Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka bërë të ditur se Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30 për qind të mjeteve nga Trusti u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30 për qind të kursimeve pensionale tani është në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Por nuk përkrahet nga Qeveria.
Në një iniciuesi i projektligjit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka ftuar të gjithë deputetët pa dallim partie që ta mbështesin këtë kërkesë të qytetarëve.
“Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Tërheqja e Trustit ka gjetur mbështetjen e partive opozitare. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë pro tërheqjes së re nga Trusti, ndërkohë pushteti e konsideron të dëmshme për ekonominë.
Qeveria më 21 prill kishte dalë kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti, pasi sipas saj, nuk i ndihmon kategoritë në nevojë.
“Edhe vet përqindja e fondit personal të tyre është e ulët”, ishte thënë nga Qeveria.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, konfirmoi të martën se janë kundër një tërheqjeje të re nga Trusti. Sipas tij, kjo do ta rriste më shumë inflacionin dhe do të pësonin familjet e varfra.
“Kjo do të shkaktonte precedent të rrezikshëm, pra po vërtetohet ajo që e kemi thënë edhe më parë për Trustin. Ky fond nuk do të mund të ndihmojë ato familje që kanë nevojë”, tha ai.
Në dhjetor të vitit 2020, Qeveria Hoti ua kishte mundësuar qytetarëve t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre. VV-ja atëkohë në opozitë nuk e kishte përkrahur vendimin, e as tash në pushtet nuk po e përkrah kërkesën e opozitës për tërheqje të sërishme.
Megjithatë, Haxhiu i PDK-së kishte deklaruar ditë më herët se edhe disa deputetë të VV-së i kanë thënë që do ta votojnë tërheqjen e Trustit, duke besuar se do t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për ta miratuar këtë Projektligj.
Kundër, ka dalë edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, pasi sipas tyre, masat e tilla janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin fondi ekziston.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka shprehur shqetësimin e saj për nismat legjislative për të mundësuar tërheqje e mjeteve nga Trusti Pensional.
OEAK përmes një komunikate për media ka thënë se masat e tilla janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin fondi ekziston.
“Oda Amerikane beson fuqishëm që masat e tilla janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin fondi i kursimeve pensionale ekziston dhe që masa do të kishte përfitime afatshkurta socio-ekonomike. Kursimet pensionale të qytetarëve duhet të mundësojnë një standard të dinjitetshëm të jetesës pas pensionimit të tyre, prandaj reduktimi i vlerës së kursimeve pensionale do të cenojë standardin e jetesës në moshën pas pensionimit”.
Edhe përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë kritikuar idenë për tërheqje të re nga Fondi Pensional.
Pro tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Trusti janë shprehur edhe përfaqësues të dy partive të tjera opozitare në Kuvend, LDK dhe AAK.
Pas ngritjes së çmimeve në treg, shumë nga qytetarët e shohin si të nevojshme një ndihmë nga qeveria.
Së fundmi është propozuar që qytetarët të mund t’i tërheqin deri në 30% të kursimeve pensionale nga Trusti. Ky propozim është mirëpritur nga këta të fundit, këtë e ka dëshmuar edhe hulumtimi i fundit i realizuar nga Pyper.
Vlera e investimeve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës aktualisht është mbi 2.3 miliardë euro.
Mjetet e Fondit të Kursimeve janë të investuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të ndryshme të Evropës.
Prej mbi 2.3 miliardë euro, 78 për qind e mjeteve janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare dhe rreth 22 për qind në Kosovë.
Fondi prej mbi 2.3 miliardë eurosh u takon mbi 700 mijë kontribut-paguesve të Kosovës.
Sipas të dhënave të Trustit këto para janë të investuara nëpër disa institucione nëpër Amerikë dhe nëpër disa shtetet të Evropës.
Në listën e publikuar nga Trusti tregohet se këto para janë të investuara në 24 institucione të ndryshme.
Të gjithë të punësuarit (e regjistruar) në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre, përkatësisht pesë për qind paguan punëdhënësi, kurse pesë për qind nga paga e të punësuarit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.