Paketa fiskale për vitin 2022 synon të rrisë të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit në masën e 5,2 miliardë lekëve.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj gjatë prezantimit të paketës në Komisionin e Ekonomisë, deklaroi se paketa parashikon një reduktim të TVSH-së për inputet bujqësore, ndërsa për fermerët do të ketë një garanci sovrane prej 1 miliard lekë.
“Paketa fiskale synon rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit në masën 5,2 miliardë lekë, dhe vjen pasi Ministria e Financave prej vitesh ka iniciuar hartimin e një strategjie afatmesme të të ardhurave të buxhetit duke u konsultuar me FMN.
Projeksioni për vitin 2022 parashikon rritjen e të ardhurave tatimore në 26,8 për qind të PBB-së.
Paketa fiskale parashikon ndryshime ligjore në ligjin për Tatimin për Vlerën e shtuar, në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, në ligjin për taksat kombëtare dhe ne ligjin për akcizat në republikën e Shqipërisë.
Qeveria që në fillimin e saj mbështeti parimin kush fiton më shumë paguan më shumë. Nëpërmjet ndryshimit të propozuar rritet paga dysheme e patatueshme, nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë. Përfitojnë 71 mijë e 500 qytetarë në masën 557 milion lekësh në vit, 7800 lekë në vit për qytetar. Reduktimin e normës tatimore me 50 për qind, për të ardhura nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë në muaj. Tatimi 23 për qind parashikohet të aplikohet për pagat mbi 200 mijë lekë në muaj nga 150 që është tani. Lehtësojmë shtresën e ulët dhe të mesme.
Parashikohet heqja e akcizës për lëndët djegëse për industrinë. Nga kjo skemë ka përfituar vetëm industria. Janë 11 subjekte përfituese nga kjo skemë. Efekti i parashikuar në buxhetin e shtetit është 800 milion lekë.
Ndryshime për ligjin për taksat kombëtare. Taksa 1 qind lekë për kg për importin e qumështit pluhur. Synon mbështetje e fermerëve vendas. Me vendosjen e taksës parashikohen një efekt pozitiv për të ardhurat e shtetit me 100 milion lekë në vit”, tha ministrja.
vijon
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.