Parashikimi për norma më të larta të rritjes ekonomike në Greqi ka krijuar edhe skenarë të rritjes së pagës minimale, e cila pritet të rritet me 2 për qind që nga 1 janari 2022.
Ministri i Punës Kostis Hatzidakis nuk e përjashtoi një mundësi të tillë, ndërsa njoftoi gjithashtu masa shtesë për të mbështetur punëtorët dhe të papunët në muajt e ardhshëm, përtej atyre që kryeministri njoftoi të shtunën e kaluar në Selanik.
Masat e paraqitura nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut, në lidhje me veprimet që Ministria e Punës do të zbatojë, parashikojnë një fond shtesë deri një miliard euro mbështetje jo vetëm për punëtorët dhe të papunët, por edhe për punëdhënësit.
Hatzidakis tha se masat e marra kanë të bëjnë me tre nga prioritetet qendrore të qeverisë, të cilat janë forcimi i punësimit (veçanërisht për të rinjtë), zvogëlimi i ngarkesave të taksave dhe sigurimeve shoqërore të punës dhe përmirësimi i të ardhurave reale të punëtorëve.
Ai tha se normat e larta të rritjes ekonomike do të reflektohen edhe në pagat e punëtorëve. Duke iu referuar rritjes së pagës minimale në veçanti, ministri deklaroi se qeveria ka marrë vendimin për një rritje prej 2% vitin e ardhshëm, pasi ka analizuar të gjitha kushtet në vitin 2021.
Sidoqoftë, shtoi ai, procesi i ri i konsultimit mbi pagën minimale do të fillojë në fillim të vitit 2022, dhe pasi të ketë marrë parasysh vendimet e subjekteve kompetente, qeveria do të bëjë të ditur qëndrimin e saj dhe “do të ketë një pasqyrim të synimit të qeverisë për një divident social, “vuri në dukje ai.
“Vullneti dhe rekomandimi ynë është që dividenti i shtuar social të reflektohet në pagën minimale,” tha Hatzidakis.
Ai shprehu kënaqësinë e tij me shifrat zyrtare të papunësisë, duke vënë në dukje se që kur kjo qeveri erdhi në detyrë, ka pasur një rënie të shkallës së papunësisë prej rreth tre pikë përqindjeje./ Ekathimerini