Optimizmi fals i buxhetit 2020 dhe gropat e zeza në sfond

16/11/2019 10:08 PM 0 komente

Qeveria ka rritur dozat e optimizmit në buxhetin 2020, duke u përpjekur të shmangë rreziqet reale me të cilat arka e shtetit po përballet, duke fshehur 64 miliardë lekë detyrime. Argumentet për të rritur të ardhurat me 6 %, për të ulur borxhin në 62 % dhe deficitin në 1,6 % të PBB-së janë të diskutueshme. Në buxhetin 2020 ulen stimujt fiskalë që nxisin konsumin dhe prodhimin, kurse pagat nuk do të indeksohen dhe investimet publike vijnë me ulje. Përfitimet përqendrohen te bizneset e koncesioneve dhe shpenzimet e emergjencës, si paga, pensione dhe interesa për borxhin.

 

Në vitin 2020, ekonomia e vendit do të zgjerohet me 4.1 % sipas parashikimeve të qeverisë, që do të thotë se shtesa e prodhimit të brendshëm do të jetë 88 miliardë lekë, ose rreth 720 milionë euro. Qeveria synon që, në buxhetin 2020, të taksojë 31 % të kësaj shtese që prodhon relativisht 28 miliardë lekë.

Ministria e Financave thotë se rritja ekonomike, në 2.5 % të saj do të krijohet nga rritja e konsumit dhe pjesa tjetër, për 1.5 %, nga investimet në ekonomi. Në dy vitet e kaluara, konsumi nuk ka kontribuar më shumë 2 % në rritjen ekonomike, edhe pse stimujt fiskalë kanë qenë më të fortë. Konsumi privat nuk do të ketë nxitje fiskale vitin që vjen, ndërsa pagat, pensionet dhe investimet publike në terma realë janë parashikuar me rënie, pasi nuk janë parashikuar fonde buxhetore në dispozicion për rritjen e tyre. Nga ana tjetër, rritja e investimeve të diskutueshme, duke qenë se gjatë viteve të shkuara, projekti TAP dhe HEC-et mbi lumin Devoll kanë prodhuar gati gjysmën (2.5 %) të rritjes ekonomike.

Burimet e rritjes ekonomike, mbi të cilat qeveria ka projektuar buxhetin 2020, nuk janë shumë të sigurta. Duke mos i parashikuar qartë këto burime që gjenerojnë të ardhurat, qeveria prej vitesh harton një buxhet më optimist se zhvillimet reale. Kjo praktikë është bërë shkak për krijimin e detyrimeve të prapambetura, pasi qeveria kontrakton mallra dhe shërbime me planin e fillimit të cilin nuk e arrin ta realizojë.

 

 

Dështimi me parashikimet

Në fillim të këtij viti, qeveria nëpërmjet buxhetit 2019, mori angazhimin të grumbullonte 486,6 miliardë lekë të ardhura. Zhvillimet fiskale të këtij viti po tregojnë se nuk do të arkëtohen 13 miliardë lekë më pak. Gjatë vitit 2018, qeveria kishte parashikuar të grumbullonte 464 miliardë, kur në fakt mblodhi 14 miliardë lekë poshtë parashikimit fillestar. Në vitin 2017, qeveria gjithashtu mblodhi 6 miliardë lekë më pak se planifikoi.

E njëjta histori rrezikon të përsëritet edhe vitin e ardhshëm, madje me një diferencë më të madhe, pasi Ministria e Financave në projektbuxhetin 2020, ka programuar të ardhura në nivelin e 502 miliardë lekëve, të cilat janë 16 miliardë lekë më të larta se buxheti fillestar i këtij viti dhe 28 miliardë lekë më të larta se realizimi faktik që pret Ministria e Financave në fundvit.

