Bledar Shella, Drejtori i Përgjithshëm i Banka OTP Albania
Situata e izolimit në vend do të ketë ndikim te nxitja e përdorimit të shërbimeve që ofrojnë bankat në kanalet dixhitale. Bledar Shella, Drejtori i Përgjithshëm i Banka OTP Albania, në një intervistë për “Monitor”, thotë se tendenca do të vijë në rritje, duke u shoqëruar paralelisht me investime të vazhdueshme nga sektori bankar në këtë drejtim, për të ofruar gjithmonë e më shumë lehtësi.
Së pari, si është reflektuar situata që ka imponuar COVID-19 në punën e bankës suaj, flasim për stafin. Si janë integruar smart working dhe puna me orar nëpër degë dhe numri i degëve aktive?
Puna në Bankë nuk është ndërprerë në asnjë moment, por gjithsesi në përputhje me oraret e lejuara nga rregullat e regjimit të funksionimit në fuqi. Banka është institucion jetik për vendin dhe ne kemi vepruar në mënyrë të tillë që shërbimi ndaj klientëve të mos ndërpritet. Të gjithë degët e bankës kanë qenë dhe janë të hapura. Reduktimi i vetëm kalendarik i bërë është mbyllja e ditëve të shtuna, në kuadër të mbrojtjes sa më shumë; të punonjësve dhe klientëve.
Ndërkohë punonjësit rakordojnë metodën e funksionimit brenda skuadrave të tyre nën menaxhimin e supervizorit përkatës, në mënyrë që skuadrat të jenë të reduktuara në respekt të distancës së detyrueshme fizike dhe shmangien e ekspozimit të kolegeve shtatzëna, kolegëve me situata shëndetësore delikate dhe kolegëve mbi një moshë të caktuar.
Të gjithë kolegët që kishin udhëtuar jashtë vendit brenda periudhës së diktuar, janë në regjim pune nga shtëpia, të vetizoluar. Janë marrë të gjitha masat si për mbrojtjen e stafit në degë dhe për mbrojtjen e klientëve, si pajisja me maska, dezinfektimi i degëve dhe ATM-ve, vendosja e xhamave pecikllas tek arkëtarët, ruajtja e distancave etj.
Në zyrat qendrore sot kemi një përqindje të konsiderueshme të punonjësve që janë efektivë nga kushtet e shtëpisë me akses të plotë në rrjet dhe me komunikimin të mundësuar me Video me kolegët. Çdo mbledhje në bankë, në këto momente, realizohet në distancë me Video Calls.
Bankat edhe më parë, por sidomos tani, kanë nxitur përdorimin e shërbimeve në distancë apo përdorimin e kanaleve dixhitale ekzistuese internet banking apo mobile banking. A keni pasur rritje të përdorimit të këtyre alternativave këto ditë? Sa është rritja e përdorimit në internet dhe shkarkimi i aplikacionit mobile?
Ne nisëm që në fillim komunikimin në media me Video për rekomandim të përdorimit të të gjithë kanaleve dixhitale, drejtuar klientëve të Bankës dhe atyre që dëshirojnë të bëhen klientë në këtë kohë. Ne aktivizuam me shpejtësi ofrimin falas të çdo transaksioni në këto kanale dixhitale. Po, ka pasur rritje të kënaqshme. Në këtë kohë jemi përqendruar kryesisht në përmirësimin dhe lehtësimin e proceseve në fjalë për të gjithë klientët.
Cilat janë shërbimet që preferojnë kryesisht qytetarët të kryejnë përmes e-banking, po bizneset?
Shërbimet kryesore janë pagesat e ndryshme, kartave të kreditit, transferta me furnitorë të bizneseve të tyre apo pagat e punonjësve, pagesa të faturave të celularit, ujësjellësi, etj.
A janë sistemet e bankave të tilla që të përballojnë një rritje të menjëhershme të trafikut nga përdoruesit?
Banka OTP Albania e ka kapacitetin për çdo rritje eventuale; madje janë të mirëpritura.
Cilët janë avantazhet e përdorimit të sistemeve online në raport me paraqitjen fizike në bankë?
Ka disa avantazhe që ne i kemi komunikuar në çdo rast:
-Në kushtet aktuale, qytetarët janë fizikisht më të mbrojtur nëse nuk ekspozohen në mjedis me njerëz të tjerë.
-Mosprekja e parave CASH është një faktor që po diskutohet sot, si një tjetër masë mbrojtje. Kartat bankare, për shembull, janë të dezinfektueshme.
-Veprimet online janë më të shpejta sesa veprimet fizike, në termat e minutave që duhen.
-Nuk ka nevojë të ruhen mandate fizike, pasi çdo veprim ruhet në kartelën e klientit dhe ai mund t’i rikthehet për verifikime në çdo kohë.
Ka një seri faktorësh që e kufizojnë përdorimin e kanaleve dixhitale e lidhur kjo me një lloj mosbesimi te “bota virtuale”, siguria kibernetike, por sidomos edukimi financiar? Si reflektohen këto sjellje në sektorin bankar sot sipas jush dhe çfarë mund të bëhet për të përmirësuar këtë?
Në saktësim të shprehjes në pyetjen më lart; nuk ka shumë faktorë që e kufizojnë përdorimin. Ka vetëm faktorë dëshire në përdorim të kanaleve dixhitale. Bank OTP Albania e ofron Online Banking me Aplikacion që në vitin 2015. Është platformë e sigurt dhe siguria sa vjen e bëhet më e fortë. Veprimet që mund të bëhen në të shtohen kohe pas kohe.
Çfarë mund të bëhet? Banka, nga ana e saj, ofron falas shumicën e veprimeve në kanalet dixhitale. Komunikon vazhdimisht me klientët, dhe orienton forcën shitëse që të rekomandojë fort tek çdo klient pasjen dhe përdorimin e mënyrave inovative, si dhe në çdo rast, ata trajnojnë klientët që të jenë në gjendje të veprojnë online në mënyrë të pavarur.
A mendoni se situata e tanishme do të shërbejë si një nxitje për përdorim më të gjerë të e-banking, por edhe për rritjen e interesit për të investuar më shumë në sistemet dixhitale të bankave, duke shtuar numrin e shërbimeve që mund të kryhen online?
Padyshim që kjo situatë do të ndikojë me njohjen e mëtejshme të klientëve me platformat dixhitale dhe përparësitë që ofron ajo. Për sa u përket investimeve, mendoj se do të vazhdojë trendi i cili ishte përpara kësaj situate. Ne kemi investuar në kanalet dixhitale dhe ishte në planet tona për investime të mëtejshme, dhe përpara situatës së tanishme. Mendoj se situata nuk do të ndikojë për sa u përket investimeve.
Si mund të nxitet përdorimi i mëtejshëm i e-banking me politika lehtësuese?
Çmimet e shërbimeve në online banking janë më të ulëta sesa ato në degë dhe kjo është një politikë që promovon online banking. Madje në këtë periudhë, për t’u ardhur në ndihmë klientëve tanë, po ofrojmë çdo shërbim me online banking, madje dhe transfertat me jashtë, me kosto zero. Ne mendojmë se është çështje kohe, dhe e pashmangshme që në një kohë të afërt, çdo klient banke të ketë dhe të përdorë Bankën Online.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.