Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Europian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Europian. Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë 1 nëntori i vitit 2023 ose jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Qytetarët e Kosovës me shumë gjasë në fund të vitit 2023 do të mund ta shëtisin Evropën pa viza.
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian janë pajtuar të mërkurën për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi europian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Presidenca Çeke e BE-së tani do t’i nisë negociatat me Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza.
“Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm para për udhëtim pa viza për Kosovën dhe tash shpresojmë të arrijmë marrëveshje me Parlamentin Europian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm për shkak të përpjekjeve të Kosovës për t’i forcuar kontrollet kufitare, menaxhimin e migrimit dhe sigurinë, dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media të publikuar të mërkurën në uebfaqen e Këshillit Evropian.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, i është gëzuar vendimit të ambasadorëve të shteteve anëtare të Bashkimi Evropian për ta çuar përpara procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën.
Rohde tha se është një vendim i vonuar të cilin Gjermania e ka mbrojtur fuqishëm.
“Më në fund. Një vendim i vonuar prej kohësh të cilin Gjermania e ka mbrojtur fuqishëm!”- tha Rohde.
Ambasadorët kanë hapur rrugën që shpejt të përmbyllet procedura që duhet kalojë sipas ligjeve të BE-së. Më vonë do të kthehet prapë në Këshill ku do të miratohet formalisht në nivel të ministrave të BE-së.
Sipas vendimit, Kosova duhet të synojë të arrijë marrëveshje me vendet anëtare të BE-së për ripranim. Vlen për vende me të cilat Kosova akoma s’ka marrëveshje. Po ashtu nga Kosova pritet të përshtatet politika e vizave për qytetarët e vendeve të treta me regjimin e vizave që ka BE-ja.
Vendimi i ambasadorëve ishte paraparë të merrej javën e shkuar, por u hoq nga rendi i ditës me arsyetimin “për shkak të situatës në veri”, në kohën e tensioneve për targat.
Ishte hera e parë kur një vendim i procesit të liberalizimit u lidh me dialogun në mënyrë direkte.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.
Kjo, përkundër faktit se Komisioni Europian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.