Pak prodhim

01/07/2014 11:57 AM 0 komente

Këto vite kanë treguar se Shqipëria nuk i shfrytëzon mundësitë që i jep natyra. Prodhimi i ullirit dhe vajit të ullirit është shembulli më i mirë i nënvlerësimit të natyrës. Ulliri dhe vaji i prodhuar vitin e kaluar shënoi nivelet minimale, duke i “dënuar” shqiptarët të konsumojnë pak vaj ulliri
Tregu shqiptar i vajit të ullirit është shembulli më i mirë për të treguar se si vendi ynë nuk arrin t’i japë vlerë një pasurie që natyra ia ka dhënë.

Jemi në zemër të rajonit prodhues të ullirit në botë, kemi rrënjë ullinjsh qindravjeçare, por e importojmë vajin e ullirit nga vende të tjera mesdhetare.

As ndërhyrjet në më shumë se njëzet vjet, madje as një strategji kombëtare për ullirin nuk arritën t’i nxjerrin ullishtat nga kushtet e tyre natyrale të prodhimit, ku rendimenti pëson luhatje me disa herë nga një vit në tjetrin.

Pavarësisht kushteve natyrore, viti i kaluar nuk ishte aspak i mbarë për prodhimin e ullirit e rrjedhimisht vajit të tij.

Krahasuar me 2012-n, sipas fermerëve, prodhimi ra mbi dy herë. Të dhënat zyrtare të prodhimit nga shoqatat e fermerëve flasin për rreth 20 mijë tonë ullinj të prodhuar në të gjithë vendin, ose 2.5 herë më pak se një vit më parë. Rënien më të madhe e shënoi rajoni i Tiranës, ku u prodhua rreth dhjetë herë më pak se një vit më parë. Shpresa Shkalla, prodhuese e vajit të ullirit në periferi të kryeqytetit, tregon se për shkak të prodhimit të varfër, shumë punishte nuk i vunë në punë makineritë. Kujtojmë se ka rreth 130 fabrika të prodhimit të vajit në vend, të cilat punojnë vetëm pak ditë në vit, vetëm pas sezonit të vjeljes.

2013-a shënoi nivelin më të ulët të prodhimit të këtyre viteve, pavarësisht se kushtet e motit nuk vlerësohet të kenë qenë aq të pafavorshme, për të pasur një rezultat të tillë. Plantacionet e para që u subvencionuan nga buxheti i shtetit kanë filluar të japin frytet e para vitin e kaluar, por sipas fermerëve, rendimenti është ai i nivelit fillestar. Ndërkohë që strategjia kombëtare e ullirit ka lënë vetëm shenjat e para të ullishtave intensive në zonën e Kavajës, për t’u braktisur nga politika e zhvillimit bujqësor të qeverisjes së majtë. Në skemën e subvencioneve të këtij viti, mbështetja e ullishtave të reja është futur mes produkteve të tjera si pemëtore, vreshta, e ka më pak mundësi financimi se kultivimi i perimeve. Ato çfarë ishin dhe vazhdojnë të mbeten në terren edhe ditët e sotme janë programet e huaja të financimit, të cilat, megjithëse kanë rritur vëmendjen e fermerëve për t’u kujdesur më shumë për drurin e ullirit, nuk kanë qenë aq të vlefshme se sa pritej, përderisa prodhimi nuk siguron qëndrueshmëri e të marrin kthesën e rritjes.

monitor 635.indd

 

Më pak ullinj, më pak vaj

Zhvillimi në kushte tërësisht natyrore po bën që edhe pjesa e industrisë ushqimore, ajo e prodhimit të vajit të ullirit, të varet nga kjo tendencë, ndonëse dora e njeriut ka hedhur miliona euro investime.

Vitin e kaluar, ullinjtë u dëmtuan nga shirat në periudhën e lulëzimit dhe ky rrezik po u kanoset edhe këtë vit.

