Intervistë me Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania
“Mbyllëm bashkimin ligjor me Alpha, arritëm rezultatet më të larta në historinë e bankës”
Vitin e kaluar, Banka OTP Albania realizoi bashkimin ligjor me Alpha Bank Albania, proces që solli rritje të ndjeshme të madhësisë së bankës dhe konsolidimin e mëtejshëm të sektorit bankar në vend.
Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania, thotë se paralelisht me këtë proces, banka arriti rezultate pozitive edhe përtej pritshmërive, me fitimin më të lartë historik dhe me normën e kthimit nga kapitali më të lartë në sektorin bankar shqiptar.
Z. Shella shprehet se rritja e normave të interesit po reflektohet në ulje të kërkesës për kredi, por, sipas tij, kjo fazë do të jetë e përkohshme.
Ai mendon se bizneset do të duan një kohë më të shkurtër për t’u përshtatur në kushtet e reja të normave të interesit dhe me intuitën e tyre do të kuptojnë që, sado të larta të duken normat e interesit të kredive, kthyeshmëria nga investimi që do të bëhet me këto kredi do të jetë më e lartë.
Si do ta vlerësonit ecurinë e Bankës OTP Albania vitin e kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme në bankën tuaj dhe më gjerë në aktivitetin e sistemit bankar shqiptar?
Nuk mund të mohoj se përtej pritshmërive tona për një vit të qetë dhe të parashikueshëm, sidomos duke vërejtur kthimin në normalitet pas pandemisë, 2022 ishte vit surprizash. Fatmirësisht, por jo vetëm falë fatit, për OTP Albania përfundimi ishte jashtëzakonisht pozitiv.
Ne ia dolëm të arrijmë rezultatet më të larta ndonjëherë në historinë e bankës që në krijimin e saj, në thuajse të gjithë indikatorët e performancës tregtare / financiare. Edhe pse tashmë të komunikuara nga ne, po rendis ato më kryesoret, të cilat flasin edhe për shëndetin dhe gjallërinë e korporatës sonë.
E ardhura bankare neto u rrit me 20.35% krahasuar me 2021. Ndërkohë Fitimi Neto i bankës rezulton 27.6M EUR dhe 65% më tepër se një vit më parë, 2021.
Arritëm dhe Kthimin në Kapital më të lartin ndonjëherë, por në të njëjtën kohë edhe më të lartin brenda Grupit OTP prej 27.5%.
Gjithë ky aktivitet pati administrim dhe menaxhim të mirë të burimeve tona dhe fokus të posaçëm në biznes duke ruajtur, madje duke ulur (në kah pozitiv të cilësisë së indikatorit) raportin Kosto / të Ardhura, duke e raportuar atë në 44%.
OTP Bank Albania ka treguesin më të mirë të rentabilitetit (kthimin mbi kapitalin ROE) në treg për katër vitet e fundit, si rrjedhojë e disa principeve kryesore në menaxhim të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
Momenti më madhor për bankën tonë ishte Bashkimi Ligjor mes OTP Bank Albania dhe Alpha Bank Albania, që u realizua në kohë rekord, për vetëm 4 muaj e gjysmë, në datë 1 dhjetor 2022.
Po e përdor këtë moment jo vetëm për të shpjeguar çfarë do sjellë ky bashkim, por për të sjellë, edhe një herë në vëmendje, punën që është dashur të bëhet nga gjithë skuadrat e bankës, kur ndërkohë që projekti zhvillohej dhe afrohej data e zyrtarizimit të bashkimit ligjor, të mbahej në nivele të larta dhe puna e përditshme, aktiviteti bankar përkundrejt klientëve tanë në të dy bankat në standardin më të mirë.
Fillimisht duhet të shprehim ndikimin që ky bashkim solli për sektorin bankar, duke e përqendruar edhe më tej nga 12 në 11 banka sot.
Ky përqendrim është i nevojshëm, në kuadër të shtimit të fuqisë së bankës përkundrejt kapacitetit për investime domethënëse, nga të cilat klientët janë përfituesit e parë.
Me arritjen e shkallës së duhur ekonomike, banka mund të miratojë analizën e biznesit për projekte dhe sisteme të caktuara, të cilat nëse nuk reflektojnë nivelin e përdorimit nga një numër i nevojshëm klientësh, është e pamundur që banka t’i listojë për zhvillim.
Një efekt i menjëhershëm te klientët është shtimi i degëve, duke pasur përhapje fizike më të gjerë dhe pozicionim më të optimizuar, në mënyrë që klientët tanë ta kenë më të lehtë qasjen ndaj bankës.
Kjo u ndoq edhe me riorganizimin e shumë degëve, të cilat sot sigurojnë mjedise më të mëdha, pozicione gjeografike më të volitshme, si dhe rrugëtim klienti të lehtë dhe të këndshëm.
E njëjta gjë ndodhi edhe me ATM-të, numri i të cilave sot është 200 dhe me këtë numër mbajmë pozicionin e bankës me flotën më të madhe të ATM-ve në vend.
