Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, mori pjesë në workshopin e organizuar në Korçë në kuadër të procesit të optimizimit të ofertës për arsimin profesional.
Në takimet e përbashkëta morën pjesë drejtues të institucioneve qëndrore e atyre lokale, si edhe përfaqësues të bizneseve për të diskutuar mbi ecurinë e procesit në qarqet Durrës, Elbasan dhe Korçë.
Përgjatë workshopit, të ndërthurur edhe me vizita në terren në shkollat profesionale, u diskutuan dinamikat me të cilat po përballen ofruesit e optimizuar, nevojat për ndryshime në kuadrin ligjor, koordinimi për zbatimin e proceseve të sigurimit të cilësisë dhe dakordësimin e një plani pune me të gjithë aktorët e angazhuar në këtë proces.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive me mbështetjen e projektit Aftësi për Punë (S4J) realizoi gjurmimin në nivel kombëtar të të diplomuarve e certifikuarve në arsim dhe formim profesional.
Përmes gjurmimit u arrit të sigurohej vlerësimi i cilësisë së arsimit e formimit profesional duke mundësuar lidhjen e aftësive me kërkesat e tregut të punës.
Me anë të këtij procesi u arrit në konkluzionin se 6 në 10 nxënës të arsimit profesional punësohen para diplomimit.
Në 34 shkollat profesionale në të gjithë vendin janë përfshirë 22 drejtime mësimore, 87 profile profesionale kryesisht në hoteleri-turizëm, shkenca kompjuterike, shkenca mekanike, tekstile, etj.
Programi “Zhvillimi i Aftësive për Punësim”, financuar nga SDC dhe zbatuar nga UNDP ka asistuar me mbështetje gjatë gjithë këtij procesi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.