OTP: Pas Societe, synojmë blerje të tjera në tregun shqiptar

09/04/2019 3:05 PM 0 komente

OTP do që të bëhet banka më e madhe në tregun shqiptar. Ne do të dëshironim ta bënim këtë kryesisht përmes rritjes organike, por nëse gjejmë një objektiv të përshtatshëm për ta blerë, d.m.th. një bankë të mirë, atëherë do të shqyrtojmë mundësinë e blerjes.

Flet Dr. Sándor Csányi, Kryetar dhe Drejtor i Përgjithshëm i grupit të OTP Bank

 

15 vjet më parë, banka hungareze OTP humbi në momentin e fundit një garë me austriakët e Raiffeisen për të blerë Bankën e Kursimeve, që në atë kohë ishte nxjerrë në shitje nga qeveria shqiptare.

Pas 15 vitesh, Dr. Sándor Csányi, Kryetar dhe Drejtor i Përgjithshëm i OTP Bank, ishte sërish në Tiranë, por këtë herë më i kënaqur, teksa prezantoi hyrjen zyrtare të OTP-së në Shqipëri, përmes blerjes së 100% të aksioneve të Societe Generale për një shumë që vlerësohet më pak se 40 milionë euro (rreth 0.5-0.6 e kapitalit).

Në një intervistë të posaçme për “Monitor”,  z. Csányi thotë se planet e bankës janë ambicioze për Shqipërinë dhe ata synojnë të bëhen banka më e madhe në tregun shqiptar. Kjo, thotë ai mund të arrihet përmes rritjes organike, por nuk përjashtohet dhe mundësia e blerjes së bankave të tjera.

Pse vendosët të hyni në tregun shqiptar?

Grupi OTP ka filluar zgjerimin e tij rajonal në vitin 2001. Shqipëria është vendi i dhjetë ku ne fillojmë të operojmë. Sot OTP është lojtari kryesor rajonal, duke pasur stabilitet, përfitueshmëri dhe rritje të lartë në të njëjtën kohë. 15 vjet më parë OTP u përpoq të blejë një bankë shqiptare, por më pas Raiffeisen dha një ofertë më të mirë.

Por, tashme me këtë blerje të re, në një pozitë më të favorshme, ne mund të arrijmë të hyjmë në vendin, që ka një treg në zhvillim dhe qëndrueshmëri makro ekonomike. Megjithëse Shqipëria është një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në Europë, depërtimi i produkteve bankare është i ulët, prandaj pranimi i produkteve bankare nga klientët mund të rritet dukshëm dhe ka vend për zgjerim të mëtejshëm.

Si e vlerësoni sistemin bankar shqiptar dhe ekonominë shqiptare përsa i përket potencialit për të bërë biznes?

OTP do që të bëhet banka më e madhe në tregun shqiptar. Ne do të dëshironim ta bënim këtë kryesisht përmes rritjes organike, por nëse gjejmë një objektiv të përshtatshëm për ta blerë, d.m.th. një bankë të mirë, atëherë do të shqyrtojmë mundësinë e blerjes. Ekonomia shqiptare ka baza të mira dhe potencial të madh rritjeje dhe ne presim zhvillim të shpejtë në vitet e ardhshme. Për shembull, turizmi mund të jetë një nga sektorët që do të udhëheqë zhvillimin dhe OTP dëshiron të luajë një rol të madh në ofrimin e shërbimeve financiare lidhur me investimet në këtë fushë.

Cilat janë planet tuaja konkrete në lidhje me pjesën e tregut, markën, investimet potenciale, tregun e synuar, punonjësit, produktet e reja, etj.?

Ne kemi blerë një bankë të shkëlqyer me një normë të ulët të kredive me probleme. Pesha e bankës në totalin e kredidhënies është 10%, ajo e kredive hipotekore më shumë se 12% dhe banka është në gjendje të rritet në mënyrë organike. Menaxhimi i bankës është shumë i mirë. Z. Bledar Shella në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të OTP Bank Albania do të garantojë vazhdimësinë e zhvillimit dhe arritjet e mëtejshme. Sa i përket planeve të ardhshme, janë në proces hapjeje dy degë të reja dhe ne kemi plane për rinovimin e infrastrukturës së IT-së. Është gjithashtu qëllimi ynë që të përmirësojmë më tej cilësinë e dixhitalizimit dhe shërbimit ndaj klientëve.

Cili do të jetë avantazhi juaj kryesor konkurrues në tregun shqiptar?

OTP Bank Albania është bërë një anëtar i ri i një prej grupeve bankare më të suksesshme në Europë. Duke u bazuar në qëndrueshmërinë, potencialin për rritje dhe pëfitueshmërinë, OTP i është bashkuar klubit të bankave domethënëse europiane, duke mos qenë më vetëm një histori suksesi rajonale. Ne po zhvillohemi në rajon, të cilin – ashtu si dhe shtëpinë tonë – ne e njohim dhe e kuptojmë mirë. Vetë fakti që grupi i Societe Generale po tërhiqet nga tregu rajonal dhe OTP po zë vendin e saj tregon që OTP është në gjendje për zhvillim dhe rritje të mëtejshme.

Si një anëtar i grupit OTP, banka jonë e re në Shqipëri do të marrë më shumë vëmendje dhe mbështetje nga banka mëmë, çka do të ketë një ndikim pozitiv në zhvillimin e saj të mëtejshëm. Ne i kushtojmë theks të veçantë mundësive të dixhitalizimit dhe qëllimi ynë është që të bëhemi kryesues tregu atje ku jemi të pranishëm (dhe realisht e mundur) në të gjitha segmentet. Jam i sigurt se të gjitha këto do të sjellin ndryshime pozitive për klientët.

Si do i vlerësonit marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe si do të ndikojë hyrja e OTP-së në tregun shqiptar në këtë drejtim?

Ka shumë hapësirë për zhvillime në këtë fushë. Të gjitha kompanitë hungareze e njohin OTP-së, dhe unë kam besim se prania jonë do të nxisë sipërmarrjet hungareze për të bërë më shumë biznes në dhe me Shqipërinë, duke qenë se ato do të kenë një partner të njohur dhe të besueshëm në financa dhe këshillimet për biznes këtu. Jam tepër i sigurt se interesi i investitorëve hungarezë për Shqipërinë do të rritet në sajë të pranisë së OTP-së.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of