Duke pasur shtrirje të tillë, ne do të kemi mundësinë që funksionet shtesë dhe listën e veprimeve të mundura në ATM ta bëjmë më të larmishme.
Në këtë mënyrë, klientët do të kenë më pak nevojë të vizitojnë degët, sepse shumë veprime përmbi tërheqjes CASH dhe verifikimit të balancës (veprime bazë për një ATM), të shtohen edhe me depozitim të parave, pagesa të kartave të kreditit dhe në të ardhmen, edhe të tjera funksione më komplekse do të jenë të mundura.
Të gjithë klientët e bankës së bashkuar do mund të përdorin POS në logon OTP, me komision 0. Edhe rrjeti i POS-eve për pak javë do dyfishohet dhe modernizohet, duke qenë i pranishëm në shumicën e tregtarëve në Shqipëri.
Koha e veprimeve pa CASH është e tashmja dhe ne ua sugjerojmë klientëve këtë mënyrë operimi financiar si më të sigurtën dhe më të volitshmen.
Lidhur me Online Banking, OTP Albania ka lëshuar tashmë dy përditësime dhe për pak ditë do të vijojë edhe i treti, duke e bërë këtë platformë realisht një mjet efektiv dhe tepër të lehtë për administrimin e parave dhe për realizimin e transaksioneve të çdo lloji.
Klientët tanë do të mund të aplikojnë për produkte përmes kësaj platforme dhe do të mbajnë një komunikim të sigurt dhe të shpejtë me ekspertët tanë të linjës së produkteve dhe shitjeve.
Sigurisht që, si në çdo projekt të ngjashëm kur dy banka shkrihen, është e pritshme që të ketë edhe procese jo shumë të rrjedhshme, krahasuar me përvojën e mëparshme të klientëve. Bashkimi teknik është një proces jo i lehtë, kompleks, shumë teknologjik dhe ne lutemi në mirëkuptimin e klientëve tanë.
Skuadrat tona kanë qenë dhe janë në dispozicion të plotë, për të ndihmuar në çdo rast dhe për të zgjidhur çdo situatë që mund të paraqitet. Për këtë ne kemi edhe një skuadër të shërbimit në distancë, e arritshme 24 orë në ditë, çdo ditë të javës.
Vitin e kaluar, ekonomia u përball me inflacionin më të lartë në dy dekada dhe me rritje të shpejtë të normave të interesit. Si u reflektuan këto zhvillime në ecurinë e sektorit bankar?
Mjedisi makroekonomik solli shumë sfida në nivel global. Inflacioni arriti në nivelet më të larta të 30 viteve të fundit, duke gjeneruar dinamika në mjedisin e normave të interesit, mjedis i cili në dekadën e fundit ka qenë në stanjacion.
Rritja dinamike e yield-eve në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 ka pasur edhe efekte negative, por edhe efekte pozitive në tregun bankar. Rritja e yield-eve reflektohet menjëherë në normën bazë të interesit për kredinë e re dhe kjo ndikon në uljen e kërkesës për kredi të reja, fenomen i cili është parë kryesisht në segmentin individ.
Kreditë e reja për individët janë ulur me 7% në gjysmën e dytë të vitit 2022 krahasuar me gjysmën e parë. Kryesisht, segmenti Korporatë i transferon te përdoruesi i fundit kostot shtesë nga kredimarrja.
Nga ana tjetër, yield-et kanë sjellë zhvlerësim të letrave me vlerë të qeverisë, duke bërë të mundur uljen e çmimeve dhe duke u pasqyruar në Pasqyrën e të Ardhurave dhe Shpenzimeve sipas rregullave të Bankës së Shqipërisë.
Pritshmëritë kanë qenë edhe për një rritje të Raportit të Kredive me Probleme, por deri në fund të dhjetorit 2022, tendenca e kredive me probleme ka qenë në nivele të njëjta.
Ndër efektet pozitive që mund të përmendim është rivlerësimi i portofolit të kredisë, ku bankat me peshën më të madhe në kredi, me norma interesi të ndryshueshme, e kanë ndier këtë ndikim në P&L (pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve) të tyre.
Me rritjen e normës bazë të interesit ishte e pritshme që kërkesa për kredi të ngadalësohej, më së shumti për individët, por gjithashtu shumë e ndjeshme edhe për bizneset.
Shenjat e para u dhanë gjatë tremujorit të fundit të vitit të shkuar dhe ne gjykojmë se ky trend do të vazhdojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2023.
Pas kësaj, kërkesa do të stabilizohet e mund të rritet me afrimin e sezonit turistik si pasojë e një gjallërimi të ekonomisë që vihet re gjatë kësaj periudhe.
Në fakt, rritja e normës bazë të interesit në ekonomi synon pikërisht tkurrjen e kredimarrjes, si një mekanizëm për të mbajtur nën kontroll inflacionin dhe mundësisht në uljen e tij deri në nivelin e synuar nga Banka e Shqipërisë, që gjykohet si i shëndetshëm për ekonominë.