Prodhimi i pakët bëri që vaji i siguruar të jetë vetëm 5 mijë tonë, nga 13.7 mijë tonë të prodhuar një vit më parë. Sipas të dhënave të agroindustrisë, sasia e prodhuar zbriti në nivelin e katër viteve më parë. Në vitin 2010 u prodhuan rreth 5 mijë tonë vaj ulliri. Ekspertët e bujqësisë janë pak optimistë për ndryshimin e kësaj prirjeje që duket se e ka krijuar rrugën e saj tashmë. Sipas tyre, prodhimi i ullirit ka mbetur tërësisht në kushte natyrale, ku një vit është i mbarë dhe viti pasardhës pa prodhim. Ndërsa janë shtuar ullishtat e reja, shumë pak po mirëmbahen ato ekzistuese, aktualisht në prodhim. Kjo po lë peng shumë punishte të përpunimit të këtij vaji të ngritura në vend, të cilat punojnë duke shfrytëzuar edhe vetëm 10% të kapacitetit.

monitor 635.indd

Vend për import

Prodhimi i kufizuar i lë vend importit të vajit të ullirit. Në vend që të renditeshim mes eksportuesve më të mëdhenj të vajit të ullirit në botë (mundësi e kufizuar vetëm mes vendeve mesdhetare), në fakt eksportojmë vetëm disa dhjetëra tonë në Kosovë e Mal të Zi, ndërsa importojmë më shumë se një të pestën e sasisë që prodhohet në vend. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar importuam rreth 1.2 mijë tonë vaj ulliri. Importe të siguruara nga Greqia, Italia dhe Spanja, kryesisht të një cilësie mesatare prodhimi. Ndryshe nga sa pritej, importi shënoi rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, ndërsa prodhimi ra në mënyrë të theksuar. Kjo bëri që pesha mes prodhimit vendas dhe importit të ndryshojë ndjeshëm. Vaji i ullirit i importuar arriti në gati 20% të sasisë së prodhuar një vit më parë, ndërsa në vitin 2012, importi zinte më pak se 10% të prodhimit vendas. Ekspertët e tregtisë na kujtojnë se përgjysmimi i import-prodhimit nga 2012-a në 2013-n, nuk do të thotë domosdoshmërisht ulje e konsumit në këto nivele. Vitin e kaluar vlerësohet të jetë hedhur në treg edhe një sasi e prodhuar një vit më parë, përvojë që tashmë fermerët e përpunuesit e kanë krijuar nga vitet e mëparshme.

 monitor 635.indd

monitor 635.indd

monitor 635.indd

 

Shifrat tregojnë se nuk ka pasur një përmirësim, pra një rritje të mundshme të konsumit të vajit të ullirit. Një produkt shumë i këshilluar për konsum e për trajtime, për shkak të vlerave të larta kurative, vazhdojmë ta konsumojmë shumë pak krahasuar me fqinjët tanë. Sipas vlerësimeve të fundit, niveli mesatar i konsumit në Shqipëri nuk i kalon 2.5 litër vaj ulliri në vit. Krahasuar me pesë vite më parë sasia e konsumit është rritur me rreth 40%, por mbetet shumë larg nivelit mesatar europian të konsumit.

Konsumi i vajit të ullirit për person në Shqipëri është rreth 12 herë më i ulët se sasia e konsumuar për frymë në Greqi dhe 6 herë më pak se në Itali apo Spanjë, ndonëse potenciali prodhues i ullirit paraqitet i njëjtë në të gjitha këto vende, përfshirë Shqipërinë.

E krahas prodhimit dhe konsumit më të pakët të këtij produkti me potencial të lartë eksportues, (pasi ka një treg deficitar në botë) tregu shqiptar i ullirit duket të karakterizohet nga një masë më e lartë abuzimi se në vendet e tjera. Siguria për të blerë në një dyqan vaj ulliri (tërësisht të tillë) vazhdon të mbetet e ulët.

Vetëm pak ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi mbi 230 litra vaj ulliri që tregtoheshin jashtë standardit. Madje edhe për sasi të mëdha që tregtohen mes vetë kompanive tregtare flitet për përzierje të vajrave. Kjo, sipas tyre, shpjegohet me kostot e larta të këtij prodhimi, ndërsa fuqia blerëse në vendin tonë mbetet e ulët.

