Ndryshimet që po ndodhin në Rajonin e Ballkanit, janë (thuajse) po aq të paparashikueshme sa edhe saga e Brexit. Pak javë më parë, perspektivat e rajonit dukeshin shumë të zymta dhe pak besonin se situata mund të ndryshohej brenda një periudhe të shkurtër, shkruan Zoran Radosavljevic për EURACTIV.com
Bisedimet e anëtarësimit në BE për Malin e Zi dhe Serbinë, kanë mbetur në vend për gati një vit, me kapitujt e fundit të negociatave të hapura në dhjetor 2018.
Udhëheqësit e BE-së nuk ranë dakord në samitin e tetorit që të hapnin bisedimet e pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por, vetëm disa ditë më parë, gjërat duket sikur morën një tjetër rrjedhë. Tre shtete, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, ranë dakord për krijimin e një mini-Schengen, ku do të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Edhe Bosnjë-Hercegovina, një nga vendet me performancën më të keqe në rajon, njoftoi javën e kaluar se kishte dëshirë të bëhej pjesë e këtij grupimi të ri.
Kjo do të krijonte një treg të përbashkët me më shumë se 15 milionë njerëz dhe nisma në fjalë, vështirë se mund të injorohet nga BE-ja.
“Çdo gjë që do të ndikojë në stabilizimin e rajonit dhe do të thellojë më tej bashkëpunimin, do të marrë mbështetje nga qeveria ime dhe nga BE-ja”, u shpreh një diplomat i BE-së, shteti i të cilit po tregohet shumë i kujdesshëm në drejtim të çështjes së zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.
Serbia, ajo që edhe duket se ka mundësitë më të mëdha ndër gjashtë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, po përgatitet të nënshkruajë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia.
Por, në të njëjtën kohë, ajo po përpiqet të tërheqë edhe një investim prej 1.4 miliardë eurosh nga Volkswagen. Sa i përket z. Zaev, ajo që dukej si një protestë e dëshpëruar dhe emocionale e një njeriu të braktisur nga BE-ja, mund të ketë qenë krejt e kundërta, një manipulim i llogaritur mjaft mirë, madje që kohë më parë. Ja pse mendohet një gjë e tillë. Maqedonia e Veriut është e sigurt se do të anëtarësohet në NATO në dhjetor ose janar. Kjo aleancë tashmë e ka siguruar publikisht këtë shtet, në drejtim të anëtarësimit të saj. Pra, një me zero për z. Zaev.
Franca, kundërshtari më i fortë i zgjerimit të BE-së, do të zhvillojë zgjedhjet bashkiake më 15 mars. Pas kësaj date, Emmanuel Macron do të jetë
lehtësisht më i lëkundshëm dhe mund të ndryshojë qëndrim sa i përket rezistencës së tij të ashpër ndaj “zgjerimit të shpejtë të BE-së”.
Këshilli Europian do të mblidhet në 26 – 27 mars dhe zgjerimi do të jetë përsëri në rendin e ditës, përpara zhvillimit të një samiti të madh BE-Ballkan Perëndimor, i planifikuar të mbahet në Zagreb në maj. Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor më në fund po rrisin bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe po përgatiten për krijimin e një tregu të përbashkët.
“Duke marrë në konsideratë gjasat se situata politike në Maqedoninë e Veriut mund të përkeqësohet, Këshilli Europian nuk duhet të presë deri në maj të vitit 2020 për t’i dhënë këtij shteti një mundësi tjetër për hapjen e bisedimeve të pranimit”, u shpreh gjatë seancës së fundit parlamentare të Parlamentit Europian, Tineke Strik, deputetja e Partisë së Gjelbër dhe një raportuese në hije e Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, Lonely Planet sapo e ka cilësuar Maqedoninë e Veriut si “një ndër perlat më pak të njohura” dhe si vendin e tretë më të mirë për t’u vizituar në vitin 2020. Sa u takon pesë vendeve të tjera, Samiti i Zagrebit duhet të rrisë më tej mundësitë e tyre drejt BE-së, ose të paktën t’u japë atyre një perspektivë më të qartë.
Por, kjo nuk do të thotë se situata nuk mund të përkeqësohet sërish në Rajonin e Ballkanit dhe të marrë një drejtim tjetër. Pjesëmarrja e Kosovës, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh, në “mini-Schengen” mund të shkatërrojë të gjithë këtë proces. Ose ndoshta jo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.