Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës tani kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli, ka dal kundër kryeministrit Albin Kurti rreth rritjes ekonomike.
Pacolli ka thënë se këtë vit nuk do të ketë rritje 7-8 %. Kurse, Kurti ka thënë se ekonomia e vendit sivjet do të rritet për 9,9 për qind.
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli është shprehur pesimist rreth paralajmërimeve për rritje ekonomike mbi 7 për qind në Kosovë.
Pacolli ka thënë se Kosova këtë vit ka gjasa të ruajë rritjen e saj ekonomike prej rreth 5 për qind, e cila është mesatarja e dy vjetëve të fundit e arritur falë remitancave të diasporës.
“Lexova që po pretendohet se në Kosovë do të ketë rritje të ekonomike mbi 7% në krahasim me vitin e kaluar. Vitin e kaluar kemi pasur një stagnim të ekonomisë për shkak të zgjedhjeve, ndryshimit të qeverive dhe pandemisë. Edhe pse ky krahasim nuk mund të jetë krahasim i mirë, prapë se prapë, për fat të keq këtë vit nuk do të ketë rritje ekonomike 7 apo 8 % ashtu si po pretendojnë”, ka shkruar Pacolli.
Sipas tij, investimet direkte që ndikojnë në ngritjen e standardit të jetesës, kulturës dhe edukimit të qytetarëve.
“Investimet në infrastrukturë si dhe investimet në progresin teknik në përgjithësi, që ndikojnë drejtpërdrejti në rritjen e sasisë dhe cilësisë së produkteve të vendit, e që janë veprimet kryesorë që kushtëzojnë rritjen ekonomike të një vendi”.
“Nëse këto zbërthehen, tregojnë se këtë vit në Kosovë nuk ka pasur investime të rëndësishme që kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve, nuk janë krijuar vende pune në masën e pretenduar, nuk ka pasur rritje të pagave ( hyrave), nuk ka pasur rritje të pensioneve ( përveç premtimeve për ndonjë ndihmë), nuk ka pasur krijime të reja të operatorëve ekonomik, nuk ka pasur të hyra shtesë për shtetin (përveç remitancave)”, ka shtuar Pacolli.
Tutje, tha se i gjithë viti 2021 karakterizohet me ngecje të investimeve në infrastrukturë, nuk ka pasur ndërtime të reja infrastrukturore (të çfarëdo lloji) apo edhe riparime të dëmeve nga përmbytjet e vitit të kaluar.
“Gjithashtu nuk ka asnjë shenjë se ka ndryshime të mëdha në rritjen e PBB-së krahasuar me vitin e kaluar kur ekonomia e vendit filloi të ngecë”, vazhdoi ai.
Pacolli konsideron se tendenca për të krijuar narrativën se ka rritje ekonomike, (që bazohet në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, pa rritur të hyrat) është thjesht një “simulim” apo një tendencë për të bindur se ka rritje të produktivitetit…, e sipas tij kjo nuk është rritje reale ekonomike.
“Kosova këtë vit ka gjasat të ruaj rritjen ekonomike afër 5%, që është mesatarja e dy viteve të fundit edhe atë fal vëllimit të remitencave e jo faktorëve të rëndësishëm që përmenda më lart”, shkruan Pacolli.
Ky reagim i Pacollit erdhi pasi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se po beson se nëse vazhdohet me këtë rritje ekonomike Kosova do t’i afrohet edhe Kroacisë.
Kurti ka deklaruar se ky vit ka qenë me shumë shpresë dhe optimizëm për qytetarët, duke rezultuar edhe me rritje ekonomike.
“Duke u bazuar në të dhënat e BQK-së, ekonomia e vendit tonë sivjet do të rritet për 9,9 për qind. Pra, praktikisht për herë të parë do të kemi rritje dyshifrore të përqindjes së bruto-produktit vendor për ekonominë tonë. Këtë vit Kosova e ka filluar me një tkurrje ekonomike prej 3,1 për qind sipas Bankës Botërore, e tash sipas BQK-së do të arrijmë realisht në rritje dyshifrore apo 10 për qind”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq shtoi se të gjithë po i frikësohen rritjes ekonomike dyshifrore, ku theksoi sedo t’i afrohemi Kroacisë nëse vazhdojmë me këtë rritje ekonomike.
“A e dini çfarë do të thotë nëse përgjatë viteve të kësaj dekade ne vazhdojmë me rritje ekonomike prej 10 për qind? Ne do i afrohemi Kroacisë. Nëse vazhdojmë vit pas viti me këtë rritjen 10 për qind që është e pashembullt në Ballkan ne do t’i afrohemi vendit që së fundmi iu bashkua BE-së”.
Qeveria e Kosovës javën e kaluar e ka miratuar buxhetin për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro, 8.7 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti, apo 220 milionë euro më shumë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se objektivat janë ringjallja ekonomike, riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe përkrahja e punësimit.
“Projektbuxheti i vitit 2020 ka për qëllim konsolidimin e ringjalljes ekonomike pas COVID-19, sigurimin e qëndrueshmërisë së financave publike, riorientimin e ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit dhe përkrahjen e punësimit të zhvillimit të qëndrueshëm. Si tërësi buxheti i vitit 2022 pritet të arrijë vlerën e 2,748,000,000 duke shënuar një rritje prej 8,7 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.