tejkaluan në disa aspekte. AlbChrome arriti të përmbushë objektivat e prodhimit të kromit, si dhe të shitjes së ferrokromit. Prodhimi i kromit gjatë 2015-s pati rritje me rreth 10% krahasuar me vitin 2014 apo një rritje me rreth 45% krahasuar me vitin 2013. Në të njëjtën kohë, prodhimi i ferrokromit pati një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2014 (rreth 30% më shumë). Në të njëjtën kohë, shitjet (eksportet) në sasi patën një rritje të konsiderueshme me rreth 30% krahasuar me vitin 2014 apo me rreth 70% krahasuar me vitin 2013.
Një risi tjetër në AlbChrome gjatë 2015-s është rritja e ndjeshme e cilësisë së ferrokromit. Në muajin gusht, Metalbulletin, revista lider për klasifikimin e metaleve, për herë të parë e radhiti AlbChrome në kategorinë e 5 prodhuesve të ferrokromit me cilësinë më të lartë në bote siç janë Vargon Alloy, Suedi dhe Kazkrom.
Përmendim edhe implementimin e ndryshimeve të planifikuara në ndryshim teknologjie (siç ishte implementimi i teknologjisë dopio-nivel në UFK Elbasan) si dhe vijimi i investimeve në projekte, të cilat sigurojnë një të ardhme të mirë. Hapja e thellësisë mbetet projekti më i rëndësishëm dhe gjatë 2015-s u arrit të përfundojë me sukses një pjesë e mirë e këtij projekti.
Po pritshmëritë tuaja për këtë vit cilat janë? Planet tuaja për investime e prodhim?
Me gjithë vështirësitë e mëdha të tregut të ferrokromit (bazuar në rënien e ekonomisë kineze dhe tregut të metaleve në përgjithësi), AlbChrome parashikon një rritje të shitjeve me 10% krahasuar me vitin 2015. Për sa i përket prodhimit të ferrokromit, pritet të ketë një rritje me 15%. Kjo në sajë të investimeve në rritjen e kapaciteteve në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan. Prodhimi i kromit pritet të rritet gjithashtu me 10% krahasuar me vitin 2015.
Pas një konsolidimi gjatë vitit të kaluar, 2016 pritet të jetë i suksesshëm në fushën e investimeve. Kështu, do të përfundojë projekti i hapjes së thellësisë, pusi numër 09. Një hap shumë i rëndësishëm në zgjatjen e jetës të minierës dhe në të njëjtën kohë në rritjen e prodhimit të kromit. Gjithashtu, në 2016-n pritet të fillojnë punimet në instalimin e një furre të re në Uzinën e Ferrokromit Burrel, çka do të rrisë ndjeshëm prodhimin e ferrokromit në këtë njësi prodhimi.
Cilat mbeten për ju sfidat e brendshme dhe të jashtme të sektorit?
Sfidë mbetet rënia e çmimit të ferrokromit, e cila pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2016. Faktorë të tjerë të jashtëm, të cilët kërkojnë vëmendje, mbeten luhatjet në furnizimin me energji elektrike dhe lëndë të parë në përpunimin e ferrokromit (koks apo kuarc).
Faktorë të brendshëm mbeten vështirësia për të gjetur staf teknik të kualifikuar në fushat art minerar por edhe në metalurgji, megjithëse AlbChrome prej 2 vitesh po investon edhe në këtë aspekt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.