Enti Rregullator i Energjisë shtyu afatin për përmbushjen e kritereve dhe standardeve të cilësisë së furnizimit me energji që ofrohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deri më 1 janar 2021. Vendimi për këtë ka ardhur pas kërkesës së vetë OSHEE, së cilës rregullorja përkatëse i kishte lënë afat deri në fund të shtatorit të këtij viti. Cilësia e furnizimit me energji, sipas rregullores, matet sipas një sërë parametrash, siç janë numri i ndërprerjeve, koha e riparimit të defekteve dhe të gjitha këto duhet të vijnë në ulje, përmes kryerjes së investimeve të duhura. Por vetë OSHEE, gjatë këtij viti, e ka pasur të pamundur që të kryejë investime në rrjet dhe importet e energjisë kanë kapur shifrën e 200 milionë eurove.
“Në përfundim të afateve të përcaktuara në vendimin sipërcituar, pas kërkesës së përsëritur të OSHEE, ERE me vendimin nr. 104, datë 26.06.2019, u shpreh për një ndryshim në vendimin e bordit të ERE-s nr. 181, datë 10.11.2017, ‘Për miratimin e rregullores për kriteret standarde të cilësisë së shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike’, të ndryshuar, duke vendosur ndryshimin e pikës 2 të vendimit nr. 104, datë 26.06.2019, si në vijim: Pika 7.3 e ‘Rregullores për kriteret standarde të cilësisë së shërbimit të furnizimit dhe performancës së sigurisë së rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike’, ndryshon dhe bëhet: ‘OSHEE sh.a do të propozojë në ERE për miratim nivelin e lejuar të kritereve standarde të cilësisë së shërbimit, brenda datës 30 Shtator 2019’” paraqitet në vendimin e ERE-s.
Më poshtë ky i fundit argumenton se në datë 02.10.2019 është paraqitur në ERE kërkesa e OSHEE-së nr. 400/7 prot, për shtyrjen e afateve të përcaktuara në rregulloren për kriteret standarde të cilësisë së shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike pas vitit 2021.
“OSHEE kërkon që, në pamundësi të plotësimit të treguesve të cilësisë së furnizimit nga ana e OSHEE për arsyet e përmendura në studimin e detajuar (bashkëlidhur shkresës), të shtyhet afati i aplikimit të nivelit të lejuar të kritereve të standardeve të cilësisë së shërbimit, referuar vendimit nr.182, datë 10.11.2017, të Bordit të ERE-s, duke filluar pas vitit 2021. Kërkesa e OSHEE-së jep shpjegime në lidhje me rrethanat që e bëjnë të pamundur përmbushjen e detyrimit të përcaktuar në vendimin e bordit të ERE nr. 104, datë 26.06.2019. Bashkëlidhur kësaj kërkese, OSHEE ka përcjellë: Tabelën për ‘Kriteret standarde të cilësisë së shërbimit të shpërndarjes së Energjisë Elektrike” të plotësuar nga ana e OSHEE. Studimi i detajuar i treguesve të performancës së rrjetit të shpërndarjes. OSHEE ka insistuar në pamundësinë e realizimit të plotë të investimeve të parashikuara në vështirësitë financiare që kjo kompani ka ecur, për shkak edhe të situatës hidrologjike në vend. Përfaqësuesit e OSHEE sh.a., në mbledhjen e bordit dhanë shpjegime të zgjeruara në lidhje me masat e marra, por dhe rezultatet e ardhura si rrjedhojë e këtyre masave sa i përket rritjes së cilësisë së shërbimit, uljes së numrit të ndërprerjeve, uljen e kohës mesatare të ndërprerjeve për klient, në masën 50 % krahasuar me 5-vjeçarin e kaluar” thuhet në vendimin e ERE.
I njëjti nënvizon se përfaqësuesit e OSHEE u shprehën të gatshëm për të bërë çdo përpjekje të nevojshme me qëllim arritjen e targetave të vendosur në Rregulloren për kriteret standarde të cilësisë së shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike, dhe legjislacionit në fuqi.
Për këtë, ERE ka miratuar ndryshimin në rregullore që sanksionon edhe afatin e ri. “Pika 7.3 e ‘Rregullores për kriteret standarde të cilësisë së shërbimit të furnizimit dhe performancës së sigurisë së rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, ndryshon dhe bëhet: ‘OSHEE sh.a., do të propozojë në ERE për miratim nivelin e lejuar të kritereve veç standarde të cilësisë së shërbimit, brenda datës 01.01.2021’” nënvizon ERE.
Në mes të vitit, OSHEE pezulloi 69 projekte
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bëri publik në mes të vitit një plan të ri investimesh, duke paraqitur në detaj edhe projektet e pezulluara, për shkak të vështirësive financiare që kompania po has këtë vit, si rrjedhojë e importeve për plotësimin e konsumit në vend. Referuar këtij plani, rezulton se janë të paktën 69 projekte që pezullohen krahasuar me planin fillestar të OSHEE. Në vlerë, këto projekte të ngrira janë 2.8 miliardë lekë, duke nisur nga ndërhyrjet në nënstacione me 572 milionë lekë tek investimet prioritare në rrjetin e tensionit të ulët tek linjat ABC me vlerë 603 milionë lekë. “Pezullimi është bërë për ato investime, të cilat ose nuk kanë filluar ose janë në faza zhvillimi, të cilat nuk do të shkaktojnë probleme teknologjike të ecurisë, si dhe nuk do të rrezikojnë vazhdimin e mëtejshëm të investimit, në një fazë të mëvonshme. Vlera e investimeve, vazhdimësia e të cilave do të pezullohet për vitin 2019, është 2.818 miliardë lekë” – thuhej në dokumentin e OSHEE.
I njëjti nënvizonte se vlera e investimeve, që do të kryhen për këtë vit nga ana e shpërndarjes, është në nivelin 6.9 miliardë lekë ku, ndër të tjera, janë projektet për ndërtim/rikonstruksion elektrik për nënstacionet, për të cilin është parashikuar një vlerë 341 milionë lekë, për blerje pajisje makineri për nënstacione dhe likuidim avarish 1.13 miliardë lekë, ndërtim, rikonstruksion rrjeti tension i mesëm /tension i ulët 561 milionë lekë, apo ndërhyrje në kabina me 1.1 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.