Të flasësh për bankën qendrore mund të duket e thjeshtë, pasi ka shumë materiale dhe dokumente vetëshpjeguese, edukuese, kërkimore dhe publikime. Në këto rrjeshta ne zgjodhëm formatin historik të trajtimit të saj1. Ndërsa, për të folur për banka qendrore të veçanta, kërkohet një njohje e hollësishme, përfshi edhe faktet dhe ngjarjet jopublike, e strukturës së tyre, organizimit, praktikave të punës, si dhe personaliteteve të bankës qendrore dhe të qeverisë.Çfarë kemi mësuar nga përvoja historike e veprimtarisë së bankës qendrore? Institucionet që ne i njohim me emrin banka qendrore filluan të funksionojnë dhe u themeluan si banka tregtare ose si banka të qeverisë. Evoluimi i tyre në banka qendrore erdhi, veç të tjerave, së bashku me monopolin që ato kishin për të emetuar monedhat si dhe si alternativë e fundit e huadhënies për bankat. Për sa kohë bankat qendrore kryenin biznes tregtar kishte konflikt interesash, ndërkohë që varësia nga qeveria ishte një pengesë shumë e madhe për të arritur rezultate të mira.Në këndvështrimin historik, bankat qendrore janë institucione relativisht të reja. Në këtë konkluzion mund të arrihet lehtësisht po të shohim se instrumentet e pagesave kanë gjurmët e tyre në kohë të lashta (para erës sonë), ndërkohë që bankat qendrore janë zhvilluar gradualisht vetëm para rreth 300 vjetësh. P.sh., po të marrim parasysh se Banka e Anglisë u themelua kur Johan Sebastian Bah2 ishte nëntë vjeç, ka ndonjë që mund t i emërtojë bankat qendrore si institucione të tipit barok. Misionet e para të bankave qendrore ishin që të funksiononin pak a shumë si makina të krijimit të parasë. Kjo është shprehje e përdorur nga një historian për Bankën e Anglisë në fillim të ekzistencës së saj. Në atë kohë, banka funksiononte si një bankier i shtetit dhe administrues i borxhit kombëtar, duke kontribuar në financimin e luftërave dhe në zgjerimin e perandorisë. Po të shohim zhvillimin e vendeve që kishin banka qendrore, mund të themi se në fillimet e tyre këto kontribuan në emancipimin ekonomik, ambicjen dhe fuqinë ekonomike të shteteve, që i kishin krijuar. Për shkak të fuqisë që iu dha si banka qendrore, ato në mënyrë graduale morën funksione të tilla si banka e bankave, alternativa më e fundit e huadhënies, rregullator i aktivitetit financiar dhe emetues i privilegjuar i parasë. Të gjitha këto funksione mbizotëruan duke konturuar profilin e tyre në historinë e bankës qendrore. Në krahasim me këto, politika monetare ashtu siç praktikohet sot, është një disiplinë që praktikohet vetëm nga banka qendrore. Pika e nisjes për një bankë qendrore është një sistem bankar, i cili ekziston. Është pikërisht ky sistem që kërkon bankën qendrore. Mund të argumentohet shumë mirë se banka qendrore, me disa përjashtime ku përfshihet Banka e Anglisë, është një fenomen i lidhur me shekullin e njëzetë dhe që lindi për t u marrë me problemet e mundshme të sistemit bankar. Banka e Anglisë3 u themelua në vitin 1694, por atëhere nuk kishte koncept të bankingut qendror. Në fillim të shekullit të njëzetë kishte vetëm 18 banka qendrore. Më vonë ky koncept u pranua sistematikisht dhe institucionet e këtij lloji u krijuan gjerësisht në vendet më të zhvilluara, duke shkuar në 59 banka në vitin 1950 dhe 161 banka qendrore në vitin 1990. Po çfarë bën një bankë qendrore? Aktiviteti i çdo banke qendrore mund të reduktohet në funksionin e tyre makroekonomik dhe atë mikroekonomik. Funksioni makroekonomik është që të ruajë vlerën e monedhës së një vendi, gjë që njihet nga të gjithë si qëndrueshmëria e çmimeve. Funksioni mikroekonomik është ruajtja e qëndrueshmërisë së sistemit bankar. Ruajtja e qëndrueshmërisë së çmimeve pothuajse gjithmonë është arritur duke përdorur të njëjtin instrument: normën e skontimit të bankës qendrore, që njihet ndryshme edhe si interesi bazë. Në të gjithë historinë e bankave qendrore ka pasur tensione dhe përplasje midis funksionit të tyre në ruajtje të qëndrueshmërisë së çmimeve dhe funksionit si bankier i qeverisë. Ndërsa bankat qendrore janë krijuar me ligj, duke pasur si detyrë të jenë bankier i qeverive, këto të fundit kanë një preferencë natyrale për të marrë financime të lira (me interes të ulët) nga banka e tyre, sidomos në raste të veçanta si p.sh. luftërat. Në përgjithësi, qeveria ka edhe fuqinë edhe nxitësin që të detyrojë bankën qendrore për