Flet Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë në Kosovë
Që nga ky vit, Kosova pothuajse ka dyfishuar pagat në sektorin e shëndetësisë, duke i çuar ato në nivele të krahasueshme me rajonin. Një mjek specialist në spital në Kosovë paguhet me 1200 euro aktualisht, nga 661 euro vitin e kaluar.
Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, tha në një intervistë për Monitor, se rritja e pagave u aplikua për të frenuar emigrimin e trupës shëndetësore drejt Gjermanisë. Ai tha se, pas rritjes së pagave, largimi i mjekëve është frenuar dhe tani Kosova renditet ndër vendet e para në rajon për nivelin e lartë të pagave në sektorin e shëndetësisë.
Ministria juaj ka dyfishuar pagat për punonjësit e shëndetësisë (mjekët, infermierët etj.). Pse është vendosur të bëhet dyfishimi i pagave?
Padyshim, përgjigjja e parë dhe më e drejtë është: Sepse ata e meritojnë. Por, natyrisht, nuk është kaq e thjeshtë. Profesionistët e shëndetësisë në Kosovë, prej një kohe shumë të gjatë kanë punuar në kushte jo të mira dhe paga jo dinjitoze. Krahas kësaj, vitet e fundit ka pasur një largim të mjekëve dhe infermierëve nga Kosova në shtetet e Europës, kryesisht në Gjermani. Në përgjithësi, sektori i shëndetësisë në Kosovë, që nga paslufta, është lënë anash, pa qenë asnjëherë prioritet.
Me ardhjen në krye të këtij dikasteri, ministri Uran Ismaili ka nisur një sërë reformash për të hapur një faqe të re për shëndetësinë. Reforma që prekin qytetarin, por edhe profesionistët e shëndetësisë. Është investuar në infrastrukturë, pajisje mjekësore, rinovim dhe ndërtim të klinikave të reja në njërën anë.
Në të njëjtën linjë me këto reforma, edhe profesionistëve të shëndetësisë u është dhënë një vend i merituar në shoqëri, duke i rritur pagat për ta, si më të lartat në rajon. Kjo rritje është edhe një hap konkret, që profesionistët e shëndetësisë në Kosovë ta shohin vendin e tyre si mundësi kontributi dhe zhvillimi e jo vendet e tjera.
A do të rriten ende pagat e punonjësve të shëndetësisë?
Hapi i parë ka qenë ky. Profesionistët e shëndetësisë në Kosovë tashmë kanë pagat më të larta në rajon. Natyrisht, në një moment tjetër, me zhvillimin ekonomik edhe të vendit, në bazë të rritjes buxhetore, profesionistët e shëndetësisë do të kenë vendin e merituar.
Si qëndron Kosova në raport me shtetet e rajonit për sa u përket pagave për punonjësit e shëndetësisë?
Pas ligjit të ri për pagat, asnjë nga shtetet në rajon nuk i paguan më shumë profesionistët e shëndetësisë.
Është raportuar shumë se mjekët po ikin nga Kosova dhe po shkojnë në shtete të Perëndimit për të punuar. A mendoni se do të ulet numri i atyre që duhan ta lënë Kosovën pasi është bërë rritja e pagave?
Numri ka nisur të ulet, edhe pse ende jo kënaqshëm. Natyrisht, kjo ka qenë edhe një prej arsyeve për rritjen e pagave, pasi që pas aq shumë vitesh shkollim, pagat të cilat i kanë marrë deri më sot në sektorin publik, kanë qenë zhgënjyese.
A keni të dhëna sa mjekë kanë ikur nga Kosova deri më tani?
Në dekadën e fundit, ndoshta numri mund të arrijë 1 mijë, që është numër shumë i lartë për shkak se Kosova, edhe pse një vend i vogël, ka nevojë për më shumë mjekë që të shërbejnë në sektorin publik. Prandaj, nisja e politikave të reja qeverisëse, me shëndetësinë në qendër, synon që ta minimizojë këtë trend.
Cilat janë planet për shëndetësinë në Kosovë gjatë këtij viti?
Vazhdimi i investimeve në modernizimin e aparaturave mjekësore dhe shtimi i shërbimeve të reja. Përmes kësaj, t’i mbrojmë qytetarët nga shpenzimet e larta financiare në klinika private. Le të marrim vetëm një shembull. Me nisjen e shërbimit 24-orësh për kujdesin e zemrës dhe stentimin në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK, janë kursyer rreth 10 milionë euro të qytetarëve vetëm në vitin e parë të këtij shërbimi, të cilat ata do t’i shpenzonin në institucione private. Kjo është politika. Shërbime të reja, 24-orëshe, heqje të listave të pritjes për shërbime mjekësore, kushte më të mira pune për profesionistët e shëndetësisë, që ata të mund të rrisin shkathtësitë e tyre profesionale dhe kthim të dinjitetit.
Ku do të investohet më shumti?
Pajisje dhe infrastrukturë. Tani është në përfundim spitali kirurgjik-pediatrik. Spitali i Ferizajt është në proces ndërtimi, Qendra e Mjekësisë Sportive po ashtu, rinovime të shumta nëpër klinika dhe spitalet e përgjithshme, forcimi i kujdesit parësor shëndetësor në bashkëpunim me komunat etj.
A duhet të ndërtohen ende spitale dhe qendra të tjera shëndetësore në Kosovë?
Sa më shumë objekte ku ofrohen ndihma shëndetësore të ketë, aq më mirë është për qytetarët. Ata do të kenë mundësi që të marrin edhe më shpejt shërbimet e tyre. Prandaj është duke u planifikuar që edhe Prishtina të ketë një spital të qytetit, që edhe të shkarkohet QKUK-ja nga vlugu i punës, por në të njëjtën kohë edhe qytetarët e Prishtinës të kenë një adresë më të shpejtë për sëmundjet e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.