OST do japë për përdorim fibrat optike, të ardhurat 203 milionë lekë, ERE autorizon kërkesën

09/12/2019 11:00 AM 0 komente

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kërkuar që të japë një pjesë të fibrave të saj optike ne perdorim në mënyrë që të sigurojë të ardhura ekstra, por duke mos prekur funksionimin dhe sigurinë e rrjetit që lidhet me sistemin e energjisë. Në një kërkesë të paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë është argumentuar se  në varësi të mundësive, një pjesë e infrastrukturës së fibrës optike dhe/ose kapaciteteve të rrjetit të komunikimit të shpejtësive të larta mund të jepen në përdorim pa dëmtuar dhe rrezikuar veprimtaritë dhe rrjetet e tjera brenda kuadrit të legjislacionit përkatës, në përputhje me opinionin e ERE-s.

“Përdorimi komercial apo dhënia në përdorim e këtyre kapaciteteve mund te realizohet totalisht e ndarë duke garantuar sipas standarteve më të mira ndërkombëtare rrjetin e transmetimit të të dhënave për nevoja të rrjetit energjitik. Përsa i përket sigurisë dhe qëndrueshmërise së sistemit energjitik ndarja e këtyre kapaciteteve është e mundur në mënyrë të qartë, e ndarë fizikisht, duke mos cënuar apo të përbeje risk per sistemin energjetik. Përdorimi i kapaciteteve të lira është qellim dytësor i OST sh.a. por përdorimi i tyre do të sjellë rritjen e të ardhurave të kompanisë si dhe reduktimin e kostove operacionale Studimi i fizibilitetit tekniko – financiar lidhur me këtë aktivitet është duke u ndjekur nga Banka Botërore (ËB), si dhe ky studim pritet të përfundoje në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020” vlerëson OST.

Lidhur me këtë ERE ka nënvizuar se studimi i fizibilitetit do të jepte një pamje më të qartë të situatës dhe gjendjes aktuale të infrastrukturës së fibrës optike do të identifikonte qartë nevojat për ndërhyrje në këtë infrastrukturë, kostot që kërkohen për këtë investim. Ky studim do të përcaktonte edhe mundesitë për mundësinë dhe leverdishmërinë e këtij projekti.

Nga analiza e Draft – Plan Biznesit mbi përdorimin e infrastrukturës së fibrës optike te OST sh.a vërehet se të ardhurat nga aktiviteti do të jenë në vlerën rreth 203,460,000 leke, kosto e investimit është në vlerën rreth 327,360,000 leke me një normë interesi 4% dhe një afat shlyerje 6 vjeçar.

Duke pasur parasysh që ky aktivitet mund të sjellë disa të ardhura më shumë por do edhe kujdes në mënyrën sesi zbatohet ERE ka vendosur që OST të vijojë me planin për dhënien në përdorim të fibrës optike por duke mbajtur në konsideratë që mos cënohet aktiviteti primar që lidhet me energjisë, kostot për realzimin e projektit të mbulohen nga të ardhurat e realizuara dhe së treti të përcjellë pranë ERE studimin e fizibilitetit përfshirë dhe planin e biznesit. Po kështu OST duhet të raportojë peridikisht pranë ERE për këtë projekt duke nisur nga 1 janari 2020.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of