Duke pretenduar se po ju ofron qytetarëve buxhetin më të madh në histori, qeveria e Shqipërisë ka rrezikuar edhe këtë herë duke treguar optimizëm të tepruar për vitin 2020, larg mundësive që po ofron ekonomia dhe, për më tepër, duke injoruar zhvillimet e viteve e fundit, ku të dhënat faktike sistematikisht kanë rezultuar poshtë parashikimeve të qeverisë. Por sërish si një nxënës i dobët dhe arrogant, qeveria po mundohet të lustrojë shifrat e buxhetit, duke tentuar që nëpërmjet tyre të fshehë borxhet reale në ekonomi, paaftësinë për të vënë fre mbi evazionin fiskal aty ku vërtet duhet, teksa po serviren si investime koncesionet abuzive që po vijnë vit pas viti me fatura të fryra, si gropa të zeza që nuk u dihet fundi.

 

 

Në hijen e premtimeve, që vështirë të realizohen edhe shifrat e servirura sikur të jenë të realizueshme, tregohet mungesa e produktivitetit të qeverisë. Edhe pse nga viti në vit, buxheti në vlera neto vjen në rritje, qytetarët po përjashtohen nga përfitimet, teksa është kufizuar dukshëm numri i bizneseve që përfitojnë nga rishpërndarja e taksave si investime publike.

Dy zërat më sensitivë në buxhet, pagat dhe investimet kapitale, që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët, përkeqësohen më tej gjatë vitit 2020. Fondi për rritjen e pagave në sektorin publik është programuar me zero. Gjatë vitit që vjen, pagat reale në sektorin publik rrezikojnë të ulen, pasi ato janë përjashtuar edhe nga indeksimi me inflacionin, ndërsa të ardhurat për rreth 650 mijë pensionistë do të rriten më pak se 2 %, edhe pse vendi ynë ofron nivelet më të ulëta të pagave dhe pensioneve në Europë dhe rajon. Investimet kapitale janë parashikuar së paku 3 % më të ulëta ose 30 milionë euro më pak se plani i këtij viti, duke lajmëruar më pak rrugë, shkolla dhe spitale në shërbim të komunitetit.

Sipas tabelave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat buxhetore pritet me një rritje modeste prej 3.2 % në krahasim me buxhetin 2019. Por, në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto, që e zhvesh treguesin nga efekti i rritjes ekonomike dhe inflacionit, të ardhurat buxhetore pritet që të jenë në rënie, nga 28.5 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në 2019-n, në 28 % të PBB-së në vitin 2020. Kjo është hera e parë që ky tregues vjen në rënie në raport me PBB-në, që nga viti 2013.

Në fund të vitit 2020, borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2 % të PBB, por ndërkohë 64 miliardë detyrime të fshehura të kontabilzuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si borxh i padeklaruar e bëjnë fiktiv objektivin e qeverisë. Kredibiliteti i qeverisë për raportimin e saktë të borxhit publik është cenuar rëndë nga detyrimet e fshehura.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportet e veta zyrtare, nuk e njeh treguesin zyrtar të borxhit publik që raporton qeveria shqiptare.
Në rishikimin e fundit të perspektivës ekonomike globale, FMN raportoi se borxhi i Shqipërisë në vitin 2018 arriti në 69.9 %. Kjo shifër ishte 2.8 pikë përqindje më e lartë se rezultati i qeverisë shqiptare, që e raportoi këtë tregues 67.1 % për vitin 2018. FMN dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë përfshirë në llogaritë e borxhit publik edhe detyrimet e prapambetura, të cilat aktualisht janë të përjashtuara nga raportimet e qeverisë. Për gati tre vite radhazi, si FMN, ashtu edhe qeveria, kanë dhënë shifra të ndryshme për borxhin.

 

Shifrat

Si një nxënës i dobët dhe arrogant, qeveria po mundohet të lustrojë shifrat e buxhetit, duke tentuar që nëpërmjet tyre të fshehë borxhet reale në ekonomi, paaftësinë për të vënë fre mbi evazionin fiskal aty ku vërtet duhet, teksa po serviren si investime koncesionet abuzive që po vijnë vit pas viti me fatura të fryra, si gropa të zeza që nuk u dihet fundi.

