A e keni menduar ndonjëherë se një “Rolex” i viteve ‘70 mund të kthehet në një investim, nga i cili mund të sigurohen mijëra euro? Në fakt, në botë, investimi në orët e dorës të markave luksoze është kthyer në një tendencë të vërtetë e nxitur edhe nga pasiguria që po karakterizon ekonomitë në botë. Prandaj mos t’ju duket aspak një ide e çmendur nëse mendoni të diverfisifikoni portofolin tuaj dhe t’i drejtoheni orëve të nivelit të lartë.
Një ide e mirë (?)
Bursat po luhaten shpesh, ndërtimi ka frenuar e po kështu edhe investimet në makinat e kohës, por çfarë po ndodh me orët e dorës të markave luksoze? A ia vlen të investohet në këtë produkt? Ekspertët e huaj mendojnë se po. Ata rendisin një sërë arsyesh për të mbështetur këtë siguri.
Marka. A është e vërtetë se një emër i mbushur me histori vlen ende? Përgjigjja është thjesht po. I njëjti model i një marke të njohur mund të ruajë në kohë më shumë vlera sesa një produkt ekuivalent “i ri” dhe jo plotësisht i afirmuar. Pak a shumë siç ndodh në botën e makinave. Një “Nissan GTR”, që përfaqëson një specie të veçantë të teknologjisë, nuk mund të krahasohet me një “Porsche 911 turbo” (për të mos folur pastaj për “Ferrarin”). Për të gjithë ata që e njohin mirë botën e automobilizmit, “Porsche” revokon legjendën dhe modelet e saj i gjen në ankandet ndërkombëtare, ndërsa nga “Nissan” nuk paraqitet ndonjë model.
Kështu ndodh edhe me orët e dorës. Nëse keni një “Rolex Ovetto” ose një “Patek Philippe Calatrava”, të jeni të bindur se në rast se e shisni, do të bëni një investim me vlerë.
Fanatizëm? Vizion i ngushtë? Konservatorizëm i padobishëm? Ndoshta, por ligjet e tregut bazohen tek ekzistenca e ofertës dhe disponibiliteti për të. Ndaj kërkesa për emrat e mëdhenj ekziston dhe do të vazhdojë të jetë e lartë edhe më shumë nga sa ofron tregu.
Një aspekt i rëndësishëm është edhe tipologjia e orës. Cilët janë të duhurit?
Në shekullin e 19, emra të mëdhenj si “Breguet”, “Patek Philippe” realizuan ora xhepi shumë të komplikuara me tregues kohe me kalendar të përjetshëm (perpetuo), me kronometër të dyfishtë etj. Me termin “i komplikuar” kuptohet çdo funksion i shtuar, përtej atij të tregtimit të orës dhe minutave. Funksionet e komplikuara mund të variojnë nga ato të “vogla”, siç është kalendari tek më të “mëdhatë” siç është përsëritja e alarmit etj. Edhe puna e bërë për futjen e disa materialeve inovativë mund të quhet një funksion i tillë.
Pyetja kryesore është çfarë i jep më shumë vlerë një ore të tillë? Dhe përgjigjja është…varet.
Koha e krijimit është një prej elementëve më kryesorë. Numri i kohëmatësit, me kalimin e kohës u thjeshtësua për shkak të vështirësive që kishte në prodhim dhe njerëzve të specializuar që kërkoheshin për të realizuar këto punime tepër fine dhe me dorë. Një orë e komplikuar në përbërje ka më shumë avantazhe se një që është më e thjeshtë dhe më e re në kohë.
Zakonisht modelet e veçanta janë prodhuar në sasi të reduktuara, ndaj vlera e tyre kur ato rishiten mund të kalojë në mijëra euro.
Koha, kjo është filozofia që shtyn në kuota të larta tipologji orësh për zhytje, kronografike, për zgjim etj.
Shpesh janë funksionet ato që i bëjnë këto ora të veçanta dhe të kërkuara. Pra, janë pikërisht këto mjete që masin kohën që na ndihmojnë në të përditshmen tonë dhe dashur pa dashur kthehen në mjete që kanë vlera të veçanta.
Por, rregulli kryesor, ai që qëndron në krye të listës dhe që i reziston kohës është bukuria. Bukuria është e rëndësishme për ata që dinë të shtojnë vlera.
Si të orientoheni
Kush është i pasionuar pas orëve të dorës, e di se si duhet të lëvizë në këtë ankand vlerash. Nuk mjafton që një orë të jetë e kushtueshme dhe më pas të pritet që ajo me kohën të fitojë vlerë. Për të realizuar me sukses një investim në orët e luksit duhet të ndiqen disa rregulla “të arta”.
