Paketa e dytë, aplikojnë 98 mijë persona, refuzohen vetëm 3%; Shpërndahet 42% e shumës së planifikuar

04/05/2020 10:10 AM 0 komente

Deri tani, për paketën e dytë financiare kanë aplikuar rreth 98 mijë persona, sipas të dhënave të përditësuara të tatimeve.

Nga këto aplikime janë refuzuar rreth 3,100 persona ose 3%. Norma e refuzimeve është shumë më e ulët në raport me paketën e parë, ku pothuajse gjysma e atyre që aplikuan nuk përfituan.

87% e aplikimeve, ose rreth 84 mijë persona kanë marrë një përgjigje positive për aplikimin e tyre dhe për 75 mijë është bërë pagesa. Në total, deri tani janë lëvruar rreth 3 miliardë lekë, nga 7 miliardë lekë që është shuma totale e parashikuar në bazë të aktit normative të qeverisë për paketën e dytë financiare.

Përfituesit më të mëdhenj janë nga Masa 3, ku është miratuar aplikimi për 55 mijë individë, ose 65% e totalit, që u përket bizneseve të vogla. Kjo masë përfshin të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë.

Më pas renditet Masa 2, me 30% të përfituesve. Masa 2 përfshin “Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/urdhrave të MSHMS deri në datën 10 Prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 Prill 2020”.

Nga Masa 1, kanë përfituar 35 e aplikantëve. Kjo masë përfshin “Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ urdhrave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë.”.

Më pak përfitues ka nga masa 4, që janë “Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listepagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese”. Nga kjo masë kanë përfituar rreth 1,500 punonjës, kur numri i përfutiesve ishte parashikuar të arrinte në rreth 10 mijë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of