Faktoringu është një ndër produktet financiare bashkëkohore shumë të përdorura nga bizneset në vendet e zhvilluara, por që në Shqipëri është pak ose aspak i zhvilluar. Ndonëse disa banka kanë licencë nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar edhe aktivitet faktoringu, asnjë prej tyre nuk ofron në praktikë shërbime të tilla. Së fundmi, Banka Credins ka marrë licencë me qëllimin për të hyrë në këtë rrugë thuajse të pashkelur dhe shumë shpejt pritet ta ofrojë faktoringun si shërbim për bizneset. Në të shkuarën, disa shoqëri jo banka kanë shfaqur interes për të hyrë në këtë treg, por, duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, që është edhe organi mbikqyrës, asnjë shoqëri jo bankë nuk është e licencuar për shërbime faktoringu. Faktoringu konsiston në konvertimin e llogarive të arkëtueshme të klientit (fatura apo edhe kontrata) në mjete likuide (para), duke i dhënë mundësi kompanisë për të pasur likuiditet dhe për të vazhduar punën. Pra, banka ose shoqëria e faktoringut blen faturat e biznesit dhe ndjek shlyerjen e tyre nga subjekti debitor. Pavarësisht se ky është një produkt fitimprures dhe plotëson shportën e produkteve në përmbushje të nevojave të bizneseve, bankat në Shqipëri janë shumë më të orientuara drejt kreditimit, sesa faktoringut.
Avantazhet dhe rreziqet e faktoringut
Andreas Galatoulas, drejtor i përgjithshëm i Alpha Bank – Albania, thotë se faktoringu nuk është shumë i përhapur në Shqipëri sepse ende nuk ka kushte të favorshme për këtë aktivitet dhe tregu nuk është ende i gatshëm për të pranuar këtë lloj financimi. Sipas tij, në treg nuk ekziston ndonjë kërkesë nga bizneset për shërbimet e faktoringut.
Znj.Enkeleda Hasho, drejtore e departamentit të kredisë në Union Bank, shpjegon se kjo ndodh sepse faktoringu është një produkt kompleks në zbatim dhe sidomos në rastet kur transaksioni shfaq rrezik të lartë. Ajo shpjegon se kur banka kredititon, analizon kredimarrësin, aftësinë shlyerëse të tij, duke u mbështetur në të dhënat financiare të biznesit, si dhe duke konsideruar burimin sekondar të shyerjes, që është kolaterali. Kredia është një marrëdhënie mes dy palëve, bankës dhe debitorit.
“Në fakoring janë të përfshira tre palë, banka, debitori dhe shitësi i faturës. Nëse klienti vjen në bankë për faktoring dhe “shet “një faturë, banka përveç se duhet të njohë klientin për ecurinë e biznesit dhe të ketë një historik të mëparshëm me bankën, duhet më tepër të vlerësojë debitorin, pra kompaninë që duhet të kryejë pagesën, të ketë të dhëna për të, në rastin optimal të ketë historikun e pagesave të kryera. Pra, më e thjeshtë dhe e sigurt për bankat paraqitet kredia mbi vlerësimin e kredimarrësit, sesa faktoringu. Ndoshta, faktoringu mund të jetë më i përdorshëm për bankat me degë në vende të tjera, si dhe kur banka ka një historik të palëve, sidomos të debitorit,” shpjegon znj.Hasho.
Bankat ofrojnë produkte të ngjashme me faktoringun, siç janë overdraftet afatshkurtra kundrej faturave, por përsëri këtu marrrëedhënia është midis bankës dhe klientit dhe banka mbështetet në potencialin e klientit që krediton dhe vetëm pjesërisht në palën paguese.
Sipas znj.Hasho, faktoringu paraqet disa rreziqe, që nuk e bëjnë shumë joshës për bankat. Mosnjohja e plotë e debitorit bart rrezikun e mospagesës për arsye të vështirësive financiare të tij të panjohura për bankën, apo në raste të caktuara edhe të një falimentimi në proces. Rrezik tjetër i mundshëm janë faturat jo të rregullta, me gabime apo të falsifikuara. Problem tjetër mund të jenë diferencat ligjore dhe tatimore, në rastet kur shitësi dhe debitori veprojnë në vende të ndryshme. Vështirësitë mund të shfaqen sidomos në rastet kur banka duhet të kryejë një ekzekutim të detyrueshëm, ne rast se debitori nuk kryen pagesën.