 

Pak shanse për 220 milionë euro më shumë

Duke marrë në konsideratë zhvillimet reale në buxhetin e këtij viti, qeveria pret të arkëtojë vitin që vjen rreth 28 miliardë lekë më shumë, nga të cilat mbi 20 miliardë lekë janë të ardhura tatimore. Kjo shtesë të ardhurash është më e larta që nga viti 2014, kur qeveria “Rama” që erdhi në pushtet me rrotacionin politik të vitit 2013, grumbulloi në vitin e parë të qeverisjes rreth 40 miliardë lekë më shumë.

Shtesa e të ardhurave me 2020 është programuar të jetë 6 % më e lartë se fakti i këtij viti dhe 3,3 % më e lartë se programi i 2019. Dy vitet e fundit, të ardhurat faktike janë rritur 4.5 % në vitin 2018 në raport me 2017-n dhe këtë vit pritet të rriten me 5.3 % në raport me faktin e vitit 2018. Por po të krahasojmë realizimin e të ardhurave në raport me programet fillestare të një viti më parë, janë shumë të ulëta, poshtë nivelit 3 %. Ambicia për të rritur me 6 % të ardhurat gjatë vitit që vjen duket e vështirë, teksa burimet që gjenerojnë këtë rritje nuk janë shumë të sigurta.

Mbyllja e lojërave të fatit, përfundimi i projekteve të mëdha të energjisë dhe mungesa e kontratave të reja për investime të huaja dhe konsumi i dobët e bën të vështirë nismën e qeverisë për të zgjeruar buxhetin me ritmet më të larta të 6 viteve të fundit.
Ministria e Financave ka përllogaritur treguesit buxhetorë të vitit 2020, mbi një rritje ekonomike 4.1 %. Të ardhurat shtesë që do të grumbullohen nuk parashikojnë të taksojnë rritjen, por marrin në konsideratë reformat e fiskalizimit, rritjen eksporteve dhe luftën ndaj informalitetit në sektorin e pagave.

 

 

11,4 miliardë lekë më shumë TVSH prej fiskalizimit

Gati gjysma e shtesës së të ardhurave tatimore, rreth 11.4 miliardë, sipas Ministrisë Financave do të jenë nga arkëtimet e TVSH-së. Gjithsej, nga ky tatim do të grumbullohen 151 miliardë lekë, me një rritje me 8 % në raport me faktin e këtij viti.

Sipas qeverisë, këto të ardhura shtesë do të nxiten nga aplikimi i projektit të fiskalizimit, i cili ka pak gjasë të implementohet vitin tjetër. Më herët, Ministria e Financave ka konfirmuar se procesi i fiskalizimit do të shtyhet për në mars të vitit 2020, por edhe ky afat, sipas ekspertëve është vështirë të realizohet.

Këtë vit, arkëtimet nga TVSH krijuan një gropë të madhe në buxhet, pasi të ardhurat nga ky tatim, jo vetëm që nuk u realizuan sipas programit me 10 miliardë lekë deri në shtator, por shënuan rënie me 4.6 miliardë lekë në raport me faktin e vitit 2019. Angazhimi për rritjen e të ardhurave nga ky tatim me 8 %, kur qeveria ka vendosur të shtyjë procesin e fiskalizimit duket një mision i vështirë. Nga ana tjetër, gjasat për rritjen e konsumit janë të zbehta pasi, nuk parashikohet rritje e pagave dhe pensioneve dhe, nga ana tjetër, vendi është ende në presionin e lartë të emigrimit, i cili vitet e fundit ka dhënë efekte të konsiderueshme në qarkullimin e brendshëm.

Të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme këtë vit rezultuan gjatë 9-mujorit 6 miliardë lekë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2018, edhe pse vendin e vizituan rreth 5.4 milionë turistë. Ministria e Financave pohon se, përveç fiskalizimit, burimet e rritjes së të ardhurave nga TVSH-ja do të gjenerohen si rezultat i rritjes ekonomike dhe të çmimeve, si dhe nga rritja e volumit të importeve dhe koniunktura e çmimeve ndërkombëtare.

