Flet Plarent Hamzaj, Zv.Drejtor i Përgjithshëm i ALBSIG
Kompanitë e sigurimit mbajtën një peshë jo të vogël në pagesën e dëmeve nga tërmeti. Pjesa më e madhe e tyre ishin banesa të siguruara për efekt të kredive. Ajo që u vu re në këtë rast ishte ecuria e shpejtë e pagesave, e lidhur me faktin se ky portofol është i risiguruar.
Plarent Hamzaj, Zv.Drejtor i Përgjithshëm i ALBSIG, tregon se janë paguar për ngjarjet e tërmetit vetëm nga kjo kompani 12 milionë euro. Lidhur me modelin e sigurimit që duhet të aplikohet tek prona, ai thekson se duhet të bëhet i detyrueshëm.
Fillimisht, vlen për t’u theksuar fakti që shoqëria Albsig ishte shoqëria më e ekspozuar lidhur me ngjarjet e dy tërmeteve, atë të shtatorit dhe nëntorit 2019. Shoqëria me numrin e kërkesave për dëmshpërblim më të lartë në nivel tregu, lidhur me ngjarjet e sipërpërmendura, si rezultat i zotërimit të pjesës më të madhe të tregut të sigurimit të pronës në rajonin Tiranë – Durrës, por edhe në nivel kombëtar.
Me rreth 1330 kërkesa për dëmshpërblim lidhur me tërmetin e 26 Nëntorit 2019, Albsig, falë korrektësisë së treguar në procesin e vlerësimit ka paguar në një kohë rekord, deri tani, një vlerë rreth EUR 11,000,000, pa llogaritur këtu kërkesat dhe pagesat e dëmeve të tërmetit të shtatorit 2019.
Duhet nënvizuar edhe fakti që, referuar të dhënave të AMF (Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare), shoqëria e sigurimit ALBSIG rezulton të ketë numrin më të ulët të praktikave të dëmeve të mbetura pezull (të papaguara) ndër vite në nivel tregu, me vetëm 339 raste, për një vlerë totale prej rreth 493 milionë lekësh, ku një pjesë janë dosjet e dëmshpërblimit për tërmetin e nëntorit 2019, gati për t’u paguar në momentin kur do të ketë një vendim përfundimtar nga strukturat e pushtetit vendor, mbi disa godina apo objekte, për të cilat nuk ka konkluzion përfundimtar nëse do të shemben apo riparohen.
Në total, shuma e dëmshpërblimit lidhur me tërmetet e ndodhura gjatë vitit 2019, paguar nga Albsig, arrin vlerën rreth EUR 12,000,000.
Sa nga kjo shumë është paguar direkt dhe sa nga risiguruesit?
Sigurisht, referuar kontratës së sigurimit, shoqëria Albsig ka paguar direkt të siguruarit për vlerën totale të dëmshpërblimit, vlerë e cila është kompensuar përkundrejt nesh, në pjesën më të madhe nga partneri ynë risigurues, Hannover Re.
Si është e ndarë kjo shumë mes zonave të ndryshme?
Siç e përmenda edhe më lart, referuar zonës së prekur nga tërmeti, qytetet me numrin më të lartë të të siguruarve ishin Tirana dhe Durrësi, pra nivelet më të larta të dëmeve të paguara nga shoqëria Albsig për struktura të dëmtuara nga tërmeti janë Durrësi dhe Tirana.
Cilat janë disa nga problemet kryesore që keni hasur gjatë procesit të identifikimit të dëmeve dhe procesit të kompensimit?
Procesi i identifikimit e vlerësimit të dëmeve të tërmetit në përgjithësi për Albsig ka ecur mirë, kjo edhe për vetë faktin sepse ne angazhuam menjëherë disa ekipe ekspertesh të fushës që u morën me vlerësimin e dëmeve në objektet e të siguruarve tanë.
E vetmja pengesë për të vlerësuar e për të dëmshpërblyer ishte siç e përmenda më lart, procesi që lidhet me struktura, të cilat janë goditur nga tërmeti, qoftë këto industriale apo rezidenciale, për të cilat nuk është marrë vendimi përfundimtar lidhur me shkatërrimin apo riparimin e tyre nga organet e pushtetit vendor.
Si ka qenë interesi për t’u siguruar për fatkeqësitë e natyrës pas tërmetit? Sa e vlerësoni rritjen e primeve, d.m.th. a ka pasur ndërgjegjësim të klientëve?
Korrektësia e ALBSIG, dhe dëmshpërblimet në kohë rekord, janë shpërblyer me besim të qytetarëve dhe bizneseve ndaj shoqërisë. Kjo reflektohet edhe në shifrat e periudhës janar-shtator 2020 në tregun e sigurimit, për sa i përket kategorisë së sigurimit nga “zjarri dhe forcat e natyrës”, ku ALBSIG ka një rritje me rreth 24% të primeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja më e madhe vjen sërish si rezultat i konsolidimit të mëtejshme të punës së Albsig me Bankat financuese në projekte të ndryshme apo financime për banesa, që e lidhin detyrimisht procesin e kredidhënies me pajisjen me polica sigurimi të pronës.
Kërkesa për produkte sigurimi lidhur me mbrojtjen e pronës apo bizneseve në tërësi, mbetet tepër e ulët në Shqipëri. Menjëherë pas ngjarjeve të tërmetit pati një kërkesë në rritje të klientëve individë, më së shumti për sigurimin e banesave, kërkesë e cila u mbështet me paketat familjare shumë konkurruese të sigurimit të pronës nga Albsig. Megjithatë, kërkesa u zbeh ndjeshëm me hyrjen e vitit 2020 dhe fillimin e pandemisë.
Ka disa nisma për sigurimin e detyrueshëm për fatkeqësitë natyrore. Sipas jush, cili do të ishte modeli më i mirë?
Po ka pasur prej kohësh nisma për të ngritur një skemë të sigurimit të detyrueshëm për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, si nga ana e tregut, ashtu edhe nga ana e qeverisë apo institucioneve financiare ndërkombëtare, por pa asnjë të re deri më sot.
Për mendimin tim, modeli më i mirë do të ishte një ligj, që detyron gjithsecilin për të siguruar pronën pranë shoqërive të sigurimit që operojnë në Shqipëri.
Kjo do të krijonte një skemë gjithëpërfshirëse mbarëkombëtare për mbrojtjen ndaj rreziqeve katastrofike, duke bërë të mundur kompensimin në kohë reale nga ana e shoqërive të sigurimit për individët, të cilët mund të preken nga këto ngjarje, si dhe heqjen e një barre të rëndë financiare për shtetin, kosto të cilën do ta mbajnë shoqëritë e sigurimit me partnerët risigurues ndërkombëtarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.