OSHEE Group, në sprovën më të madhe menaxheriale

25/09/2020 10:04 PM 1 koment

Intervistë me administratorin e përgjithshëm të OSHEE Group Sh.A, z. Adrian Çela

 

Pandemia dhe thatësira e vitit të tretë, vendosën operatorin shtetëror të shpërndarjes së energjisë, “OSHEE Group”,  në sprovën më të madhe menaxheriale, sidomos kur në 2020-n nisi reforma kryesore e liberalizimit: ndarja në tre shoqëri.

Administratori i përgjithshëm i OSHEE Group Sh.A, z. Adrian Çela thotë se pavarësisht vështirësisë, si pasojë e rritjes së kostos së energjisë elektrike, kompania arriti të përmbushë treguesit kryesorë të aktivitetit të saj, si uljen e humbjeve, rritjen e të ardhurave nga shitja e energjisë si dhe të përmirësojë treguesit e cilësisë së shërbimit.

E ardhmja mbetet sfiduese, si rrjedhojë e thatësirës së zgjatur dhe pandemisë së Covid-19, të cilat e kanë detyruar OSHEE Group të minimizojë në maksimum planin e investimeve, sepse nëse do të vijohej me to, shoqëria do të përballej me pamundësi pagese të këtyre investimeve.

Çela shton se po vijon liberalizimi i tregut të energjisë. Në vitin 2018 ishin bizneset e lidhura në rrjetin 35kV, të cilët ishin të parët që kaluan në treg të lirë, dhe në muajt në vijim, me përfundimin e investimit në matje nga OST, edhe bizneset e lidhura në rrjetin 20kV do të kalojnë në treg të lirë. Por, administratori i SHEE Group thekson që ata në asnjë moment nuk rrezikojnë furnizimin e tyre, sepse Operatori Publik FTL (Furnizuesi i Tregut të Lirë Sh.A) do të jetë gjithmonë i pranishëm për ta garantuar energjinë.

 

Si ka qenë ecuria e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në vitin 2019?

Viti 2019 për OSHEE ishte “sfidues”, i përsëritur pas thatësirës së vitit 2017, dhe situata u rëndua më tej nga thatësira e vitit 2020.

Sektori energjetik në Shqipëri është mjaft i ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike, dhe OSHEE është shoqëria e cila mbart gjithë efektet (dëmin në këtë rast), shkaktuar nga këto ndryshime. Statistikat tregojnë që thatësirë kaq e gjatë (vitet 2017, 2019 dhe 2020) është përjetuar në vitet ‘91-‘92, por duhet të themi që thatësira e viteve të fundit është edhe më e rëndë.

Pyetja që na shqetëson të gjithëve është: ndryshimet klimatike (ngrohja, temperaturat e larta) do të vijojnë siç janë, pra të përhershme, apo thjesht jemi duke përjetuar një cikël klime të përkohshme dhe se moti do të “kthehet” si më parë. Nëse është e përhershme, atëherë Shqipëria do të ketë një sfidë të re në vitet që vijnë sa i përket diversifikimit të burimeve energjetike, siç është rasti i impianteve fotovoltaike, në mënyrë që vendi të mos jetë i varur nga importi i energjisë.

Konkretisht për vitin 2019, OSHEE pavarësisht vështirësisë, si pasojë e rritjes së kostos së energjisë elektrike, arriti të përmbushë me sukses treguesit kryesorë të aktivitetit të saj, siç janë:

  • Humbjet në rrjetin e shpërndarjes, të cilat u ulën me 2.11%
  • Të ardhurat nga shitja e energjisë u rritën me 3%, ose 1.9 miliardë lekë
  • Arkëtimet nga shitja e energjisë u realizuan 97.5%, duke pasur një tejkalim prej 2.5% nga objektivat e vendosur në Planin e Konsolidimit Financiar, të cilat ishin 3% më të larta se ato të vitit 2018.

Treguesit e cilësisë së shërbimit u përmirësuan më tej:

  • SAIFI – Nr. i konsumatorëve të prekur nga ndërprerjet/Nr. Kons.Total – përmirësuar 11.9%.
  • SAIDI – Nr. i orëve të ndërprerjeve gjithsej/Nr. i Konsumatorëve Total – përmirësuar 9.8%.
  • Vlera e investimeve të realizuara ishte 8.8 miliardë lekë.

Megjithatë, si pasojë e prodhimit të ulët të KESH dhe blerjes së energjisë në treg të lirë, kryesisht import, shpenzimet për blerje dhe transmetim energjie rezultuan 45% më të larta, ose 11.4 miliardë lekë më shumë se ato të planifikuara. Ky fakt solli që rezultati ekonomik i vitit 2019 të ishte negativ, me një humbje prej 4.16 miliardë lekësh.