 

2,5 miliardë lekë shtesë për akcizën

Bizneset që tregtojnë mallra të akcizës do të paguajnë 2.8 miliardë lekë më shumë ndaj buxhetit të shtetit vitin që vjen. Kjo rritje prej 25 milionë eurosh, sipas Ministrisë së Financave, do të vijnë nga rritja e importeve të mallrave të akcizës. Sipas qeverisë, të ardhurat nga “Akciza” programohen 50.5 miliardë lekë, me rritje +2.8 miliardë lekë ose 5.9 % më shumë se pritshmëria e vitit 2019. Faktorët kryesorë që do ndikojnë në rritjen e parashikuar të të ardhurave nga akciza janë programimi i rritjes së planifikuar të akcizës për cigaret me efekt 0.75 miliardë lekë, rritja me 4 % e importit/prodhimit të karburanteve dhe produkteve të tjera me akcizë si birra, vera etj., rritja e të ardhurave nga akciza e duhanit dhe zëvendësuesve të tjerë dhe lufta kundër informalitetit.

 

Shuhet efekti dividentit, por gropa 11 mld lekë do të mbulohet nga taksimi i pagave

Prej një mase fiskale që mori qeveria vitin e kaluar, duke ulur tatimin e dividentit nga 15 % në 8 %, gjatë 9-mujorit buxheti i shtetit arkëtoi 9,3 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Bizneset, të cilat nuk kishin shpërndarë dividentin para vitit 2017, nxituan ta paguajnë sipas afatit ligjor deri më 30 shtator, për të përfituar nga ulja 8 %. Arkëtimet nga dividenti mbuluan hendekun e madh që krijoi rënia e të ardhurave nga TVSH-ja, duke shmangur një kolaps fiskal. Të ardhurat nga tatimi i dividentit që raportohen në zërin e të ardhurave personale. Grumbullimet nga ky tatimet pritet të arrijnë në nivelin e 47 miliardë lekëve, në nivele të njëjta me realizimin e pritshëm të vitit 2019. Në vite të zakonshme, të ardhurat nga TAP nuk janë rreth 30 miliardë lekë.

Ministria e Financave ka programuar që të ardhurat e munguara nga dividenti do të zëvendësohen duke ushtruar presion në sektorin e pagave. Drejtoria e Tatimeve, duke nisur nga ky vit, por edhe vitin e ardhshëm do të ushtrojë presion më shumë në sektorin privat, për të deklaruar pagat reale. Kjo fushatë ka nisur tani me profesionet e lira. Ndërsa rritja e mëtejshme punësimit do të çojë më shumë të ardhura në buxhet dhe në anën e sigurimeve shoqërore.

 

Taksat nacionale dhe doganat 3.5 miliardë shtesë

Rreth 30 milionë euro të ardhura më tepër do të arkëtohen nga taksat nacionale dhe të ardhurat doganore. Të ardhurat nga “Taksa Nacionale dhe të tjera” vlerësohen të jenë 39.5 miliardë lekë. Parashikimet për këtë taksë për vitin 2020 janë +8.5 %, ose 3.1 miliardë lekë më shumë se i pritshmi 2019. Të ardhurat nga “Taksa Doganore” në vitin 2020 vlerësohet të jenë 7 miliardë lekë, me rritje 396 milionë lekë ose 6 % krahasuar me vitin 2019. Në programimin e të ardhurave janë marrë në konsideratë efektet e rritjes së importeve të tatueshme.

 

Të ardhurat nga sigurimit, 4.7 miliardë lekë më shumë

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë zëri buxhetor që ka performuar më mirë gjatë viteve të fundit, nxitur nga rritja e numrit të personave të punësuar. Të ardhurat nga “Kontributet për Sigurime Shoqërore e Shëndetësore”, në vitin 2020, parashikohet të rriten me +4,8 %, ose +4,7 miliardë lekë krahasuar me të pritshmin e vitit 2019. Të ardhurat nga kontributet parashikohet të jenë 103 miliardë lekë, nga 98.3 miliardë lekë që parashikohet të arkëtohen në vitin 2019. Ministria e Financave pohon se, edhe për vitin që vjen, rritja e të ardhurave mbështetet në forcimin e administrimit nëpërmjet kontrollit të nivelit të pagës të deklaruar dhe deviacionit të saj nga paga reale që përfitohet.