Znj.Hasho thotë se një nga arsyet pse faktoringu nuk është i zhvilluar është se kërkesa është e papërfillshme dhe për një pjesë të biznesit ky është produkt i panjohur.
“Faktoringu mund të përdoret në tregtinë vendase dhe ndërkombëtare, por në kushtet e Shqipërisë do të ishte veçanërisht i përshtatshëm për tregtinë ndërkombëtare. Ky do të ishte një transaksion tërheqës dhe mbështetës sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme, që operojnë në tregti dhe që nuk e kanë të lehtë marrjen e kredisë, për shkak të kushteve të bankave, sidomos kolateralit, që jo gjithmonë është i disponueshëm,” shpjegon ajo.
Pavarësisht rreziqeve, znj.Hasho mendon se faktoringu do të ishte produkt i suksesshëm për bizneset më të vogla, të reja dhe që kanë nevojë për likuiditete, apo edhe bizneset me cikël prodhimi dhe shitje sezonale. Faktoringu është një prej llojeve dominuese të financimit që po përdoret edhe në botë sot, bazuar në aktive si dhe një burim i rëndësishëm i financimit të jashtëm për korporatat dhe ndërmarrjet e mesme dhe të vogla. Faktoringu është një transaksion më i shpejtë, që i mbështetur mbi një infrastrukturë dhe informacion të plotë, që të mundësojë vlerësimin e debitorit, kthehet në një instrument tepër tërheqës për bizneset. Megjithatë, znj.Hasho kujton se faktoringu ka edhe kufizime. Përgjithësisht faktoringu është më i shtrenjtë se kredia, pasi rreziku i mospagesës nga debitori është më i lartë dhe jo gjithmonë i analizuar më së miri, gjë që rëndon koston e biznesit. Një biznes me ripërsëritje të shpeshtë të faktoringut, që nuk ka një normë të lartë fitimi, mund të mos arrijë rentabilitetin e duhur dhe të ketë vështirësi në ecurinë e mëtejshme.
Credins, plani për të hyrë në treg
Banka Credins ka marrë së fundmi licencën nga Banka e Shqipërisë për të zhvilluar aktivitet edhe në shërbimet e faktoringut. Në fakt, Credins, e cila që në fillimet e saj ka pasur një profil të orientuar drejt biznesit, është banka e parë që synon realisht të hyjë në tregun e faktoringut. Sipas znj.Egla Ballta, drejtore e departamentit të SME-ve, Banka Credins kërkon të pozicionohet në tregun bankar shqiptar me një gamë të gjerë produktesh financiare dhe një nga këto produkte është edhe faktoringu. Sipas saj, adoptimi i këtij shërbimi, do ta ndihmonte Bankën Credins të përfitonte nga faza embrionale në të cilën gjendet tregu, duke u bërë një nga ofruesit e parë të këtij shërbimi.
Gjithashtu, nëpërmjet këtij shërbimi Credins synon të krijojë një paketë të plotë shërbimesh dhe produktesh, duke krijuar një marrëdhënie afatgjatë dhe të besueshme.
“Aktualisht, bizneset i plotësojnë nevojat për likuiditet nëpërmjet kredive standarde për mjete qarkulluese të ofruara nga bankat e nivelit të dytë. Megjithatë, jo të gjithë bizneset plotësojnë kushtet për të marrë një financim standard, ndaj në këtë mënyrë faktoringu është një zgjidhje shumë e shpejtë dhe fleksibël për zgjidhjen e nevojave për likuiditet,” thotë znj.Ballta.
Ajo pranon se faktoringu mbart në vetvete shumë rreziqe, që lidhen me dobësinë e sistemit ligjor në vendin tonë, me mosnjohjen e produktit nga komuniteti i biznesit dhe mundësitë reale të mashtrimit. Megjithatë, pavarësisht këtyre rreziqeve, Banka Credins beson se ky shërbim financiar mund të zbatohet suksesshëm. Fillimisht, ky produkt do të ofrohet për një grup klientësh elitarë të bankës dhe më tej, duke e njohur më mirë shërbimin dhe duke vlerësuar në mënyrë realiste rreziqet që lidhen me këtë shërbim, kthimin e tij në një shërbim më masiv.
