Kompanitë e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve rrugore kanë afat deri sot të dorëzojnë në Drejtorinë e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) kërkesën për marrje me qira të ambienteve në sallat e shërbimit.
Më 18 nëntor përfundon afati për dorëzimin e kërkesave nga kompanitë e sigurimit që kërkojnë të ofrojnë shërbimin e tyre për siguracionin e makinave, brenda drejtorive rajonale.
Në kërkesën për shprehje të interesit të publikuar nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës theksohet se dhënia e ambienteve me qira për kompanitë e sigurimit bëhet në kuadër të reformës të derregullit dhe parimit One-Stop Shop, për uljen e informalitet dhe të kostove.
“Qëllimi i këtij bashkëpunimi synon uljen e informalitetit, burokracive, ndërmjetësimit informal dhe rritjen e sensibilizimit qytetar për finalizimin në një sportel të vetëm, të gjithë procedurës për formalizimin e qarkullimit të mjetit në rrugë.
Uljen e barrës financiare ndaj qytetarëve për marrjen e këtij shërbimi, pasi në kuadër të reformës së derregullimit, DPSHTRR-ja siguron vetë nëpërmjet sistemit informatik gjithë të dhënat korrekte për dokumentacionin e mjetit, debitë ndaj tij si vërtetim për taksa etj, konfirmim në interpol, konfirmim nga RBS, regjistrim për herë të parë dhe/ose regjistrim për ndryshim pronësie etj.
Angazhimin maksimal, për realizimin e planit të veprimit me prioritet shërbimin efektiv ndaj qytetarit, ngarkuar nga Kryeministri, për çdo shërbim që ka lidhje me mjetin, me sigurinë e qytetarëve që janë subjekt i marrjes së shërbimeve të DPSHTRR-së, si dhe me kontributin në buxhetin e shtetit shqiptar”, citohet në dokumentet e Ministrisë të Infrastrukturës.
Ministria e Infrastrukturës shpjegon se ofrimi edhe i këtij shërbimi në sportelet e drejtorive rajonale të transportit kursen kohën për qytetarët, të cilëve u mundësohet finalizimi i procedurave për mjetin para daljes në qarkullimin, në një sportel. Marrja e ambienteve me qira nuk është e detyrueshme për kompanitë e sigurimit dhe paraqitja e kërkesës bëhet në vullnetin e tyre të lirë./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.