 

 

Shpenzime anemike, frenohen injektimet nga pagat dhe investimet

Duke synuar të ulë më tej deficitin buxhetor në 1.6 % të PBB-së më 2020, shpenzimet nga buxheti i vitit 2020 pritet të rriten me ritme më të ulëta se të ardhurat. Totali i shpenzimeve publike për vitin 2020 është planifikuar 531.97 miliardë lekë, ose 29.6 % e PBB, me një rritje 2.3 në raport me programin fillestar të vitit 2019, por krahasuar me faktin e pritshëm të këtij viti, rritja do të jetë edhe më e lartë. Edhe pse në vlera neto, arka e shtetit ka vlerën më të lartë historike, ekonomia do të ketë më pak injektime nga fondet publike.

Nuk parashikohet rritje pagash dhe investimet publike do të vijnë në ulje. Vitin që vjen, investimet publike do të jenë rreh 83 miliardë lekë se programi i këtij viti, ose rreth 30 milionë euro më pak. Ish-zv. ministri i Financave, Sherefedin Shehu, para vitit 2013 ka pohuar se buxheti i shtetit ka dy mjete për të rritur qarkullimin në ekonomi. Rritja e pagave dhe rritja e investimeve publike janë dy burimet kryesore buxhetore që e nxisin rritjen ekonomike. Buxheti është nën presion të lartë për shërbimin e borxhit dhe pagesat e koncesioneve, duke shteruar kështu burimet që shkojnë për qytetarët, biznesin dhe ekonominë.

Qeveria tha se në planifikimin e investimeve për vitin 2020 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu si në vitin 2019, edhe në vitin 2020 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Shpenzimet publike janë të orientuara kryesisht për ndërtimin e disa qendrave të reja shëndetësore, ujësjellësve dhe në aksin rrugor Kardhiq – Delvinë.

 

Shpenzimet, nën presion borxhi i lartë dhe koncesionet

Gjatë vitit që vjen, pagesat për shërbimin e borxhit arrijnë 41 miliardë lekë. Nga një rënie sistematike vitet e fundit për shkak të interesave më të ulëta në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shpenzimet për pagesat e borxhit kanë nisur të rriten dy vitet e fundit për shkak të rritjes dhe madhësisë së principalit dhe interesave më të larta të borxhit. Gjatë 9-mujorit të vitit 2019, shpenzimet për shërbimin e borxhit arritën në 25.3 miliardë lekë, ose 8.8 % më të larta se të një viti më parë. Teksa borxhi në raport me PBB pritet të arrijë në 62 % të PBB me gati 2 % ulje në raport me pritshmërinë e këtij viti, të ardhurat buxhetore nuk po rriten, përkundrazi vitin tjetër ato parashikohen me ulje në raport me prodhimin e shtuar.

Për pasojë, një vlerë neto më e madhe e borxhit kërkon më shumë mjete monetare për t’u shlyer nga buxheti. Përveç borxhit, kontratat koncesionare po rrisin nga viti në vit presionin në shpenzimet buxhetore, për shkak se edhe kontratat e mbyllura po marrin financime shtesë vit pas viti, duke e lënë të hapur shtegun e kostove. Rasti më flagrant është Rruga e Arbrit, ku kontrata me kompanitë parashikonte financime 33 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e vitit 2020, financimet për këtë kontratë janë parashikuar në 58 miliardë lekë.

Qytetarët shqiptarë do të paguajnë, nëpërmjet taksave të tyre në buxhetin 2020, mbi 14.6 miliardë lekë (rreth 120 milionë euro) si pagesa për 14 kontratat koncesionare me PPP. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave kjo shumë është 15.8 % më e lartë se pritshmëria e këtij viti.

