Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka arritur të mbyllë një vit pozitiv në aspektin financiar duke regjistruar një fitim para tatimit prej 12 milionë eurosh.
Ky fitim është rritur me më shumë se dy herë në raport me vitin paraardhës. Raporti vjetor i kompanisë publike të transmetimit të energjisë vlerëson se gjatë vitit 2021 në rrjetin e transmetimit është injektuar një sasi energjie prej mbi 10.6 mijë Gigavat/orë duke rezultuar më shumë sesa sasia e parashikuar më herët. Prodhimi vendas sipas OST ishte 8.4 mijë GWh duke përbërë 79 për qind të energjisë totale hyrëse ndërkohë që pjesa e mbetur prej 2.2 mijë GWh apo 21 për qind përbëhet nga energjia e importuar.
Në eksport energjia e transmetuar rezulton sa 27 për qind e energjisë totale që ka kaluar në sistem.
Të ardhurat totale të Operatorit të Sistemit të Transmetimit për vitin e shkuar kanë rezultuar 9.2 miliardë lekë, 31 për qind më shumë sesa parashikimi i bërë më herët që ishte vlerësuar në 7 miliardë lekë.
Rikuperimi i ekonomisë pas goditjes së pandemisë solli një rritje të konsumit të energjisë globalisht ndërkohë që edhe në Shqipëri sasia e energjisë që ka kaluar në rrjetin shqiptar për konsum apo nga furnizuesit e kualifikuar ka qenë dukshëm në rritje.
OST vlerëson se shpenzimet për vitin e kaluar kanë rezultuar në total 7.2 miliardë lekë apo 14 për qind më shumë.
Ajo që bie në sy mes zërave të shpenzimeve janë ato për humbjet në rrjet të cilat ishin 65 për qind më shumë sesa plani fillestar. Kompania nënvizon se shpenzoi për blerje të humbjeve 2 miliardë lekë nga 1.2 miliardë që kishte parashikuar dhe kjo lidhet me situatën e çmimeve të cilat pësuan rritje dramatike nga shtatori e në vazhdim në vitin 2021.
Lidhur me investimet kompania pranon se ka realizuar 74 për qind të planit dhe duket se diferenca nuk është realizuar për shkak të vendimit që u mor në kushtet e emergjencës së furnizimit me energji në tetor nga ana e qeverisë. Kompanive publike të sektorit iu kërkua që të pezullonin investimet përveç atyre të nevojshme për mirëfunksionimin e rrjetit ndërkohë që prioritet do të ishte sigurimi i energjisë për konsum në vend./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.