Banka Credins vlerëson se pothuajse të gjitha kategoritë e bizneseve mund të përbëjnë klientë potencialë për shërbimet e faktoringut, pavarësisht se ky është një koncept ende i panjohur për shumë biznese.
Sipas znj.Ballta, faktoringu mund të shfrytëzohet nga gjithë bizneset e mëdha dhe të mesme, që janë të përfshira në transaksione shitjeje produktesh ose shërbimesh dhe që kanë nevojë të përmirësojnë situatën e tyre të likuiditetit.
“Nëpërmjet faktoringut, këto shoqëri do të realizojnë një menaxhim më efektiv të llogarive të tyre te arkëtueshme si dhe flukse parash të parashikueshme, të cilat do të mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit të tyre dhe kapjen e mundësive të reja që ofron tregu,” shprehet ajo.
Megjithatë, sipas saj, faktoringun mund ta përdorin edhe bizneset e vogla, apo edhe profesionistët e lirë, subjekte që zakonisht kanë në dispozicion burime financimi të kufizuar dhe mund të gjejnë shumë mirë zgjidhje për problemet e tyre të likuiditetit.
Për bizneset që duan të përfitojnë financime faktoring, Banka Credins ka vendosur disa kritere bazë. Klientët të cilët do të përfitojnë shërbimin e faktoringut duhet të kenë një marrëdhënie të gjatë dhe pozitive me Bankën Credins, si dhe me institucione të tjera financiare. Klienti (furnizuesi) duhet të ketë një marrëdhënie korrekte të paktën 6 mujore me debitorin. Element tjetër është analiza e eksperiencës dhe aftësive menaxhuese të klientit. Kriter i rëndësishëm është edhe gjendja financiare e klientit, e reflektuar edhe në pasqyrat financiare. Për sektorët që karakterizohen nga një nivel i lartë konkurrence, banka analizon edhe analizën konkurenciale të tregut dhe të industrisë përkatëse. Furnizuesi do të jetë gjithashtu garantues financiar, në rastin e mosshlyerjes së detyrimit nga debitori. Pagesat që përfiton banka për shërbimin përbëhen nga komisioni bankar, si dhe nga interesi i aplikueshem.
“Komisioni është çmimi që furnizuesi i paguan bankës për shërbimin e ofruar. Kjo pagesë nuk paguhet cash, por mbahet në momentin e shlyeres së detyrimit nga ana e debitorit. Komisioni i zbritshëm nga shuma e faturës do të jetë i ndryshueshëm. Vlera e komisionit do të vendoset në komitetin i kredisë, që vlerëson në kompleks rastin si dhe rreziqet që ai mbart. Gjithashtu, edhe debitori do të paguajë një përqindje të caktuar interesi për përdorimin e fondeve. Interesi do të jetë i llogaritur mbi bazë ditore. Ky interes do të paguhet në fund të afatit të kontratës të faktoringut, në momentin e shlyerjes së detyrimit nga ana e debitorit. Normat e interesit do të jenë të ndryshueshme,” thotë znj.Ballta.
Kredia afatshkurtër
– Garanci është kolaterali;
– Procedurë e plotë bankare;
– Impenjim më i vogël i bankës;
– Banka ofron vetëm financimin.
Faktoring
– Garanci janë të arkëtueshmet;
– Procedurë fleksibël;
– Marrëdhënie bashkëpunimi të ngushta banka klient;
– Banka ofron përveç financimit dhe shërbimin e mbledhjes së detyrimeve; – çmime më të larta se kredia standarde.
Faktoringu
Faktoringu konsiston në konvertimin e llogarive të arkëtueshme të klientit (fatura apo edhe kontrata) në mjete likuide (para), duke i dhënë mundësi kompanisë për të pasur likuiditet dhe për të vazhduar punën. Pra, banka ose shoqëria e faktoringut blen faturat e biznesit dhe ndjek shlyerjen e tyre nga subjekti debitor.
Nga Ersuin Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.