Kosto e blerjes së energjisë, faktor që OSHEE nuk mund ta menaxhojë vetë (bursa), madje ne, Operatori Publik mbart gjithë barrën e rëndë të thatësirës, shkaktoi një rezultat financiar negativ për 2019.

Gjithsesi, duke u bazuar në ciklin hidrik të 20 viteve të fundit në vend, parashikohet që nga viti 2021 kjo situatë hidrike të normalizohet dhe OSHEE Group Sh.A të kthehet në rezultatet e një viti normal.

 

Foto: OSHEE Group Sh.A, Facebook

Cilat janë disa nga zhvillimet që kanë përkufizuar ecurinë e kompanisë në vitin 2020, duke pasur parasysh situatën hidrike jo shumë të favorshme, çka ka kërkuar importe, si dhe COVID-19? Si është reflektuar kjo tek treguesit ekonomikë dhe si e parashikoni mbylljen e këtij viti në bilancin e kompanisë?

Siç e përmendëm më sipër, në mënyrë të pashpjegueshme, situata e thatësirës vijoi edhe gjatë 2020-s, duke kapur në surprizë gjithë specialistët e parashikimeve të motit. Furnizimi nga KESH për vitin 2020 parashikohet të jetë në minimumet historike, dhe si pasojë, OSHEE përsëri do të mbajë barrën e rëndë të blerjes së kësaj energjie të munguar në treg të lirë me çmime shumë herë më të larta se KESH.

Përveç problemit të thatësirës, fatkeqësisht OSHEE iu shtua dhe një situatë tjetër, pandemia botërore prej virusit COVID-19, e cila na goditi në dy drejtime primare:

–           Rënia e arkëtimeve nga konsumatorët, të cilët kanë reaguar ndjeshëm si pasojë e vështirësive financiare, si familjare ashtu dhe biznese e buxhetore (rreth 94% gjatë 6-mujorit 2020 nga 98% që ishte në të njëjtën periudhë 2019)

–           Ndryshimi i strukturës së konsumit të energjisë, ku konsumi familjar, i cili e blen me çmim të ulët është rritur, ndërkohë konsumi i biznesit i cili e blen energjinë me çmim të lartë, është ulur ndjeshëm. Kjo solli që, për të njëjtën sasi energjie të blerë, OSHEE faturon më pak të ardhura në shitje si pasojë e çmimit.

Pavarësisht këtyre faktorëve me ndikime të drejtpërdrejta te financat, OSHEE bëri të mundur mbajtjen në kontroll të situatës: shmangëm humbjen gjatë kësaj periudhe dhe regjistruam një rezultat minimal pozitiv prej 348 milionë lekësh.

Duhet të përmendim edhe një fakt negativ që shoqëria u detyrua ta minimizojë në maksimum: investimet në rrjet gjatë kësaj periudhe, që do të japë ndikim në arritjen e rezultateve të Humbjeve për periudhën 2020 – 2021, nëse nuk do të kemi ndonjë përmirësim të situatës në muajt në vijim.

 

Si ka ndikuar pandemia në planet tuaja për investime?

Si pandemia, ashtu dhe thatësira, e detyruan OSHEE Group të minimizonte në maksimum planin e investimeve, sepse nëse do të vijohej me to, shoqëria do të përballej me pamundësi pagese të këtyre investimeve.

OSHEE ka qenë në kontakte të vazhdueshme me qeverinë shqiptare, si dhe institucionet financiare, për të gjetur një zgjidhje momentale për rikuperimin e kësaj situate, në mënyrë që OSHEE të mos humbë ritmin e zhvillimeve gjatë 5 viteve të fundit sa u përket investimeve, të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në sigurimin me furnizim cilësor të konsumatorit, uljen e mëtejshme të humbjeve, si dhe rritjen e kapaciteteve të rrjetit në zonat me zhvillim të lartë ekonomik.

Për momentin mund të themi se, pavarësisht këtij kombinimi më të keq të mundshëm të thatësirës me pandeminë (COVID-19), situata e shoqërisë është totalisht në kontroll, dhe pasojat pritet të vlerësohen në total, pasi këto situata të marrin zgjidhje.

 

OSHEE finalizoi ndarjen e saj dhe krijimin e tre kompanive të reja nën të. Si ka qenë ecuria e këtyre tre kompanive në drejtim të ushtrimit të funksioneve sipas specifikave që ka secila?