Kriteri i parë është marka. Në këtë pikë, ekspertët janë të një mendjeje: modelet “Patek Philippe” e “Rolex” kanë më shumë mundësi të vlerësohen me kohën. Shembull? Në vitin 1995, një orë “Patek Philippe” prej ari të bardhë 18 karat u shit për 400,000 franga zvicerane. Në vitin 2010, vlera e saj arriti në 3.2 milionë franga zvicerane ose rreth 2.6 milionë euro, me një vlerësim 700% në harkun kohor të 15 viteve. Ekzemplarët më të kushtueshëm në botë janë: “Emperador Temple” e “Piaget” që vlen
3 milionë euro, por edhe ora në formën e feniksit e prodhuar nga “Cartier”, që është shitur për rreth 2.5 milionë euro.
Jo keq për t’u konsideruar një llogari e denjë për një sulltan. Natyrisht që blerja e një modeli të tillë luksi si formë investimi i dedikohet më shumë të pasurve.
Natyrisht që ky investim ka edhe anën e vet negative, pasi nëse do të shpenzonit një shumë të tillë për blerjen e një ore, pas njëfarë kohe mund të gjendeshit përpara një tregu të zhvlerësuar.
Megjithatë orët e dorës bëjnë pjesë në ato blerje që një këmbë e kanë në botën e financës dhe tjetrën në atë të pasioneve njerëzore. Prandaj, të gjithë ata që dëshirojnë të mbajnë në kyçin e dorës një model të veçantë dhe elegant (por edhe të kushtueshëm) duhet të marrin edhe masa që kjo blerje të mos e humbë vlerën me kohën.
Kriteri i dytë ka të bëjë me tipologjinë. I vjetër apo modern? Në terma rivlerësimi, orët e viteve ‘40-‘60 janë më superiore se modelet më moderne, kjo edhe për faktin se janë më të pakta në numër dhe kërkesa për to është më e lartë nga ana e koleksionistëve. Specialistët vlerësojnë kryesisht modelet “Patek Philippe” të prodhuar nga çeliku i pandryshkur në vitet ‘40-‘50. Janë orë që janë prodhuar në numër të vogël dhe janë ekzemplarë të vërtetë, pasi në atë kohë nuk ishin shumë të popullarizuara.
Ata që janë të pasionuar pas orëve moderne mund t’i gjejnë me çmime më të ulëta, por duhet të fokusohen tek edicionet që kanë qenë të limituara ose të hedhura në treg me raste të veçanta. Në vitin 1999, kohë në të cilën doli edhe filmi horror me Arnold Schwarzenegger “End of Days” u prodhuan 500 modele orësh “Royal Oak Offshore” të Audemars Piguet, që u shitën me një çmim 13,000 dollarë copa (natyrisht një çmim më i ulët se orët e prodhuara me diamant). Në vitin 2010, vlera e tyre arriti në 85,000 dollarë.
Ora “Journe” u shit 50,000 dollarë në vitin 2005 kur u krijua dhe rreth 80,000 dollarë në vitin 2008.
Tregu i orëve luksoze për femra është më kompleks sepse vlerësohen pak a shumë në të njëjtat nivele si bizhutë me diamante.
Rregulli i tretë “i artë” kur blihet ose ruhet një orë, veçanërisht nëse është e vjetër: duhet të bëhet shumë kujdes sa u përket kushteve në të cilat do të ruhet, veçanërisht për pjesën e rripit dhe të mekanizmit të brendshëm. Nëse një mekanizëm prishet, atëherë modeli do të humbasë menjëherë një pjesë të madhe nga “torta”.
Gabimi më i madh do të ishte nëse pjesa e prishur të zëvendësohet me një jo origjinale, kjo do të bënte që koleksionisti të humbte totalisht interesin. Kur blihet një orë luksoze, duhet të ruhet certifikata, kutia e ambalazhit, manuali origjinal i përdorimit për të provuar autenticitetin.
Ekspertët thonë se rritja e çmimeve ndikohet veçanërisht nga shtimi i numri të koleksionistëve nga vendet në zhvillim.
Po si është e mundur që kjo klasë e re koleksionistësh të diktojë sjellje që kanë qenë tradicionalisht të dominuara nga ata perëndimorë?
Ekspertët thonë se shijet e tyre janë modifikuar me kohën. Kush koleksionon orë dhe i mban në sirtarë mund të fokusohet tek ato modele që bien më shumë në sy. Por, ai që dëshiron t’i shohë si investime duhet të bazohet te modelet klasike, të vjetra që nuk e humbasin kurrë vlerën.
Modelet
“Patek Philippe” e “Rolex” mbeten patenta garancie në treg
Sjellja
Në këtë treg, jo gjithmonë barazimi “i kushtueshëm = investim i mirë” është i vërtetë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.