Sipas prodhueses së vajit ekstra të virgjër “Shkalla”, “për të prodhuar një litër vaj ulliri (ekstra) nevojiten 6 kg ullinj”. Çmimi i një kilogram ulliri me shumicë në vendin tonë vërtitet te 110 lekë, ndaj kostoja e prodhimit të një litri vaj ulliri ekstra i tejkalon 1 mijë lekët. Sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit në Itali, çmimi i daljes nga fabrika e vajit të ullirit ekstra të virgjër është mesatarisht 2.6 euro/litër (335 lekë), ose 3 herë më pak se ai në vendin tonë. Në po këtë masë është më e lartë kostoja e prodhimit të vajit të thjeshtë të ullirit. Kjo kosto nuk reflektohet tërësisht në treg, pasi, sipas ekspertëve të bujqësisë, pjesa më e madhe e vajit vendas tregtohet i përzier me vaj farash bimore. Kjo krijon një konkurrencë e pandershme mes vetë prodhuesve vendas, pasi kemi nga ata që vlerësojnë markat e tyre e po punojnë edhe në eksport, e nga ana tjetër, kemi vajra për treg me çmim më të ulët në këmbim të cilësisë. Por e tillë është konkurrenca edhe mes prodhuesve vendas dhe atyre fqinjë që importojnë te ne.

Kostot e larta për prodhimin cilësor në vend janë edhe një pengesë për eksportin, i cili vitin e kaluar nuk i kaloi 20 tonë.

monitor 635.indd

Pak eksporte në tregje të mira

Pavarësisht problemeve të shumta që shfaq vaji i ullirit në tregun vendas, prodhuesit seriozë të tij janë vlerësuar në tregje të huaja. Në tregun zviceran, një sasi modeste e vajit të ullirit përfundon çdo vit, tashmë prej gati dhjetë vitesh.

Tregje të tjera ku është vlerësuar vaji shqiptar i ullirit janë Amerika, Franca, por edhe tregu i afërt, Kroacia. Megjithatë eksportet tona mund të mos quhen të tilla pasi janë vetëm një pikë uji në oqean, po të bëjmë krahasimin kërkesë-ofertë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar u eksportuan vetëm 17 tonë, ndërsa në 2012-n eksportet ishin edhe më pak, vetëm 10 tonë. Përjashtuar eksportin në Zvicër, të dhënat e tregtisë nxjerrin në pah faktin se eksporti i vajit të ullirit vazhdon të jetë i rastësishëm.

Si mesdhetarë, konsumojë më pak

Familjet shqiptare e kanë rritur interesin për ta bërë vajin e ullirit pjesë të dietës së tyre ushqimore. Gjatë vitit të kaluar, konsumi i vajit të ullirit për frymë në vendin tonë, sipas të dhënave të prodhimit dhe tregtimit, rezulton të jetë 2.1 litër/vit. Ky nivel konsumi është rritur 60% në dhjetë vitet e fundit. Megjithatë, niveli ynë i konsumit për vajin pa kolesterol, shpesh i këshilluar nga mjeku mbetet më i ulëti nga të gjitha vendet kultivuese të këtij produkti. Kushtet klimatike për kultivimin e ullirit janë të njëjta për vendet mesdhetare, por nëse vendet mesdhetare identifikohen si të tilla për mundësinë e kultivimit të ullirit, Shqipëria mbetet e panjohur në këtë treg. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), rezulton se një konsumator grek shpenzon 25 litra vaj ulliri në vit, rreth 13 herë më shumë se një konsumator shqiptar. Në Itali dhe Spanjë, niveli i konsumit është mesatarisht 6 herë më i lartë se në vendin tonë.

