Institucionet publike që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore apo shëndetësore të administratës mund të hyjnë në marrëveshje për pagesë me këste. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka bërë disandryshime në udhëzimin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” ku nënvizon se përjashtimisht vetëm entet publike mund të përfitojnë nga kjo lehtësi. “Në rastet kur në cilësinë e tatimpaguesit janë institucione apo ente shtetërore apo publike, qendrore apo vendore apo ente të tjera ku shteti është palë, për raste të një interesi të lartë publik ose të nevojës për moslejimin e cenimit të rendit dhe të sigurisë kombëtare, mund të lidhet një marrëveshje me këste edhe për detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” thuhet në udhëzim.
Ndryshimi vjen në të njëjtin udhëzim ku janë prekur edhe pika të tjera si ajo për rastet e lidhjes së marrëveshjes për pagesë me këste të disa detyrimeve nga ana e bizneseve. Sipas këtij udhëzimi marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore si rezultat i një vlerësimi tatimor të kryer, dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara (vetëvlerësimit) nga tatimpaguesi.
Por pavarësisht hapësirave që mundësohen për pagesë me këste udhëzimi sqaron se administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste, vetëm për detyrim tatimor mbi të ardhurat të mbajtur në burim dhe të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, si dhe për detyrim nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tatimpaguesit.
Në çdo rast udhëzimi sqaron se hyrja në marrëveshje për pagesë me këste nuk lehtëson pozitën ligjore të personit përgjegjës në rastet e prezumimit apo konsumimit të veprës penale së parashikuar ligjërisht lidhur me detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësor.
Një raporti i mëparshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit por edhe vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë vlerësuar se mospagesa e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore po kthehet në problematikë të theksuar sidomos për bashkitë. Këto të fundit rezultojnë me mospagesa në vite të kontributeve të punonjësve të punësuar pranë tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.