t i dhënë prioritet nevojave të saj.Roli i alternativës së fundit për huadhënie (ose huadhënësit më të fundit në radhë) është diskutuar shumë shpesh midis ekonomistëve dhe specialistëve të bankave qendrore. Në përgjithësi, mund të thuhet së banka qendrore e përmbush këtë funksion kur ajo pranon përgjegjësinë për ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar. Në disa raste, kur bankat qendrore kanë edhe pjesëmarrje private në pronësi, problemet e huadhënies për bankat e tjera shndërrohen edhe problem biznesi. Mirëpo gjithmonë kur flitet për qëndrueshmërinë e sistemit bankar, gjë që ndikon shumë në realizimin e funksionit makroekonomik të bankës qendrore, alternativa e fundit për huadhënie konceptohet realisht si alternativë e fundit. Në anën tjetër, banka qendrore kryen operacionet e tregut të hapur, që përbëjnë në fakt mjetin kryesor me të cilin ajo, duke përdorur një normë të caktuar interesi, ndikon në volumin e ofertës dhe kërkesës së parasë në ekonomi. Gjë që do të thotë se me veprimet e saj çdo bankë qendrore krijon kushtet e nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike të një vendi. Veprimet në treg të hapur, duke u nxitur edhe më shumë nga rritja dhe zhvillimi i sistemit bankar, ndikojnë në rritjen e efektivitetit të politikës monetare të bankës qendrore. E përmendëm pak politikën monetare kur filluam të shpjegojmë krijimin historik të bankave qendrore, mirëpo për nga radha ky është funksioni më i rëndësishëm i një banke qendrore. Në kohën e sotme, kur thuhet bankë qendrore kuptohet më së shumti politika monetare, e cila nëpërmjet instrumenteve dhe veprimeve synon të realizojë objektivin kryesor për një bankë qendrore (atë makroekonomik) ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve. Rregullimi dhe mbikëqyrja bankare janë funksionet kyçe mikroekonomike të bankave qendrore, të cilat siç u përmend më parë, funksionojnë si alternativa e fundit për kredi. Rregullimet bankare, pothuajse gjithmonë kanë ardhur të nxitura nga praktika. Këto kanë funksionuar edhe para të qenit alternativa e fundit e huadhënies, ndërkohë që mungesa ose të metat e tyre janë konsideruar edhe si shkaktare të disa krizave. Në funksione të tjera mikroekonomike të bankave qendrore përfshihen prodhimi dhe emetimi i parasë dhe sistemet e pagesave. Të drejtën e emetimit të parasë së një vendi, bankat qendrore e fituan që në fillimet e krijimit të tyre, duke justifikuar kërkesën e qeverisë për para, sidomos në kohërat e luftrave ose më vonë të krizave. Kjo e drejtë financimi, që u bëhet qeverive, dhe emetimi i parasë në qarkullim për të plotësuar nevojat e ekonomisë dhe të individëve u jep bankave qendrore të drejtën e lordit për të fituar para. E drejta e lordit, e thënë më thjesht është fitimi që realizojnë bankat qendrore nga diferenca midis kostos nominale të shtypjes së parasë dhe vlerës nominale të parasë, e cila shton vetveten duke qarkulluar disa herë deri në daljen fizike jashtë përdorimit. Edhe sistemet e pagesave i shërbejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë realizimit të funksioneve makroekonomike të një banke qendrore. Duke pasur detyrën e licencimit të institucioneve bankare dhe duke qenë banka e bankave, shumë lehtë nëpërmjet përdorimit të sistemeve dhe mjeteve të pagesave ndikohet dhe përmirësohet rrjedhja e parave në një ekonomi. Duke shpjeguar funksionet dalin në pah objektivat. Po si mund të arrijnë bankat qendrore në realizimin e objektivave të tyre? Një përparësi e madhe është pavarësia e bankës qendrore. Çfarë është pavarësia? Profesor Capie e ka formuluar atë si e drejta për të ndryshuar variablin e veprimeve pa një konfrontim ose konsultim me qeverinë. Në fakt, me këtë formulim ose me ndonjë formulim tjetër është e vështirë që të gjykosh mbi shkallën e pavarësisë, duke u nisur nga ligjet e bankave qendrore, të cilat janë modifikuar disa herë nga krijimi i tyre. Problemi i variablit të veprimeve4 në shumicën e rasteve trajtohet me ligj. Mirëpo edhe pse e formuluar me ligj, sa zbatohet në praktikë ? Kjo tregon se për të folur për banka qendrore të veçanta, kërkohet një njohje e hollësishme, përfshi edhe faktet dhe ngjarjet jopublike, e strukturës së tyre, organizimit, praktikave të punës, si dhe personaliteteve të bankës qendrore dhe të qeverisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.