Autoriteti shqiptar i Konkurrencës ka njoftuar se SKB Banka d.d. Lubjana do të blihet nga OTP Bank Nyrt dhe se ky transaksionin edhe pse është kryer jashtë Shqipërisë është njoftuar për autorizim te Autoriteti shqiptar i Konkurrencës.
OTP Bank Nyrt është shoqëri aksionare hungareze me aktivitete ndërmjetësim monetar si dhe qira financiare, aktivitete të tjera të shërbimeve financiare, përveç fondit të sigurimeve dhe pensioneve; brokerimi i kontratave të letrave me vlerë; aktiviteti i agjentëve dhe brokerave të sigurimit; aktiviteti i menaxhimit të fondeve; aktiviteti i kontabilitetit; llogari-mbajtjes dhe auditimit, konsulencës fiskale; qiradhënia dhe operimi i pasurive të paluajtshme në pronësi ose me qera.
Aktualisht OTP është prezente nëpërmjet filialit të saj OTP Bank Albania SH.A. Shitësi është Societe Generale dhe nuk është më prezente dhe nuk ushtron asnjë aktivitet tregtar në Shqipëri. Shoqëria target, SKB Banka d.d. Ljubljana, është një shoqëri aksionare e themeluar sipas legjislacionit të Sllovenisë.
OTP Bank Nyrt synon të blejë 97.58% të kapitalit me të drejtë vote të SKB Banka dhe më pas 2.14% të aksioneve të zotëruara nga Généfinance SASU (filial i zotëruar tërësisht nga Société Genérale). Përqendrimi i propozuar ka të bëjë me përfitimin e drejtpërdrejtë të kontrollit influencues të SKB Banka d.d. Lubjana.
Autoriteti Konkurrencës thotë se “nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të Ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros” dhe si pasojë “ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës”.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga publikimi, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Sipas njoftimit “opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me fax (Nr. 0355 4 2234 497), me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën [email protected]”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.