Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2019, është 51.531 lekë, duke u rritur me 4,9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Ndërsa në raport me tremujorin e fundit 2018, pagat kanë rënë me 1.5%.
Gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 97,4% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-sektorin e Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit, është 26,3% më e ulët.
Paga mesatare e atyre që punojnë në aktivitetet bankare dhe të sigurimit ishte 101.7 mijë lekë. Por, pagat e këtij sektori kanë shënuar rënie me gati 9%, teksa sistemi bankar është përfshirë në një periudhë të ethshme shitjesh e blerjesh dhe numri i bankave ka zbritur nga 16 në 12.
Sektori i dytë, më i paguari, është ai i informacionit dhe komunikacionit, me një pagë mesatare prej rreth 76 mijë, me një rënie të lehtë në raport me tremujorin e fundit.
Gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi, ka rritjen më të madhe prej 16,3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa ndërtimi është i vetmi grup-aktivitet që ka ulje prej 2,8%. Paga mesatare për aktivitetin e çlodhjes ishte 54 mijë lekë, ndërsa për ndërtimin 42.4 mijë lekë.
Gjatë tremujorit të parë 2019, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 87,6% më e lartë, sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve është 37,2% më e ulët.
Paga për grup-profesionin e nëpunësve ka rritjen më të madhe prej 8,1% gjatë tremujorit të parë 2019, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa për grup-profesionin e të punësuarve si në Forcat e Armatosura ka uljen më të madhe, prej 0,4%.
Sektori më pak i paguar në ekonomi është bujqësia me rreth 38 mijë lekë në muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.