Nga të dhënat e Këshillit Ndërkombëtar të Vajit të Ullirit, prodhimi botëror llogaritet mbi 2.8 milionë tonë vaj ulliri. Pjesa më e madhe e tij, mbi 95%, prodhohet në vendet mesdhetare. Sasia e prodhuar në tregun shqiptar është e pallogaritshme (vetëm 0.1%) ndaj totalit të prodhimit. Prodhuesi kryesor vlerësohet Spanja, me gati 40% të sasisë globale të prodhimit. Ndërsa Greqia, sipas organizmave ndërkombëtare të prodhimit, është prodhuesi kryesor i ullirit të zi dhe vendi që ka më shumë varietete ulliri krahasuar me çdo vend tjetër. Greqia zë vendin e tretë në botë për nga prodhimi i ullirit, me më shumë se 132 milionë rrënjë duke prodhuar rreth 350 mijë tonë vaj ulliri në vit. 82% e tij është ekstra i virgjër. Të ngopur me gjysmën e prodhimit në vend, grekët eksportojnë gjysmën tjetër kryesisht në Itali, ndonëse vetëm një pjesë e vogël, vetëm 5%, paraqet në etiketë emrin e origjinës greke. Prodhimi turk, sipas ekspertëve, është në nivelet e prodhimit të një province spanjolle.

Konsumatorët më të mëdhenj janë vetë prodhuesit. Sipas të dhënave ndërkombëtare të tregtisë, edhe pjesa më e madhe eksporteve realizohet në Europë.

Vendi prodhimi Konsumi Konsumi vjetor për frymë (kg) (viti 2012)

Spanjë 36% 20% 14

Tunizi 32% 25% 12

Itali 25% 30% 13

Greqi 18% 9% 24

Turqi 5% 2% 1.3

Siri 4% 2% 6

Marok 3% 2% 1.8

Portugali 1% 2% 7.1

SHBA 0% 8% 0.56

Francë 0% 4% 1.34

Shqipëri 0% (0.1%) 0% (0.1%) 2.1

Burimi: Këshilli Ndërkombëtar i Vajit të Ullirit

Për Shqipërinë, të dhënat e përpunuara të Ministri e Bujqësisë

 

Bie strategjia, mbeten ullishtat e vjetra

Debatet e specialistëve të bujqësisë mbi dobinë apo jo të ullishtave intensive nuk ka nevojë të bëhen. Mbështetja e Bujqësisë ka një formë e orientim tjetër, duke e lënë në letër strategjinë për të mbjellë 20 milionë rrënjë ullinj në vitet e ardhshme.

Studimi mbi këtë sektor parashikonte një vlerë investimi në pesë vitet e para prej rreth 63 miliardë lekësh. Kjo shifër do të ishte mbi 60 herë më e lartë se vlera e subvencioneve direkte në bujqësi. Tërheqja nga kjo strategji ka bërë që “dhuratë” të mbeten vetëm ullishtat e ngritura falë subvencioneve në bujqësi.

Ullishtaria vlerësohet të zërë gati 6% të sipërfaqes së tokës bujqësore.

Në vlerësimin e gjendjes aktuale të ullirit në vend, ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë dhe të Qendrës së Transferimit të Teknologjive të Bujqësisë në Vlorë, kanë theksuar se niveli i mirëmbajtjes së ullishtave është i ulët, ndaj edhe rendimenti ka qenë i dobët (duke u luhatur këto vitet e fundit mes 7-18 kg/rrënjë).

Deri në fund të vitit 2012, numri i bimëve të ullirit i kaloi 4 milionë rrënjë kundrejt 3.1 milionë bimë që ishin në vitin 1992. Ndërsa prodhimi në vitin 2012 shënoi 25 mijë tonë, kundrejt 20 mijë tonëve në vitin 1992.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, me bimën e ullirit në Shqipëri merren mbi 95 mijë familje fermere, prej të cilave 44 mijë e kanë përparësi kulturën e ullirit dhe 11 mijë familje e përballojnë jetesën me të ardhurat financiare që sigurohen nga kjo kulturë.

Janë 130 linja të ngritura në vend, me kapacitet përpunues 10 mijë tonë ullinj në sezon. Kjo është e barabartë me 36% të kapacitetit përpunues në shkallë vendi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of