Pengesa më e madhe që fermerët shqiptarë të rriten është te pamundësia për të bërë investime. Ndërsa janë të interesuar, financimet nga bankat dhe institucionet e tjera financiare u duken të pafavorshme, aq sa dalin “duarbosh” nga dyert e bankave.
Në fakt, kreditimi i bujqësisë është një problem i pazgjidhur për shumë vende edhe në Europë, pasi bujqësia ka ritëm më të ngadaltë të kthimit të vlerës së investimit krahasuar me të gjithë sektorët e tjerë. Por, në vendin tonë ky shqetësim është shumë më i ndjeshëm, sepse mungojnë financimet e BE-së në bujqësi (përderisa nuk jemi as kandidat në këtë komunitet). Edhe subvencionet nga qeveria vendase janë shumë më të vogla krahasuar me nevojat e sektorit.
Sipas një vrojtimi të bërë nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar me mbështetjen e IOM (Organizatës Ndërkombëtare të Punës), pothuajse të gjithë fermerët e kanë të vështirë të marrin kredi. Në vrojtim janë përfshirë 3500 fermerë në të gjithë vendin dhe gati 3400 (mbi 96% të të intervistuarve) janë shprehur se e kanë të vështirë të marrin kredi për shkak të interesave të larta, kolateralit dhe burokracive.
“Po të drejtohesh për të marrë kredi në të gjitha bankat, të ofrohet mundësia që ta marrësh atë, por në asnjë prej tyre nuk mund të gjesh lehtësi që të nxitemi e të mendojmë se ia vlen të marrësh kredi”, janë shprehur shumica e fermerëve në intervistat e tyre. Pamundësia për të siguruar një kredi u ka rrënjosur fermerëve mendimin se mungojnë burimet e favorshme të financimit. 94% e të intervistuarve mendojnë se nuk ka burime të favorshme financimi. Në kërkesat e tyre, bizneset bujqësore do të donin të kishin më shumë lehtësi, duke filluar nga normat më të ulëta të interesit.
Sikur të mos mjaftonte aksesi i kufizuar në kreditim, një barrë e rëndë mbi fermerin shqiptar janë kostot e larta të energjisë e karburantit, të cilin e blen po aq sa drejtuesi i një automobili. Çmimi i energjisë për këtë sektor është rritur lehtësisht, por bashkë me karburantet nuk ndihmon aspak stabilimentet e prodhimit, agropërpunimit, serrat. Ekspertët e bujqësisë vërejnë se kostoja e lartë e punës me lëndë djegëse po kufizon edhe shkallën e mekanizimit në mbjellje, kultivim e korrje. Çmimi i energjisë e karburanteve shihet si pengesë për 75% të të intervistuarve sipas KASH.
66% e fermerëve i druhen konkurrencës që vjen nga importi
Mallrat bujqësore të importit shpesh vijnë me çmime më të lira se ato të prodhuara në vend. Por, ndërsa për konsumatorët kjo është një e mirë që siguron mundësi zgjedhjeje, për fermerët nuk është aspak e drejtë. Për ata kjo konkurrencë nuk është aspak e ndershme, pasi kolegët e tyre në vendet fqinje nga ku importojmë prodhime agrare e ushqimore mbështeten më tepër në blerjen e inputeve e në prodhim. Për më tepër, barra fiskale rrit vlerën e importit të inputeve bujqësore.
Për shkak të barrës së lartë fiskale, sipas fermerëve, inputet e mbërritura në Shqipëri janë me çmim më të lartë se në të gjitha vendet e rajonit. Për fermerët, inputet bujqësore, si plehrat kimike, farërat dhe pesticidet përbëjnë 60% të vlerës së kostos që shpenzohet në kulturat bujqësore.
Inputet që kanë më shumë peshë në disa aktivitete bujqësore:
Çmimi i blerjes nga importi (USD/ton Çmimi mesatar në tregun e pakicës (lekë/kv)
Nitrat Amoni 325-335 4 000-5 000
Ure 470-520 5 500- 6 000
Superfosfat 215-220 3 000- 3 500
Studimi, probleme pa fund në bujqësi
Biznesi bujqësor në Shqipëri po përballet me një numër të madh pengesash edhe me karakter ligjor, me mungesën e likuiditetit, por edhe pamundësinë për të gjetur tregje të reja. Anketa e Këshillit të Agrobiznesit në Shqipëri identifikoi barrierat kryesore që po has ky sektor. Nga studimi u identifikuan rreth 15 probleme kryesore, gjithashtu u artikuluan rekomandime drejtuar qeverisë për zgjedhjen e mundshme të tyre.
Një nga problemet e vërejtura nga anketimi ka të bëjë me legjislacionin jo të plotë që ekziston në fushën e biznesit. Për biznesin, edhe pse janë bërë përpjekje për të përmirësuar kornizën ligjore, përsëri ka vend për përmirësime. Ata kanë vlerësuar si të rëndësishëm ligjin për kooperativat bujqësore, që pritet të kenë ndikim të gjerë mbi agrobiznesin.
Spekulimet me konkurrencën e brendshme gjithashtu janë nënvizuar si problematike. Informaliteti, edhe pse është ulur, ka dëmtuar biznesin. Shmangia nga detyrimet dhe taksat gjithashtu janë element i trajtuar nga pothuajse të gjithë prodhuesit e sektorit të bujqësisë.
Grupe fermerësh e agropërpunues janë shprehur se konkurrueshmëria është përkeqësuar edhe për shkak të tarifave relativisht të larta për disa produkte të importit.
Në lidhje me masat nxitëse që ka marrë qeveria, intervistuesit janë shprehur se përkrahin gjerësisht subvencionet, por edhe presin të shtohen fondet e financimit direkt.
Për t’u futur në tregjet e reja, ata mendojnë se duhet të kenë kaluar pengesat që po hasin me paketimin e prodhimit, marrjen e certifikatave përkatëse. Edhe për këtë hallkë të procesit, ata kërkojnë nxitje nga qeveria.
Fermerët nuk janë ndalur vetëm tek ankesat që kanë ndaj tregut, qeverisë, si dhe ndaj vetes. Por, ata kanë parashtruar edhe kërkesat që mendojnë se mund t’i ndihmojnë.
Zgjidhja parësore është mbështetja financiare. 98% e fermerëve të pyetur mendojnë se kjo është zgjidhja parësore që mund të zhvillojë ndërmarrjet e agrobiznesit.
Stimujt, sipas tyre, duhet të shkojnë në nxitjen e prodhimit. Por, meqë të ardhurat nuk sigurohen dot pa shitur, 80% e fermerëve kërkojë të investohet në rrugët rurale.
Çështjet fiskale kryesojnë në kërkesat e fermerët. Ata kërkojnë mbështetje në masë 20% për çmimin e blerjes së mjeteve mekanike.
Pse duan një administratë të mirë
Me një vështrim të parë duket pothuajse i pakuptimtë shqetësimi i fermerit për një administratë jo shumë efektive, siç e quan ai në këtë vrojtim. Përplasjet e drejtpërdrejta me zyrtarët janë të rralla, pothuajse nuk ekzistojnë. Por, duke parë që fermerët e tjerë në 27 vendet e Europës punojnë në kushte shumë më të favorshme e janë më të lehtësuara, për shkak të fondeve që Bashkimi Europian “hedh” çdo vit në bujqësi, shqiptarët do të donin një administratë më punëtore që t’i bënte ata sa më shpejt fermerë europianë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
pershendetje sa duhet te paguaj ne muaj per nje kredi 7 miljon