Rreth 32,000 përfitues shtesë, të larguar nga puna në periudhën 1 Mars – 17 Maj do të përfitojnë pagesën 40,000 lekë nga Paketa e Zgjeruar, duke e çuar numrin e përfituesve në total në rreth 210,000 punonjës, njoftoi Ministria e Financave. Ndryshimet e fundit të VKM nr.305 datë 16.04.2020 përcaktojnë kritere të reja për përfitimin e ndihmës financiare, mbështetje e Qeverisë Shqiptare.
Më herët planifikohej të përfitonin 176 mijë persona.
Sipas këtyre ndryshimeve, janë përfitues të ndihmës prej prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh të gjithë individët, të ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet ose janë mbyllur sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data 1 mars 2020 deri në datën 17 maj 2020.
Aplikimi për punonjësit përfitues, i kryer online, nga subjektet punëdhënës, deri në datën 5 Qershor 2020, i përjashton ata nga penaliteti për mosaplikim. Në rastet kur punëdhënësi nuk do të kryejë aplikimin brenda datës 5 Qershor 2020, të gjithë individëve përfitues, do t’iu jepet mundësia për përfitimin e ndihmës financiare në mënyrë automatike.
Kjo do të realizohet pas verifikimit të kritereve bazuar në të dhënat që administata tatimore disponon apo të dhënave që të punësuarit apo të ish-punësuarit do të dorëzojnë. Të gjithë subjektet, të cilët plotësojnë kriteret sipas VKM nr.305 datë 16.04.2020, i ndryshuar (sipas listës bashkëngjitur), duhet të plotësojnë kërkesën për përfitim të ndihmës financiare, për individët përfitues sipas VKM të sipërcituar.
Trajtimi i këtyre kërkesave do të jetë në mënyrë automatike, pra pas dorëzimit të Formularit të plotësuar, që do të thotë se kërkesa është miratuar automatikisht dhe do të vijohet me pagesën e Ndihmës Financiare prej 40.000 lekësh. Ministria e Financave dhe Ekonomisë fton bizneset të kryejnë aplikimin, të sigurojnë pagesën për ish-punonjësit e tyre si dhe të përjashtohen nga penalitetet për mosaplikim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.