Pagesat më të larta do të bëhen ndaj kontratës PPP për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, ku në vitin 2020 qeveria do të paguajë 3.9 miliardë lekë, ose rreth 50 % më të lartë se të këtij viti. Koncesioni i dytë me pagesën më të madhe për vitin që vjen është ai i sterilizimit në sallat e operacionit, ku janë programuar të paguhen rreth 1.6 miliardë lekë, një shumë e njëjtë si këtë vit. Por sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, pagesat ndaj kësaj kontrate vitin e kaluar ishin mbi 2 miliardë lekë, për shkak se janë bërë operacione më shumë se parashikimi. Koncesioni i tretë më i madh që merr pagesat nga buxheti i shtetit, është shërbimi i skanimit në dogana, me rreth 1,5 miliardë lekë, i nënshkruar nga qeveria “Berisha” që në vitin 2013.

 

Transfertat për pushtetin lokal rriten

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2020, janë parashikuar në masën 57.128 miliardë lekë, me një rritje prej 6.2 % më shumë se në vitin 2019. Këto shpenzime për vitin 2020, zënë 3.2 % të PBB-së nga 2.3 % në vitin 2013. Burimi kryesor i rritjes së shpenzimeve vendore për vitin 2020 vjen kryesisht nga rritja e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, si dhe nga rritja e transfertës së pakushtëzuar të përgjithshme. Transferta e pakushtëzuar e përgjithshme e buxhetit të shtetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jetë 1 % e PBB-së, ose 400 milionë lekë më e madhe se sa ajo e vitit 2019 dhe rreth 46 % më e lartë se transferta e vitit 2015.

 

Pensionet, shpenzimet 7,6 miliardë lekë më shumë

Shpenzimet e fondeve speciale, që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 188.58 miliardë lekësh. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2020, parashikohet në masën 137.5 miliardë lekë ose 7.6 % e PBB, ose rreth 7.6 miliardë lekë më shumë se këtë vit. Nga ky fond, për rritjen e pensioneve është parashikuar niveli 2.52 miliardë lekë. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2020 janë parashikuar në masën 44.1 miliardë lekë, ose 2.5 % e PBB nga 42.9 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2019.

Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve, parashikohen në total në masën 4.5 miliardë lekë, ose 0.3 % e PBB, me një ulje 500 milionë lekë në raport me programin e vitit 2019. Shpenzime të tjera sociale, përfshijnë fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve. Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 600 milionë lekë, ose 60 milionë lekë më shumë se programi i 2019. Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 21 miliardë lekë me një rritje 1.2 % në raport me 2019. Për ish të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh, ose 16 % më i ulët se i këtij viti. Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekësh, ose 11 % më i lartë se programi i 2019.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.49 miliardë lekë, duke qëndruar në mënyrë konstante krahasuar edhe me një vit më parë. Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore, veprimtarinë e shërbimeve qeveritare dhe nxitjen e punësimit.
Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2020 planifikohet në masën 1.7 miliardë lekë, ku 1.5 miliardë lekë janë fond Rezervë i Këshillit të Ministrave dhe të tjerat fond kontigjence për mbështetjen e nevojshme të Reformës në Drejtësi.

 

Borxhi, objektivi 62 %, lë jashtë detyrimet e prapambetura 64 mld lekë

Në fund të muajit shtator 2019, borxhi i qeverisjes qendrore u vlerësua në nivelin 1,109.9 miliardë lekë, ose 63.3 % e PBB. Në terma nominalë, stoku i borxhit të qeverisjes qendrore është rritur me rreth 3.3 miliardë Lekë, nga të cilat 9.6 miliardë lekë i korrespondojnë rritjes së borxhit të brendshëm dhe -6.2 miliardë lekë borxhit të jashtëm.

Për vitin që vjen, qeveria synon ta çojë treguesin në 62 %, por në këtë shumë nuk janë të përfshira detyrimet e prapambetura që, sipas një raportoi të detajuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit në fund të vitit 2018 ishin 64 miliardë lekë. Kjo shumë është sa 4 % e PBB-së dhe nuk raportohet në shifrën zyrtare të qeverisë. Duke marrë në konsideratë këto detyrime të cilat FMN i përfshin në llogaritjen e borxhit ku raporton për Shqipërinë, detyrimet publike arrijnë jo më pak se 66 % e PBB-së.