Viti 2020, përveç dy fatkeqësive, COVID dhe thatësirës së tejzgjatur, në fakt shënon dhe një moment mjaft të rëndësishëm, si për OSHEE, ashtu edhe për reformat në sektorin energjetik.

Prej fillimvitit 2020, OSHEE Group Sh.A u shndërrua në Korporatën e parë Publike Shqiptare duke bërë të mundur:

  • Përshtatjen e OSHEE sipas standardit të BE dhe standardit ndërkombëtar, me një shoqëri Shpërndarje të ndarë dhe të pavarur. Ky hap konsolidon procesin e hapjes së tregut të energjisë në Shqipëri, edhe në tregtinë me pakicë.
  • Krijimin e një Strukture Korporate Publike solide, e cila do të bëjë të mundur që qeveria shqiptare, nëpërmjet kësaj korporate, të sigurojë që konsumatori (familjar apo biznes) në Republikën e Shqipërisë të blejë energjinë me çmimin më të mirë të mundshëm në treg, duke shmangur mundësitë e ndonjë oligopoli të mundshëm, apo rritjen e çmimit në mënyrë jo të drejtë.

Prej 1 janarit 2020, ne kemi një Operator që siguron shërbimin e Shpërndarjes së energjisë, jo vetëm për shoqëritë publike, por edhe për ato tregtare private me pakicë të energjisë. Gjithashtu, kemi për herë të parë dhe një Operator Publik (FTL), i cili ofron për konsumatorët, që janë në treg të lirë, energji me çmime mjaft konkurruese, duke e bërë tregun e lirë të jetë sa më real dhe i drejtë në çmimet që aplikohen.

Me zhvillimin e mëtejshëm të sektorit, si krijimi i Bursës së Energjisë, hyrja në treg e prodhuesve të tjerë të energjisë nga uji, dielli apo era, kjo Korporatë Publike do të ketë mundësi edhe më të mëdha të operojë në treg, duke siguruar çmime konkurruese për konsumatorët vendas, familjarë dhe biznese.

 

Si ka ecur procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe kur pritet të përfundojnë dalja e bizneseve në treg të lirë sipas fashave?

Me ndarjen e OSHEE në tre operatorë Shpërndarje, Furnizim dhe Tregtim, e cila konsiderohej si një nga sfidat më të vështira dhe të rëndësishme, tashmë është vetëm çështje kohe që tregu i lirë i energjisë të zhvillohet më tej.

Në vitin 2018 ishin bizneset e lidhura në rrjetin 35kV, të cilët ishin të parët që kaluan në treg të lirë, dhe në muajt në vijim, me përfundimin e investimit në matje nga OST, edhe bizneset e lidhura në rrjetin 20kV do të kalojnë në treg të lirë, ku vlen të theksohet që ata në asnjë moment nuk rrezikojnë furnizimin e tyre, sepse Operatori Publik FTL (Furnizuesi i Tregut të Lirë Sh.A) do të jetë gjithmonë i pranishëm për ta garantuar atë.

 

Foto: OSHEE Group Sh.A, Facebook

Çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar prej disa vitesh. Si pritet të jetë ecuria e tij për familjarët dhe bizneset?

Më sipër përmendëm rritjen e kostos së blerjes së energjisë si pasojë e thatësirës të tejskajshme gjatë viteve të fundit, ajo çka vlen të theksohet është fakti që reforma e ndërmarra nga qeveria shqiptare në sektorin energjetik, po dalin në pah ose po japin fryte pikërisht tani.

Rimëkëmbja e OSHEE gjatë 2015 – 2019 bëri të mundur që ky Operator të rezistojë edhe në situata kaq ekstreme si kjo e 2020, me goditje në aktivitet si nga thatësira, ashtu edhe COVID, duke mos prekur as çmimin e shitjes e as buxhetin e shtetit në asnjë moment, madje ka vijuar të paguajë rregullisht gjithë detyrimet ndaj KESH, OST si dhe kontribute të jashtëzakonshme në buxhet, me pagesën e detyrimeve fiskale.

Në vitet në vijim, bazuar edhe në strukturën e re të OSHEE Group, është garantuar që çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet nga Operatori, dhe duke shpresuar që këto situata të paimagjinuara më parë të kalohen sa më shpejt, OSHEE të vijojë me të njëjtat ritme përmirësimin e saj për të konkurruar denjësisht me shoqëritë simotra në rajon dhe jo vetëm.

 

 

 

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
Altin Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Altin
Guest
Altin

Dha doreheqje ky Cela tani qe eshte ne krye te fushates per Durresin? Shtet banane