Teksa ekonomia globale bie në mënyrë dramatike, qeveritë kudo në botë po japin me miliona çeqe për familjet dhe kompanitë, për t’i ndihmuar t’u mbijetojnë mbylljeve dhe karantinave. Në kahun tjetër, financat publike po bien në nivele të jashtëzakonshme, mes reduktimit të aktivitetit të fabrikave, mbylljes së dyqaneve e zyrave. Sa më shumë zgjat kjo situatë, aq më shumë shterojnë mundësitë për të mbledhur para nga taksat.
Mes rënies së të ardhurave, si rrjedhojë e mbylljes së ekonomisë nga koronavirusi dhe nevojës për stimuj, për të nxitur konsumin dhe për të mbështetur punonjësit dhe bizneset në vështirësi, shumë qeveri i janë drejtuar alternativës së huamarrjes. Borxhi publik, një nga çështjet që ndjell më shumë frikë në ekonomi, pritet të rritet me nivele të shpejta, duke paralajmëruar Armagedonin e afërt fiskal. Megjithëse tani për tani, shpenzimet në masë janë rruga e vetme për të shmangur një rënie edhe më të thellë ekonomike, huazimi i pamatur për vite me radhë do të rrezikonte telashe të tjera.
Në të njëjtën linjë po ecën edhe Shqipëria. Karantina e pjesës më të madhe të ekonomisë la më shumë se 70 mijë të papunë nga biznesi i madh në prill e gjysmën e parë të majit (gjysma e tyre janë rikuperuar tani), ndërsa pjesa më e madhe e biznesit të vogël po ashtu u përball me mbyllje të detyruar ose të imponuar nga situata. Eksportet ranë me 44% në prill dhe 28% në mars, me bazë vjetore. Qeveria u detyrua të ndërmerrte paketa nxitëse direkte, në një shumë prej rreth 110 milionë eurosh, që shënjestronin rreth 250 mijë persona (190 mijë nga paketa e dytë, me një pagesë prej 40 mijë lekësh një herë dhe 63 mijë nga paketa e parë, me 26 mijë lekë për tre muaj radhazi). Ndihma ekonomike dhe pagesat e papunësisë u rritën gjithashtu.
Sëmundja infektoi me shpejtësi ekonominë. Ecuria e të ardhurave buxhetore për prillin dhe majin tregoi se efektet në buxhet do të jenë të mëdha. Vetëm për dy muaj, buxhetit i mungojnë 220 milionë euro, ndërsa për gjithë vitin, pritshmëritë janë që paratë, të cilat mblidhen nga taksat, të bien me 15%, që minimalisht do të thotë një humbje prej 560 milionë eurosh të ardhurash.
Në kushtet kur shpenzimet duhet të vazhdojnë, edhe si një mjet për të kuruar ekonominë e sëmurë, rritja e borxhit është një e keqe e domosdoshme. Pas marrjes së eurobondit prej 650 milionë euro (që fatmirësisht ishte me një kosto të ulët, pasi Shqipëria hyri në momentin e duhur në tregjet ndërkombëtare), borxhi pritet të kalojë nivelet e 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke hyrë në një territor të pashkelur më parë.
Për një vend të zhvilluar, një borxh prej 80% ndaj PBB-së nuk konsiderohet i rrezikshëm. Për shtetet në zhvillim rekomandohet që ky nivel të mos i kalojë 50-60% të PBB-së. Fatkeqësisht, kriza e gjeti Shqipërinë në një moment të pafavorshëm të saj, ku borxhi (përjashtuar detyrimet e fshehura) ishte rreth 70% e PBB-së, ndryshe nga pjesa më e madhe e rajonit që kishte një pozicion më të qëndrueshëm fiskal.
Rreziku i perceptuar për nivele të ndryshme të borxhit lidhet pikërisht me aftësinë për ta paguar atë, pasi ashtu si një borxh në familje, një ditë ai duhet shlyer. Sa më konkurruese është ekonomia, aq më e aftë është ajo për të gjeneruar të ardhura nga puna e bizneseve dhe individëve dhe anasjelltas. Askush nuk u shqetësua p.sh., kur u rrit borxhi i Gjermanisë, pasi ajo është ndër ekonomitë më konkurruese në botë, madje obligacionet e saj shërbejnë si referencë europiane e globale.
Ora e borxhit ka mbërritur dhe për momentin, ky është ilaçi i vetëm që mund t’i jepet ekonomisë. Por, edhe barnat kanë dozën apo efektet e veta anësore. Nëse ato përdoren pa kriter, rrezikojnë që të përkeqësojnë më tej gjendjen e pacientit (nënkupto ekonomisë). Përtej vetëkënaqësisë që morëm borxh për të paguar një borxh, fokusi duhet të jetë në mënyrën se si do të përdoret ai, duke i dhënë antitrupa, që do të arrinin në një afat të mesëm ta luftonin vetë sëmundjen. Nëse paratë do të shpenzohen për investime joproduktive, (p.sh. në pagesa koncesionesh), vetëm sa do të zgjatet agonia e ekonomisë dhe brezave të ardhshëm nuk do t’u lihet veçse një trup i sëmurë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.