ARD KOLA
Në mars të vitit 2009, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, do të deklaronte me gëzim të madh se ishte kryer operacioni më i suksesshëm në historinë e privatizimeve. Në krah të tij qëndronte përfaqësuesi i CEZ, i cili edhe ai ishte i kënaqur. Natyrisht, çekët kishin blerë për 102 milionë euro kompaninë monopol të shitjes së energjisë brenda vendit, me një vlerë vjetore qarkullimi për 400 milionë euro. Edhe Banka Botërore e vlerësoi privatizimin, kurse konsulent i procesit ishte IFC-ja, pjesë e bankës.
Por si nisi degradimi i procesit dhe çfarë nuk shkoi mes palëve? I gjithë konflikti lidhet me nivelin e humbjeve në rrjet. Kur CEZ bleu OSSH-në, Ministria e Ekonomisë i paraqiti bilance me nivel humbjeje rreth 33 për qind, që më pas rezultuan të rreme. Duhet thënë se në vitin e parë të privatizimit, kompania CEZ u favorizua nga shteti shqiptar. Në 2009, qeveria mori dy vendime, të cilat i lejuan CEZ-it të blinte energji elektrike të KESH me çmim favorizues, vlera e të cilit shkon në 40 milionë euro. Në të njëjtin vit, OSSH u fshin disa detyrime te bankat, ndërsa disa asete të KESH-it, i kaluan CEZ-it. Pra, kompanisë iu rrit vlera dhe çekët përfituan disa avantazhe, aq sa çmimi final i blerjes së OSSH-së nuk ishte më 102 milionë euro sa thuhet zyrtarisht, por në fakt më pak se 40 milionë euro.
Favorizimet vijojnë edhe në vitin 2010, kur ERE vendosi të rriste çmimin e energjisë elektrike me 13 për qind për familjet shqiptare, ndërsa kompania u tolerua për mosrespektim afatesh në vendosjen e sahateve, duke lejuar faturimin aforfe për mijëra familje.
CEZ kontrollonte 76 për qind të aksioneve të OSSH, ndërsa menaxhonte 1 milion abonentë, të ardhurat ishin në rritje, por jo dukshëm sipas planit të vendosur në kontratën e privatizimit. Duhet thënë se viti 2010 shkoi mirë edhe për qeverinë shqiptare, pasi KESH arriti të prodhonte 7 miliardë kilovat energji elektrike, të rriste eksportet, të shlyente borxhet dhe të krijonte të ardhura rekord prej 200 milionë eurosh. Pra, në këtë vit të gjithë ishin të kënaqur!.
Në 2011 nisin krizat e para. ERE rrëzon kërkesën e CEZ për rritje të çmimit të energjisë elektrike, me afro 30 për qind, kërkuar nga çekët, por gjithsesi e favorizon pasi i ul çmimin e energjisë që blinte te KESH me shumicë, me 1.4 lekë për kilovat. Situata përkeqësohet me KESH-in, që kërkonte rritje të çmimit, pasi të ardhurat ishin të ulura, kurse paralelisht mes CEZ dhe Ministrisë së Ekonomisë po zhvilloheshin disa konflikte të heshtura për “çështje tenderësh” me sahatet e dritave dhe kompanish për mbledhje borxhi.
Koha kalonte dhe konfliktet akumuloheshin, ndërsa CEZ kuptonte gjithnjë e më shumë se çfarë kishte blerë. Me auditimet e mëpasshme nga shoqëri të pavarura, rezultoi se humbjet nuk ishin 33 për qind (viti 2008), sikurse deklaronte qeveria, por më shumë, raport që ERE nuk e pranoi, kurse CEZ pretendon se janë të paktën 40 për qind. Sa më të larta të jenë humbjet, aq më shumë rritet pretendimi i CEZ për rritje çmimi, apo justifikim shpenzimesh të larta. Konflikti i nivelit të humbjeve vazhdon edhe sot, të cilat sipas kontratës së privatizimit duhet të ishin sot me 27 për qind, por që në fakt janë 52 për qind. Pra, gjysma e energjisë nuk arkëtohet dhe është humbje për CEZ-in.
Fundi i vitit 2011 do të jepte goditjen e radhës. METE i heq CEZ-it klientët e rregullt, industritë e rënda, me vlerë për kompaninë rreth 30 milionë euro/vit. Në muajt e kësaj vere, CEZ gjobitet nga tatimet me 27 milionë euro për mosfaturim energjie, kurse në shtator merr nga ERE një tjetër gjobë për 3 milionë euro për shkak të mosrespektimit të kontratës me ERE-n. Situata vjen duke u përkeqësuar. Financat e CEZ nuk mbajnë më, ndërpritet importi, duke ia rënduar barrën KESH-it, nuk kryen investime, humbjet janë të larta, kurse arkëtimet nuk janë në nivelin e duhur. Në javën e parë të muajit tetor, ERE mblodhi bordin e komisionerëve për të shqyrtuar licencën e kompanisë, ndërsa aktualisht, bashkë me METE-n po kërkon avokat për trajtimin e çështjes në gjyq.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.