Intervistë e Bankës OTP Albania
Banka OTP Albania e vlerëson pozitivisht funksionimin e skemave të garancisë sovrane. Në një prononcim për “Monitor”, banka shprehet se ka disbursuar rreth 3.7 miliardë lekë, për 138 klientë, në kuadrin e këtyre skemave. Kredia me garanci sovrane, e dhënë nga OTP Albania, ka shkuar kryesisht për sektorët e hoteleve, restoranteve dhe degët e tjera të shërbimeve.
Si kanë funksionuar dy skemat e kredidhënies me garanci sovrane nga qeveria shqiptare?
Skemat me garanci sovrane nga qeveria shqiptare ishin të domosdoshme për të lehtësuar situatën e vështirë ekonomike që u gjendën bizneset. Në Bankën OTP Albania, mobilizimi për të lëvruar sa më shpejt të gjithë shumën ishte maksimal, paralelisht edhe në nivelin e situatës.
Gjithashtu, gjej rastin të theksoj që dhe nga ministria përgjegjëse (Ministria e Financës) ishte po e njëjti angazhim dhe bashkëpunim. Të dyja skemat e garancisë për financim, të shpenzimeve të pagave dhe investimeve apo kapitalit punues, u lëvruan në kohë mjaft më të shkurtër nga sa ishte planifikuar. Gjithashtu, procesi nga ana operacionale ishte i koordinuar dhe nën kontroll të plotë.
Sa kredi në numër dhe në vlerë keni disbursuar nëpërmjet këtyre skemave?
Banka OTP Albania ka qenë shumë proaktive lidhur me të dyja paketat e ofruara nga Qeveria, në mbështetje të bizneseve të prekura nga kriza e COVID-19. Fokusi ka qenë kryesisht te klientët tanë, si partnerë besnikë në bizneset e tyre. Ne kemi qenë banka e parë që e shfrytëzuam 100% Fondin e Garancisë Sovrane – për Kapital Punues dhe Investime në Aktive Fikse.
Me garanci shtetërore për pagat janë kredituar 56 biznese me shumën totale 913 milionë lekë, ndërsa për garancinë për investime dhe kapital punues u kredituan 82 biznese, me shumën 2.83 miliardë lekë. Në total me të dy paketat janë kredituar 138 klientë dhe me shumë totale 3.73 miliardë lekë.
Cilët kanë qenë sektorët më të interesuar për të përfituar prej tyre?
Shpërndarja e kreditimit ka qenë në të gjithë sektorët, si pasojë e efektit gjithëpërfshirës të pandemisë. Një vëmendje të veçantë ka marrë sektori HORECA dhe ai i shërbimeve, pasi ka qenë një nga sektorët më të prekur nga kriza. Për këta sektorë janë ofruar të dyja paketat e publikuara nga Qeveria Shqiptare, për të mbështetur vijimin e aktivitetit të biznesit dhe përfundimin e investimeve të ndërmarra.
Cilat kanë qenë problematikat kryesore për bankat dhe klientët me skemat e garancisë sovrane?
Siç u përmend edhe më sipër, kishte një vullnet nga të gjithë aktorët për të mbyllur sa më mirë procesin e kreditimit nën garancitë shtetërore. Në bankë kishim fokusin maksimal dhe si rezultat, nuk patëm financime të pamenduara, gabime operacionale, por as pakënaqësi nga klientët që normalisht ishin nën presion të madh nga pasiguria që induktonte situata e Covid.
Duke kthyer kokën pas, stafi përgjegjës në bankë dhe në ministri meriton përgëzimet më të mira.
Si paraqitet deri tani performanca e klientëve që kanë përfituar kredi përmes këtyre skemave?
Portofoli me këto garanci performon në mënyrë të kënaqshme, si portofoli tjetër i kredisë në Bankën OTP Albania. Fatmirësisht, situata ekonomike u përmirësua pas kalimit të krizës, dhe kjo reflektohet edhe në shëndetin e klientëve tanë, përfshirë dhe ata që kanë përfituar nga kreditimi me skemën e garancisë. Kredia me probleme lidhur me këto garanci është pothuaj 0% në Bankën OTP Albania.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.