Nga Denisa Duka*
Kanë kaluar disa javë që nga zyrtarizimi i rasteve të para me koronavirusin edhe në vendin tonë. Në këtë periudhë ka pasur një mori informacionesh rreth kësaj situate dhe problematikave që e kanë shoqëruar.
Në televizion, radio, media online dhe rrjete sociale, informacioni ka qenë i larmishëm, duke nisur që nga arsyet/shkaqet, simptomat, këshillat e përkujdesjes personale, kufizimet dhe masat e vendosura, numri i të prekurve dhe atyre që kanë humbur jetën e deri te teoritë konspirative.
Situata është shoqëruar me një sërë dukurish, të cilat janë vënë re lehtësisht nga secili.
- U njohëm edhe në këtë rast me profesionistë të fushës, mjekë dhe psikologë, të cilëve iu dha hapësirë mediatike për t’u ndjekur nga publiku i gjerë këshillat e tyre.
- Është rritur në mënyrë të konsiderueshme biznesi për ato aktivitete të cilat vijojnë punën: dyqane të produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve, si dhe farmacitë.
- Ajri që thithim është ndjeshëm më i pastër dhe ka një rënie edhe të ndotjes akustike.
- Secili ka pasur më shumë kohë për të shpenzuar me familjen dhe për të kryer aktivitete të ndryshme brenda banesës.
- Vihet re rritja e ndërgjegjësimit rreth kujdesit ndaj higjienës dhe respektimit të radhës.
- Janë ndërprerë aktivitetet social-kulturore, arsimore dhe ekonomike duke sjellë ndryshim të menjëhershëm të rrjedhës normale të përditshmërisë, jetës.
Sigurisht që krahas efekteve në aspektin shëndetësor, psikologjik dhe jetësor, ndikimi në ekonomi është i ndjeshëm.
Më i prekur, deri më tani, rezulton sektori i shërbimeve, si një nga ofruesit më të mëdhenj të vendeve të punës në vend. Masat e marra janë shoqëruar me:
- Mbyllje të përkohshme, deri në një njoftim të dytë, të aktivitetit të bizneseve.
- Punë me orar dhe kapacitet të reduktuar.
- Vështirësi në transport dhe në transportin e stafit.
- Riorganizim të vendit të punës për të respektuar masat e sigurisë.
- Riorganizim të vetë punës/aktivitetit sipas alternativave që mundësohen dhe lejon lloji i veprimtarisë.
- Zhvillimin e punës nga distanca kur është e mundur dhe duke konsideruar edhe vështirësitë teknike, model ky jo fort i praktikuar në vendin tonë.
- Disa biznese po promovojnë shitjen online të produkteve të tyre. Megjithëse duke parë shtrirjen e shërbimit e-commerce në vend, janë vetëm 99 biznese që aplikojnë shitjen online në faqet zyrtare të biznesit të tyre. Kjo nënkupton që cikli i shitblerjes do të jetë i formës “Cash on delivery”.
Të gjitha këto ndryshime janë kryer në kohë rekord
Organizatat/shoqatat e biznesit ngritën shqetësimet e kompanive, si rezultat i pezullimit të përkohshëm të aktivitetit apo zhvillimi i një aktiviteti të reduktuar si: fitim i munguar, të ardhura të munguara, përballimi i detyrimeve tatimore, pagave të punonjësve dhe shpenzimeve të tjera fikse.
Mbetet për t’u parë konkretisht zbatimi i efekteve të paketës mbështetëse financiare për situatën.
Reagimi i sektorit bankar
Sektori bankar reagoi menjëherë, duke ofruar një sërë alternativash lehtësuese, që u vijnë në ndihmë qytetarëve e bizneseve dhe njëkohësisht, në respekt të masave të marra. Kjo kohë shërbeu për të rikthyer në fokus ato që promovohen prej vitesh tashmë nga bankat: pagesat me karta, si dhe aplikimet dhe pagesat online.
Kartat bankare, si të debitit edhe ato të kreditit, lehtësojnë çdo pagesë pranë dyqaneve, farmacive dhe online, pa qenë e nevojshme gjetja e bankomatit/ATM më të afërt për të tërhequr para kesh. Duke shmangur në këtë mënyrë lëvizjen në distanca të largëta dhe kontaktin me paranë fizike.
Secili prej nesh ka vërejtur këto ditë papastërtinë që akumulohet në dorezat që mbajnë të veshura arkëtarët e dyqaneve. E gjithë kjo papastërti gjendet në monedha dhe kartëmonedha. Duke shmangur përdorimin e parasë fizike, minimalisht reduktohet kontakti me atë sasi bakteresh dhe pagesat kryhen pa asnjë kosto.
Ngjashëm me përdorimin e kartave bankare për të kryer pagesa, mund të zgjidhet mundësia e aplikimit po online nga distanca, për një produkt bankar kredi, kartë etj… Ndërsa kryerja e pagesave të ndryshme mundësohet lehtësisht në sajë të platformës online të bankës. Kompanitë mund të shlyejnë detyrimet e ndryshme tatimore, doganore, të faturave dhe të kalojnë pagat e punonjësve.
Qytetarët mund të paguajnë faturat për ujësjellës, energji elektrike apo telefoni pa qenë e nevojshme të dalin nga banesa. Njëkohësisht janë marrë masa në funksion të zbatimit të vendimeve të institucionit rregullator, për trajtimin e pagesës së kësteve.
Koha për reflektim
Koha që po kalon, përballja me këtë situatë pas asaj të tërmetit krahas masave emergjente, i shërben çdo biznesi për të reflektuar:
- Si mund të sigurohet rritja e mëtejshme, përfshirja në planet e ardhshme të biznesit edhe të dukurive të tilla.
- Riskedulim i strategjisë, planeve dhe objektivave për biznese të caktuara.
- Konsolidimi i punës nga distanca.
- Rishikim i mënyrës së të bërit biznes, duke investuar më shumë në sisteme dhe teknologji.
- Përfshirja e proceseve që rezultojë të suksesshme në këtë situatë në veprimtarinë e përditshme në kohë normale.
Duke i lënë mënjanë shifrat dhe analizën e tyre për një moment tjetër, në fund të kësaj periudhe, bizneset më të prekura janë ato që do të gjallërohen më shpejt. Të gjithë mirëpresin rifillimin e jetës ekonomike dhe social-kulturore. Çeljen e teatrove, kinemave, bareve, restoranteve, zonave të argëtimit, palestrave, qendrave estetike dhe të relaksit, agjencive të udhëtimit etj…
Sigurisht pa lënë mënjanë edhe shërbimet e psikologëve profesionistë, duke treguar më shumë respekt për shëndetin mendor.
Më pëlqen ta mbyll këtë shkrim me disa rreshta të shkëputura nga libri “Factfulness” të Hans Rosling.
“Kur kemi një pikëpamje globale të bazuar në fakte, mund të shohim që bota nuk është aq keq sa duket dhe ne mund të gjykojmë për atë që duhet të bëjmë, në mënyrë që ta përmirësojmë më tej atë”.
“Stresohu më pak nga problemet imagjinare të një bote tejet të dramatizuar dhe ji më i përditësuar ndaj problemeve reale dhe mënyrës se si t’i zgjidhësh ato”.
*Senior Specialist Produkti dhe Shitje për Karta dhe Produkte Kreditore
Union Bank Albania
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.