Bizneset do të duan një kohë më të shkurtër për t’u përshtatur në kushtet e reja të normave të interesit. Intuita e biznesit do të kuptojë që sado të larta të duken normat e interesit të kredive, kthyeshmëria nga investimi që do të bëhet me këto kredi, është më e lartë, përndryshe, për pjesën dërrmuese të bizneseve nuk ka pse të ndërmerret ai investim, qoftë dhe në një mjedis ekonomik me norma të ulëta.
Në fakt, personalisht pres që intuita e biznesit dhe shpirti sipërmarrës do të arrijnë më shpejt në konkluzionin që kjo situatë është ndoshta një oportunitet për bizneset e shëndetshme, që mund të përballojnë kosto të rritura të interesave, të bëjnë investimin e nevojshëm për të paraprirë ciklin tjetër të rritjes ekonomike më herët se konkurrenca dhe për të përfituar nga kushtet më të mira ekonomike.
Cilat do të jenë objektivat tuaja kryesore në vitin 2023 dhe cilat prisni të jenë sfidat kryesore për biznesin e bankave këtë vit?
Absolutisht që për ne, në fokus është përvoja dhe kënaqësia e klientit, sidomos në këtë vit ndryshimesh, si vijim i procesit të bashkimit. Siç edhe u shpreha më lart, këtë vit do marrin jetë të gjithë bashkimet apo integrimet teknike dhe teknologjike. Procesi, që do prekë shumë dimensione, është në prioritetet tona.
Kënaqësia e klientëve është në zemër të strategjisë sonë dhe për të arritur këtë kemi disa kolona kryesore, të cilat do na udhëheqin në vitin 2023, e më tej. Përmirësimi i proceseve bankare në tërësi, si ato brenda bankës dhe ato ku klienti është aktor, është ndër përparësitë tona.
Ky vit ka sfida teknike për bankën tonë, duke qenë se është viti kur bashkimi teknik dhe teknologjik nis dhe përfundon.
Paralelisht me bashkimin teknologjik, ne do të kujdesemi që të përdorim këtë moment ideal për të vlerësuar proceset bankare me frymën e progresit.
Çdo proces ka përherë hapësirën për t’u lehtësuar dhe për t’u thjeshtuar edhe më tej dhe ky parim na drejton. Synojmë të jemi banka me kënaqësinë më të lartë mes klientëve.
Po aq i rëndësishëm është transformimi dixhital. Kjo qasje e bankës rri në krah të dy aspekteve më lart. Folëm për bashkim teknologjik dhe rishikim të proceseve, e sigurisht dixhitalizimi do të jetë në fokus për t’u aplikuar në çdo rast që sjell vlerë të shtuar si për bankën, por për më tepër për klientët.
Ne përfshijmë vetë klientët në këto investime, duke iu marrë mendimin e sinqertë për çdo ndryshim teknologjik që synojmë të prezantojmë për ta.
Këtë gjë e kemi bërë në çdo projekt madhor, ku më i freskëti është Online Banking Upgrade, në të cilin Klientët, si individë edhe biznes, ishin pjesë e grupit të punës dhe na shërbyen realisht në mënyrën më të mirë të mundshme. Sot ata kanë pikërisht çfarë kërkuan.
Një tjetër kolonë e rëndësishme e strategjisë sonë afatmesme është edhe ruajtja e cilësisë së portofolit tonë nga pikëpamja e vendimeve të riskut, e cila nuk duhet parë thjesht si një politikë e kujdesshme e një banke (gjë që është në modelin e biznesit të çdo banke), por si një vendim për të qenë në etikën më të lartë të biznesit bankar.
Ne ecim në linjë të plotë me parimet e Grupit OTP, duke aplikuar politikë të vlerësimit të riskut dhe vlerësimit të kapacitetit ekonomik të klientit për kredidhënie, e cila vetëm dhe në çdo rast të shtojë vlerë në ekosistemin familjar dhe personal të individit.
Kjo forcon edhe më tej parimet tona, ku etika është në shtyllën tonë kurrizore, integriteti dhe siguria e klientit në të gjithë rrugëtimin e tij me ne.
Bashkimi i Bankës OTP Albania me Alpha Bank Shqipëri bëri që banka e bashkuar të renditet e treta me portofolin më të madh të kredisë (e dyta për korporata dhe e treta për individë) si dhe të ketë rrjet të gjerë degësh, më shumë se 50 të tilla në të gjithë vendit.
Synimi ynë dhe i grupit OTP është për një rritje të mëtejshme të peshës së tregut dhe gjatë vitit 2023 do të vazhdojmë të jemi aktiv në kredidhënien e të gjitha segmenteve, si individë ashtu dhe biznese.
Ne synojmë që gjatë 2023 të mund të ofrojmë produkte më të volitshme për klientët, me më shumë mundësi zgjedhje dhe sa më të personalizuara për të gjithë segmentet e bankës. Aktualisht ka nisur puna edhe për pozicionime të reja në kuadër të segmentimit të tregut dhe përputhjes me kërkesat e klientëve që po i sjell edhe vetë koha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.