Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pohon zyrtarisht se ka marrë të gjitha masat për të garantuar furnizimin normal për abonentët dhe në kuadër të sezonit turistik veror, ka ngritur grupet e gatishmërisë përgjatë bregdetit, nga Velipoja deri në Ksamil (përfshi pjesën e liqenit të Ohrit dhe Prespës).
Pas përfundimit të fazës së kryerjes së remonteve gjatë pranverës, OSHEE ka në fokus menaxhimin e furnizimit me drita të zonave bregdetare, duke vendosur 86 punonjës shtesë, për t’iu ardhur në ndihmë drejtorive përkatëse që mbulojnë njësitë turistike.
Gjithsej, në të gjithë vendin, janë vendosur 1800 punonjës, në gatishmëri të plotë 24 orë, pranë fidrave, kabinave të tensionit të mesëm dhe të ulët (TM/TU) që furnizojnë me energji elektrike konsumatorët.
Të organizuar në grupe, punonjësit e OSHEE do të marrin masa për lokalizmin e defekteve në rrjetin shpërndarës, edhe me ndihmën e informacioneve të abonentëve, përmes numrave të kontaktit, për secilën/zonë plazh që mbulon x grup.
Janë vendosur grupe të posaçme në gatishmëri pranë fidrave të rëndësishëm që furnizojnë hidrovoret, spitalet dhe institucionet e rëndësisë së veçantë të vijës bregdetare.
Është garantuar baza materiale për çdo avari të mundshme, si dhe është vendosur personel përforcues pranë rrjetit dhe kabinave, për të pasur furnizim të rregullt me energji elektrike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.