Shpenzimet për interesa gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2019 janë vlerësuar në 25.4 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, në përputhje me parashikimet për buxhetin e vitit 2019, shpenzimet për interesa të borxhit shtetëror janë rritur me 2.1 miliardë lekë. Rritja e shpenzimeve për interesa i atribuohet kryesisht rritjes së stokut të borxhit në vlerë nominale.
Nga ana tjetër, kostot për njësi të borxhit kanë pësuar rënie krahasuar me fundin e vitit 2018, kryesisht për shkak të nivelit ende të ulët të normave të interesit, të cilat kanë mundësuar rifinancimin e titujve afatgjatë që maturohen me tituj me norma interesi më të favorshme. Ulja e kostos për njësi të borxhit të brendshëm, ndërkohë që maturiteti i borxhit vazhdon të rritet, reflekton përmirësimin e raportit ndërmjet kostos dhe riskut.

Referuar parashikimeve të rritjes ekonomike, si dhe deficitit buxhetor të planifikuar, niveli i borxhit publik në raport me PBB parashikohet të ulet me rreth 1.5 pp gjatë vitit 2020, duke qenë në përputhje me objektivat për konsolidimin e financave publike. Nga pikëpamja e kompozimit të borxhit, pritet të ketë një rritje në favor të borxhit të denominuar në valutë të huaj dhe atij afatgjatë në portofolin e borxhit të brendshëm.
Huamarrja e brendshme pritet të realizohet nëpërmjet titujve shtetërorë, në përputhje me kapacitet e kërkesës në tregun e brendshëm.
Huamarrja e huaj do të realizohet nëpërmjet disbursimit të huave që financojnë ecurinë e zbatimit të projekteve prioritare të qeverisë. Gjithashtu, nisur nga kushtet ende të favorshme të tregjeve ndërkombëtare të kapitalit, si dhe nevojat për të shërbyer detyrimet e borxhit në valutë, vitin e ardhshëm do të synohet të shfrytëzohet instrumenti i Eurobond-it.

Duke marrë në konsideratë vijimin e politikave monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, normat e interesit të titujve shtetërorë në tregun e brendshëm pritet të jenë të qëndrueshme dhe në nivele të krahasueshme me normat aktuale.
Për sa i përket tendencës së normave të interesit në tregjet e huaja, bazuar në deklaratat dhe vendimet e fundit të Rezervës Federale dhe BQE, këto institucione do të vijojnë ndjekjen e politikave monetare lehtësuese, duke bërë që edhe normat e interesit në këto tregje të qëndrojnë në nivele të ulëta edhe gjatë vitit 2020.

Në këto kushte, kostot për njësi të borxhit të brendshëm dhe atij të huaj pritet të qëndrojnë pothuajse në nivele të krahasueshme me ato të vitit 2019. Për sa u përket shpenzimeve për interesa të borxhit, gjatë vitit 2020 parashikohet një rritje e moderuar e tyre, kryesisht për shkak të rritjes së stokut të borxhit në vlerë nominale.

 

Deficiti ulet në 1.6 %

Deficiti buxhetor për vitin 2020 planifikohet të jetë në nivelin 1.6 % të PBB. Ky përbën nivelin më të ulët të targetuar në dy dekadat e fundit. Për të pestin vit radhazi, balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0.7 %, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse për të pestin vit radhazi. Rrjedhimisht targetohet që niveli i “borxhit publik neto nga asetet likuide në TSA” do të ulet me rreth 1.5 pikë përqindje në 62.2 % të PBB dhe do të vijojë këtë trend rënës në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Financimi i deficitit do të realizohet nëpërmjet burimeve huamarrjes së brendshme në rreth 1.3 % të PBB, huamarrjes së huaj në rreth 0.8 % të PBB, ku parashikohet edhe emetimi i një eurobondi tjetër. Ndërkohë parashikohet të ketë një akumulim shtesë të gjendjes së depozitës në TSA në vitin 2020, prej rreth 0.4 % e PBB.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of